Në tri vitet e fundit për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë shpronësuar 4808 hektarë. Me këtë synohet të garantohet që FSK ka mbulueshmërinë e duhur territoriale strategjike për të kryer misionin e saj të parë kushtetues për mbrojtjen e integritetit territorial të Republikës së Kosovës.
Ndër prona të cilat i kanë kaluar FSK-së këtë vit është edhe ish-Aeroporti i Dumoshit, një hapësirë prej rreth 48 hektarësh, ku do të ngrihet edhe baza që do të jetë rreth 15 kilometra larg kufirit me Serbinë si dhe 30 hektarë të kazermës në Llukar në zonën e Llapit.
Ministria e Mbrojtjes është në fazën e fundit të pranimit të hapësirave në Dumosh pasi ajo shfrytëzohej nga misioni i Bashkimi Evropian, EULEX.
“Për Aeroportin e Dumoshit jemi në procedurat e fundit të pranim-dorëzimit nga EULEX, do të ketë nevojë normalisht për pak investim mirëpo gjithashtu nga EULEX është premtuar që të mbështetet me pajisjet dhe sistemet që janë brenda vet aeroportit kështu që nuk do të na duhet të investojmë shumë para se të vendosim se cilat njësi do të vendosen në aeroportin e Dumoshit dhe baza të tjera”, tha ministri Maqedonci.
Përpos këtyre pronave, Forca e Sigurisë mori edhe hektarë në Babaj të Bokës ku është ngritur poligoni ushtarak, Aeroportin e Gjakovës prej nga aktualisht funksionojnë njësia pa pilot me dronë Bajraktarë dhe si ish-kampi “Kasablanka”.