“U arratis në Bosnjë pasi kaloi lumin Drina” – Serbia po vazhdon kërkimet, Faton Hajrizi i pakapshëm për autoritetet

Faton Hajrizi, i cili dyshohet për vrasjen e policit serb dhe plagosjen e kolegut të tij, vazhdon të jetë në arrati. Mediat serbe, të afërta me pushtetin, raportojnë se menjëherë pas krimit, ai është arratisur për në Bosnjë e Hercegovinë, pasi ka kaluar lumin Drina. Kërkimet për të po vazhdojnë, edhe me dronë e helikopterë. Për rastin ka folur sërish vëllai i tij, Artan Hajrizi, i cili u shpall në kërkim nga autoritetet serbe, meqë dokumentet e tij personale u gjetën në vendgjarje. Deri tash, janë tre të arrestuar. Express ju sjell një përmbledhje të informacioneve që dihen deri tash.

Kërkimet për Faton Hajrizin, po vazhdojnë edhe sot, lidhur me vrasjen e policit serb, 34-vjeçarit Nikolla Krsmanoviq dhe plagosjen e kolegut të tij, 50-vjeçarit Vjekoslav Iliq. Hajrizi është arratisur para dy javësh nga Qendra Korrektuese në Smrekonicë.

Mediumi serb i afërt me pushtetin, Novosti, po raporton se i njëjti është arratisur në Bosnjë e Hercegovinë pas rastit, duke kaluar lumin Drina, por lajmi duhet të merret me rezervë pasi Serbia tashmë po drejton akuza ndaj Bosnjës e Kosovës për sulm.

“…policia është në kërkim të vrasësit, i cili, siç dyshohet, menjëherë pas krimit është arratisur në Bosnje-Hercegovinën fqinje përtej Drinës”, raporton ky medium.

Fillimisht, autoritetet serbe shpallën në kërkim vëllain e Fatonit, Artan Hajrizin, meqë në vendngjarje u gjetën dokumentet e tij personale, pasaporta e Republikës së Kosovës dhe letërnjoftimi i Gjermanisë.

I njëjti pas raportimeve, u lajmërua ku tha se ndodhet në Gjermani dhe se nuk ka lidhje me rastin. Për dokumentet që iu gjetën në vendin ku u krye krimi, ai akuzoi vëllain e tij, Fatonin, se ia ka vjedhur sa ishte në Gjermani.

Artan Hajrizi, ka folur mbrëmë në Pressing të T7, lidhur me ngjarjen që ndodhi në Serbi. Ai bëri me dije se ka dhënë deklaratë në Policinë e Hannoverit për rreth gjashtë orë, ku edhe ka hapur rast për humbjen e dokumenteve.

Pas deklaratës, ai tha se është lënë i lirë.

“Unë sot kam kontaktu me policinë gjermane. Jam kanë në polici gjashtë orë, edhe e kom dhanë deklaratën krejt, qysh është, qysh është kanë puna komplet. Mua ata më kanë lanë të lirë, që nuk kam me këtë vepër absolut kurgjë të bëj”, tha Hajrizi.

Ai tregoi se vëllai i tij, Fatoni, ka qenë dy ditë para rastit në Gjermani, ku edhe tha se ia ka marrë dokumentet.

“Pasaportin tem, pasaportin e Gjermanisë edhe të Kosovës, Fatoni u kanë para dy dite në Gjermani. Fatoni rregullisht u kanë jashtë shtetit. Nuk u kanë në Kosovë, nuk u kanë kërkund anej., Ai u kanë jashtë…Nuk ka banu te unë. U ardh te unë para dy dite, edhe i kom thanë këtu nuk ki vend te unë, se unë nuk du me prish familjen, nuk dua probleme se unë s’jam kanë problem kurrë. Nuk kam pas problem me ligj as në Kosovë kurrë. U ardh në shtatë sahati në mëngjes, edhe i ka mësha ziles, e kam pa ata se jam dalë me çel derën edhe tha vetëm me fol dicka me ty edhe u kry. Ia kom hap derën, u ngjitë naltë, ka nejtë 1 orë këtu. I kom thanë prej këtuhit largohu, se këtu të kapin Policia e unë s’du me pas probleme. Si në Gjermani, sin ë Kosovë jam një qytetar i thjeshtë. Unë në Gjermani jam qe dhjetë vjet e ende asnjë problem nuk e kam pas”, ka rrëfyer Hajrizi, përmes një videolidhje në T7.

