Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kanë marrë ftesën për drekë pune nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursual von der Leyen, që do të organizohet nesër në Bruksel.
Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, e cila ka bërë të ditur se i ftuar në këtë drekë është edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, bashkë me kryesuesin e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, dhe kryeministrin e Malit të Zi.
Sipas Pisoneros, Komisioni Evropian aktualisht është duke finalizuar rishikimin e agjendave të reformave të paraqitura nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Këto janë agjenda reformash nga aspekti socio-ekonomik, por edhe fusha themelore. Ndërsa jemi duke finalizuar shqyrtimin e këtyre agjendave të reformës, ne do të konsultohemi me shtetet anëtare në komitetin e ardhshëm të IPA-s. Nëse komiteti IPA merr një vendim pozitiv, komisioni do të pranojë agjendat e reformës”, ka potencuar ajo.