Poeti Lulzim Tafa nderohet në Ditën Ndërkombëtare të Frymëzimit në Tel Aviv të Izraelit

Në Ditën Ndërkombëtare të Frymëzimit të mbajtur në Tel Aviv të Izraelit, poeti kosovar me famë botërore, Lulzim Tafa, u nderua për kontributin e tij të rëndësishëm për paqen dhe humanizmin përmes veprës së tij letrare.

Kjo ngjarje, e cila mblodhi së bashku figura të shquara nga komuniteti botëror i artit dhe kulturës, vlerësoi ndikimin e thellë të Tafës në botën e poezisë dhe përkushtimin e tij për kauzat humanitare.

Njëri nga organizatorët e Ditës Ndërkombëtare të Frymëzimit në Tel Aviv, në fjalën e tij e çmoi punën e poetit Lulzim Tafa, duke vënë në dukje lidhjet e thella që ai ka krijuar me poetët izraelitë.

“I nderuar profesor Lulzim Tafa, sot po zhvillojmë një aktivitet të rëndësishëm të poezisë nën titullin Dita Ndërkombëtare e Frymëzimit dhe kemi nderin të përfshijmë poezinë tuaj në të, pas lidhjeve që janë krijuar mes jush dhe poetëve izraelitë që vlerësojnë shumë poezinë e juaj dhe aktivitetet tuaja humanitare”, tha në fjalën e tij njëri ndër organizatorët e kësaj ngjarjeje.

Ai përmendi rolin e dyfishtë të Tafës si një poet i dalluar dhe një humanist të përkushtuar.

Në fjalën e tij, para të pranishmëve në këtë ngjarje, ai lexoi edhe një nga poezitë e Lulzim Tafës, “I fuqishmi”, të përkthyer në hebraisht.

Lidhur me këtë ngjarje, poeti Lulzim Tafa, shprehu mirënjohjen dhe krenarinë për nderin që iu bë nga komuniteti i artit dhe kulturës në Tel Aviv.

Ai, përmes një postimi në facebook, tha se u ndje i nderuar që në sallën e mbushur përplot me figura eminente botërore të artit dhe kulturës, emri i tij dhe i Kosovës u lartësua në këtë nivel.

“Një nderim i madh qenka bërë për mua dhe poezinë time, në ditën ndërkombëtare të inspirimit, në Tel Aviv. U ndjeva i nderuar që në sallën e mbushur përplot me figura eminente botërore të artit dhe kulturës, emri im dhe i Kosovës u lartësua në këtë nivel”, shkroi poeti Tafa.

Lulzim Tafa është njëri ndër poetët e spikatur jo vetëm në Kosovë por edhe në skenën ndërkombëtare. Ai ka shërbyer për vite si profesor në fushën e drejtësise dhe si rektor në Kolegjin AAB, një nga institucionet më të mëdha arsimore jo publike në rajon.

Arritjet letrare të Tafës janë të njohura në mbarë botën. Në fund të vitit 2023, Lulzim Tafa është nderuar me titullin “Oficer i Urdhrit Kombëtar të Letrave dhe Arteve” nga shteti francez, çmimi më i lartë në fushën e artit dhe letërsisë, i dhënë nga Franca. Këtë titull prestigjioz ia ka dhënë ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guérot, në emër të presidentit Emmanuel Macron.

Poezia e Tafës, e njohur për temat e saj të thella dhe rrezonimin emocional, është përkthyer në shumë gjuhë, duke përfshirë frëngjishten, anglishten, gjermanishten, hebraishten, italishten, serbishten, kroatishten, malazezishten, boshnjakishten, rumanishten, arabishten, greqishten, turqishten dhe suedishten. /atvlive.tv

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here