Sipas tij, Faton Hajrizi që nga dita kur është arratisur, ka qenë duke qëndruar në shtete si Spanja, Austria, Italia dhe Sllovenia.

“Nuk e di unë për çfarë arsye u shku ai atje. Ai u kanë tu nejt në Spanje, Austri, Itali edhe në Slloveni”, ka deklaruar Hajrizi.

Pretendimet e Artanit, Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, i ka qujtur të rreme.

“Personi i cili i ka dokumentet në policinë tonë, Artan Hajrizi, sot në orën 11:55 ka deklaruar në policinë e Hanoverit se pardje vëllai i tij Fatoni i ka vjedhur dokumentet personale në banesën e tij në Hanover. Është një gënjeshtër klasike, sepse sipas cilës logjikë një peson nga Hanoveri kthehet ilegalisht në Preshevë dhe tenton të shkojë sërish ilegalisht në Gjermani? Kjo tregon qartë se është rënë dakord më herët dhe se është një akt i organizuar”, ka thënë Daçiq.

Ai kërkoi që policia gjermane urgjentisht duhet të përgjigjet nëse Faton Hajrizi ka qenë në Hanover dhe “si ka dalë dhe si ka përfunduar në Preshevë dhe pse, me çfarë qëllimi”.

Policia gjermane në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se nuk mund të komentojnë rastin apo nëse po zhvillohen hetime.

“Kërkoj mirëkuptimin tuaj që BKA në përgjithësi nuk komenton të dhënat personale apo hetimet apo pyetjen nëse janë duke u zhvilluar hetime”, ka thënë një zëdhënës i Zyrës Federale të Policisë Kriminale të Gjermanisë.

Tre të arrestuar lidhur me rastin

Si të dyshuar për përfshirje në këtë rast, deri tash janë arrestuar tre persona. Personi i parë i arrestuar është Mithan Haxhiq, nga Tutini në jugperëndim të Serbisë, i cili dyshohet se e ka vozitur të dyshuarin nga Presheva në drejtim të Lloznicës me veturë me targa të Tutinit.

Një person tjetër është arrestuar në Bijeljina të Bosnje e Hercegovinës, i cili dyshohet se i organizoi transportin Hajrizit.

“Z. R. [1985] është arrestuar në Bijeljinë pasdite, në bashkëpunim me Policinë e Republikës Sërpska i cili dyshohet se ka organizuar transportin e vrasësit nga Presheva për në Lloznicë”, thuhet në një komunikatë për media.

Ndërkaq, në Mlladenoc të Serbisë është arrestuar edhe gruaja e tij, e dyshuar si bashkëpunëtore.

Mbrëmë po ashtu u raportua se Z.R., më 2019 është dënuar me 8 vjet burgim për kontrabandë të një toni kanabis. Disa media në Serbi raportuan se atij iu gjet një dokument i falsifikuar identiteti ndërsa u tha se edhe ai ka ikur nga burgu

Si ndodhi rasti?

Ngjarja ndodhi pas mesnate në Loznicë që gjenden në kufi me Bosnjën, kur policët ndaluan një taksi me targa të qytetit të Tutinit që u dukej e dyshimtë, ku ndodheshin dy burra, shoferi dhe pasagjeri.

