Mustafa: Ndërkombëtarët s’po e kërkojnë Asociacionin tim e të Thaçit, por Zajedincën e Kurtit

Ish-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se bashkësia ndërkombëtare po kërkon nga Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Albin Kurti, që në Gjykatën Kushtetuese ta dërgojë draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i cili derivon nga Marrëveshja Bazë (Bruksel më 27 shkurt, Ohër më 18 mars 2023), dhe jo atë që ai e ka nënshkruar në 2015, apo ish-kryeministri tjetër Hashim Thaçi, në 2013.

Këto komente, Mustafa i ka bërë në një prononcim për “Albanian Post”, duke iu përgjigjur kështu akuzave të kryeministrit Kurti se po i kërkohet ta bëjë Asociacioni në bazë të marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015.

“Ndërkombëtarët tani po e kërkojnë Asociacionin sipas marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit të