Kurti – Rama nuk u takuan, por ‘selame’ i dërguan njëri tjetrit nga larg

Vizita e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Kosovë, dhe fakti që nuk u takua me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, është përcjellur me shumë reagime.

Nga Qeveria e Kosovës kanë deklaruar, duket me ironi, se Rama e ka parë të arsyeshme të takohet me ata që dëshiron t’i rregullojë raportet.

“Në bazë agjendës së deritanishme, duket që në Prishtinë, Kryeministri i Shqipërisë, Rama, po i takon ata me të cilët konsideron që ka nevojë t’i rregullojë raportet”, thuhet në reagim.

Ata konfirmojnë se nga ana e Kurtit ka pasur një ftesë që Rama të marrë pjesë në aktivitetet që shënojnë 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës më 12 qershor, por si përgjigje kanë marrë një refuzim.

“Në anën tjetër, Kryeministri Kurti, Zyra e tij, e ka ftuar Kryeministrin Rama në aktivitetet që shënojnë 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës më 12 qershor. Kryeministri Rama, përkatësisht Zyra e tij, na ka njoftuar që nuk do të mund të jetë i pranishëm me 12 qershor. Ai është i mirëseardhur që t’i bashkëngjitet aktiviteteve të agjendës shtetërore. Urojmë që vjen në Manifestimin e 146-të vjetorit të Lidhjes së Prizren, sepse Lidhja e Prizrenit nuk është vetëm e Kosovës”, thuhet në reagimin e zëdhënësit të qeverisë së Kurtit.

E, Rama kur u pyet për “vëllain e vogël” që i thoshte Kurtit, ai u përgjigj me ironi.

“Vëllain e vogël e kam në Tiranë, është kryetar i Klubit ‘Partizani’. Me bëtë pyetjen me shpresën që do të me fusni në kurth, por jam mësuar më këto”, tha Rama.

Megjithatë, duket se raportet Kurti-Rama kanë arritur pikun më të ulët. Kjo pasi tash e një kohë, ata as nuk po takohen.

Gjithçka nisi nga anulimi i mbledhjes së dy qeverive pas tensioneve në veri. Kurti deklaroi vazhdimisht se nuk do të takohet me Ramën pa u mbajtur mbledhja.

“I kërkova të mbajmë mbledhjen e qeverisë që u anulua. Do rrijë 2 ditë dhe 1 natë në Prishtinë në kuadër të Procesit të Berlinit. I kërkova të bënim mbledhje qeverie për të firmosur marrëveshjet. Nuk e takoj nëse nuk do jetë mbledhje e përbashkët e qeverive që u anulua”, kishte thënë Kurti.

Kurti nuk u takua me Ramën as në Tiranë.

“Para një jave Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është ftuar nga Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama për një drekë joformale me Komisionerin Evropian Oliver Varhelyi në Tiranë e ku janë ftuar të marrin pjesë edhe kryeministrat e tjerë të Ballkanit Perëndimor. Kryeministri Kurti e ka njoftuar Kryeministrin Rama që nuk do të mund të shkojë kësaj radhe meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë e ku paneli për Ballkanin Perëndimor është saktësisht në ditën e njëjtë e në kohën e njëjtë”, kishte shkruar Përparim Kryeziu, zëdhënës i qeverisë.

Edhe Rama kur erdhi në Kosovë muaj më parë, nuk e takoi Kurtin gjatë një turi ballkanik që kishte nisur kohë më parë.

Ditën e sotme, Rama tha se nuk do të ketë mbledhje të përbashkët.
“Nuk ka plan për një mbledhje të dy qeverive asaj të Shqipërisë dhe Kosovës”, tha Rama.

Në qershor të vitit të kaluar ishte menduar të mbahej një mbledhje e tillë në Gjakovë, por kishte dështuar. Kurti kishte thënë se anulimi ka ndodhur nga homologu Edi Rama, dhe sipas tij, një gjë e tillë është e paarsyeshme.

Për mostakimin e Kurtit me Ramën, ka reaguar edhe kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli.
Ai ka thënë se është i shqetësuar që dikush në Kosovë po tenton të denigroi figurën e Edi Ramës.

“Kryeministër Rama, Kosova dinjitoze i di vlerat e tua”, ka shkruar ndër të tjera Pacolli./Periskopi

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here