Sipas raportimeve, Policia identifikoi pasagjerët të cilët u janë dukur të dyshimtë dhe pastaj njëri prej policëve i ka kërkuar njërit prej personave në veturë që t’ia tregojë çantën. I njëjti raportohet se ka refuzuar ta bëjë këtë dhe se ka qëlluar në drejtim të policëve, duke e lënë njërin të vrarë e tjetrin të plagosur.

Asistenti i drejtorit të Policisë në Serbi, Dragan Vasiljeviq ka vizituar policin e plagosur serb. Pas vizitës ka dhënë detaje të bisedës me të.

Vasiljeviq ka thënë se nga biseda me policin e plagosur ka kuptuar se ky i fundit ka arritur të gjuajë me armë mbi sulmuesin, por thotë se nuk e di nëse ai është i plagosur.

“Kanë parë një ‘Mercedes’ me targa të Tutinit. Ka qenë e dyshimtë, kanë ndjekur automjetin, kanë ndezur dritat. Automjeti është ndalur një kilometër e gjysmë më tutje. Policët kanë zbritur nga automjeti dhe kanë kërkuar për dokumente personale, ishte një kontroll rutinë”, tha Vasiljeviq.

Ai tregon se nuk ka pasur të shtëna menjëherë, ndërsa shoferi dhe pasagjeri kanë siguruar dokumentet e tyre personale.

Policia ka kërkuar që të zbresë një person – pasagjeri, ndërsa personi tjetër ka mbetur në automjet.

“Pasagjeri ka dalë, personi është sjellë normalisht në gjestikulacion, ka qenë i buzëqeshur, polici Iliq ka qenë në anën e majtë, në zonën e shoferit për ta mbajtur nën kontroll. Menjëherë pas fillimit të kontrollit të fytyrës janë dëgjuar të shtëna, ishte në pjesën e pasme të automjetit”, tha Vasiljeviq, shkruan RTS, transmeton Gazeta Express.

Ai thekson se sulmuesi ka qëlluar disa herë në drejtim të policit Iliq dhe e ka goditur në shpatullën e djathtë.

“Siç tha ai (Iliq) ishte shumë e vështirë, por ai arriti të gjuajë armën dhe qëlloi disa herë në sulmuesin”, tha Vasiljeviq.

Iliq tha gjithashtu se sulmuesi nuk dinte ose nuk donte të fliste gjuhën serbe.

Çka deklaruan Kurti e MPJ’ja për rastin?

Kryeministri Albin Kurti ka bërë thirrje që të mos politizohet ky rast.

“Autoritetet tona kompetente, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Punëve të Jashtme, Policia, do ta informojnë publikun për gjendjen aktuale se ku jemi dhe çfarë duhet bërë në të ardhmen. Edhe unë pres që të japin deklaratat e tyre profesionale, sepse ne besojmë se kjo çështje nuk duhet të politizohet, por të trajtohet si e tillë, nga pikëpamja e sigurisë, ligjore dhe profesionale”, ka thënë Kurti në një konferencë për media gjatë ditësh së djeshme.

Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i ndjekin udhëzimet zyrtare nga autoritetet e Kosovës

Ministria e Jashtme e Kosovës ka thënë se po ndjek nga afër zhvillimet përmes Zyrës së saj Ndërlidhëse në Beograd.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd po ndjek nga afër zhvillimet në lidhje me pretendimet e Ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq për një incident në magjistralen afër Loznicës në Serbi, ku pretendon që ka mbetur i vrarë një polic serb dhe i përfshirë në këtë rast sipas tij është një shtetas i Republikës së Kosovës.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të mbajë të informuar opinionin publik për këtë rast dhe apelon te mërgimtarët dhe qytetarët e Kosovës që të rrisin kujdesin gjatë kalimit nëpër Serbi dhe sipas vlerësimit të situatës të shmangin lëvizjen përmes territorit serb”, thuhet në reagimin e MPJ’së.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here