4.6 C
Pristina
E martë, 22 Tetor, 2024

Analistët: Kosova nuk mund të shmangë themelimin e Asociacionit, sipas marrëveshjeve të nënshkruara

Analistët thonë se SHBA dhe BE kërkojnë zbatimin e plotë të marrëveshjes Kosovë-Serbi.

Ish-deputeti Visar Ymeri ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti po bëhet gjithnjë e më i dëgjueshëm ndaj kërkesave të ndërkombëtarëve, veçanërisht SHBA-së.

Ymeri në RTV Dukagjini theksoi se SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian kanë insistuar që marrëveshja me Serbinë të zbatohet plotësisht, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Ai vuri në dukje se Kosova nuk mund ta shmangë këtë proces, pasi marrëveshja është pranuar dhe nënshkruar në vitet e kaluara.

Ymeri tha se përparimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare është dëshmuar me pranimin e saj në Këshillin e Evropës, ndërsa në vend është parë çmontimi gradual i strukturave paralele në veri.

Ai gjithashtu sugjeroi se Kurti po fillon të kuptojë më mirë kërkesat që ndërkombëtarët dhe opozita kanë bërë gjatë katër viteve të fundit.

Analisti Sadri Ramabaja, nga ana tjetër, theksoi se Kurti duhet të ketë një mandat të dytë.

Sipas tij, është e rëndësishme që abuzuesit e pasurisë së Kosovës të përballen me drejtësinë, duke theksuar rëndësinë e ligjshmërisë dhe drejtësisë për të ardhmen euroatlantike të vendit.

“Do të duhej edhe një mandat të jetë Kurti. Dhe natyrisht të sillen para drejtësisë që të gjithë ata që kanë abuzuar me pasurinë e këtij vendi. Edhe këta që po abuzojnë, pa i falur asnjë. Sepse ligjshmëria, drejtësia, paqja dhe siguria janë bazamenti i shtetit të së drejtës dhe perspektivës sonë drejt integrimeve euroatlantike. Nuk mund të luajmë ne me Brukselin dhe me Arbërinë siç thuhej një kohë… duhet të tregohemi serioz në procesin e ndërtimit të shtetit. Dhe në këtë drejtim edhe O’Brien edhe të tjerët se vullneti i popullit të Kosovës kësaj radhe është në përputhje edhe me objektivat e Qeverisë Kurti. Dhe do të vazhdohet në këtë drejtim”, ka thënë Ramabaja.

Ndërsa analisti Kastriot Jahaj kritikoi Qeverinë Kurti për mënyrën se si po trajton çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Sipas Jahajt, Kurti ka pranuar një formë të Asociacionit, e cila bie ndesh me qëndrimet e tij të dikurshme kur Lëvizja Vetëvendosje protestonte kundër këtij procesi.

Ai shprehu bindjen se Qeveria aktuale do të dorëzojë draftstatutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese, duke e bërë dialogun me Serbinë prioritetin kryesor të qeverisë.

“Unë nuk e kam asnjë dyshim që kjo Qeveri, Asociacionin ashtu siç është dhe që e ka pranuar, do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese. Kjo qeveri, edhe do ta shihni më 9 shkurt çka do të ndodhë edhe me përkrahjen që do të ketë pas 9 shkurt, pasi qeveria si e tillë ka ardhur në pushtet me premtimin që dialogu me Serbinë do të jetë prioriteti i 6-të ose 7-të, por tani ka dalë prioriteti i parë. Çështjet ekonomike të vendit, papunësia e të tjera kanë dalë si prioritete të 10-ta ose 20-ta. Kjo Qeveri po ashtu ka ardhur në pushtet me moton ‘Zajednica nuk kalon’. Edhe e kanë sjellë një ‘Zajednicë’ edhe më të keqe”, ka thënë Jahaj.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here