Organizimi i Kampionatit Europian U-21 në vitin 2027 nga Shqipëria dhe Serbia së bashku ka krijuar debate të forta ndër shqiptari. Më së shumti në Kosovë, kjo vendimmarrje e FSHF-së po kontestohet fuqishëm, ashtu si nga tifo-grupi “Tifozat Kuq e Zi” dhe të tjerë.
Mbrëmë, për këtë temë diskutuan në emisionin “Sports Show” të Klan Kosova. Ish-kapiteni i kombëtares shqiptare, rekordmeni i ndeshjeve me fanellën kuqezi, Lorik Cana, ka thënë se nuk beson që presidenti i FSHF-së, Armando Duka, e njeh mirë Serbinë dhe qëllimet e saj: “Duka nuk e di se si kosovarët e kanë përjetuar historinë në ish-Jugosllavi, qysh është përjetuar sporti në ish-Jugosllavi.
Në vetë të parë, unë nuk kam asnjë lloj besimi në sinqeritetin e serbëve dhe çfarëdo lloj hapi që ndërmarrin me faktorin shqiptar. Dhe kur them me faktorin shqiptar, mundet me qenë Federata Shqiptare e Futbollit, Federata e Futbollit të Kosovës. Armand Duka ende nuk po e di se me kë ka punë. Nuk pajtohem me vendimin e tij për të organizuar Kampionatin Europian me Serbinë”.
Lidhur me këtë temë ka folur edhe ish-kandidati për kryetar të FFK-së, Granit Vokrri, djali i legjendës së ndjerë Fadil Vokrri: “E konsideroj hap të gutshëm, duke marrë parasysh historinë e luftës mes Kosovës dhe Serbisë. Është çështje shumë e ndjeshme sidomos për shqiptarët e Kosovës, sepse të gjithë e dimë historinë nëpër të cilën kemi kaluar.
Edhe unë vazhdoj të mendoj se sporti ka aftësinë t’i thyejë barrierat, por në këtë rast më duket pak hap i ngutshëm ky organizim. Edhe pse një pjesë e kampionatit do të zhvillohet në Shqipëri, ndërsa pjesa tjetër në Serbi, sërish mendoj që momentumi nuk është ndoshta më i miri i duhuri”.