Nuk dihet kush i dha më shumë shtetit të Turqisë, Sami Frashëri apo i biri i tij Aliu, i cili sot çmohet si legjendë e sportit në Turqi. Ali Sami Yen, ishte djali i Sami Frashërti, njërit prej figurave më të rëndësishme të letërsisë shqipe dhe asaj turke. Pas miratimit të ligjit turk mbi mbiemrat familjarë në vitin 1934, Aliu mori mbiemrin “Yen”, që në gjuhën turke do të thotë “fitore”.
Ai ishte themeluesi i klubit të futbollit, Galatasaray në vitin 1905, po ashtu ishte presidenti i parë që e mbajti këtë pozitë për 13 vjet, nga viti 1905 deri në 1918.
Në ato kohë, futbolli brenda Turqisë ishte ende një koncept i huaj. Loja arriti në Stamboll rreth fundit të shekullit 20, kur Turqia ishte Perandoria Osmane.
Shumë përpjekje u bënë për të parandaluar vendasit të merreshin me këtë sport. Deri në vitin 1904 kur u themelua Lidhja e Futbollit të Kostandinopojës, kjo ishte vetëm për ekipet e emigrantëve, me lojtarët turq që kishin të ndaluar të luanin futboll.
Duke qenë dëshmitar i sportit që po luhej nga britanikët, Ali Frashërit i lindi ideja e organizimit të shkollës, për të krijuar një ekip futbolli. Fillimisht vuri secilën klasë në një anë në formë provash, përpara se të zgjidhte lojtarët më të mirë, në atë që sot është klubi më i vjetër i futbollit turk.
Deklarata themeluese ishte e thjeshtë: “Të luajmë së bashku si anglezë, të kemi një ngjyrë dhe një emër dhe t’i mundim skuadrat e tjera jo-turke.” Me këtë deklaratë ai u referohej grekëve dhe armenëve – ishin ata që përbënin skuadrat “jo-turke”.
Ndërsa në fillim ngjyrat zyrtare ishin e kuqja dhe e bardha,, të frymëzuara nga flamuri turk, për të kaluar më pas te e kuqja dhe e verdha, të cilat mendohet se u zgjodhën për të treguar zjarrin, duke menduar se ai do t’i drejtonte ka fitorja.
Nën udhëheqjen e Yenit, klubi fitoi shumë trofe. Ishte skuadra më e fortë dhe më e organizuar në Turqi.
Angazhimi dhe puna e tij në sport e bëri atë të njohur dhe të respektuar në mbarë Turqinë, prandaj nga vitet 1926-1931 ishte edhe Kryetar i Komitetit Olimpik të Turqisë. Stadiumi i këtij klubi i cili gjendet në Seyrantepe të Stambollit ka një kapacitet prej 52 mijë ulëse, ende mban emrin e tij që prej vitit 1946. Ali Sami Yen ndërroi jetë më 29 korrik 1951.
Nga Qëndresa Sokoli, albanianpost