Ish-luftëtari i UÇK-së, Dritan Goxhaj, është shprehur se përmes deklaratave të tij gjatë ditës së djeshme, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i bëri fushatën elektorale kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.
Komentet Goxhaj i bëri në emisionin ‘Review’ në Euronews Albania, ku tha se gjithçka është bërë me dirigjimin e SHBA-ve.
“Vuçiç dje i hapi fushatën Albin Kurtit dhe ia bëri atë të fitueshme. Sepse ato që tha ai, tregojnë që veprimet e Qeverisë së Kosovës kanë qenë të efektshme pasi kanë hequr fuqinë e Serbisë mbi Veriun e Kosovës. Dhe kërkon t’i rikthejë parë këta njerëz në veriun e Kosovës, sepse nuk i ka më.
Praktikisht ia bëri komplet fushatën Kurtit. Pastaj me dirigjim të SHBA-ve, Vuçiç bëri edhe një gjë që duket si autogol, kur tha ne do e shpallim territor të pushtuar Kosovën. Në momentin që e shpall kështu, ti pranon që ky territor është më vete, nuk është i joti.
Le të marrim Ukrainën që thotë Ukraina është e pushtuar, jo Dombasi apo Zaporizhzhia është e pushtuar. Sepse në momentin që ti e bën këtë ndarje, Vuçiç është i detyruar ta regjistrojë në OKB dhe prej atij momenti Kosova del më vete dhe nuk duhet më firma e Vuçiç për të njohur Kosovën. E gjitha është një lojë, me dirigjim të SHBA-ve. Vuçiç është i vetëdijshëm për rolin që po luan.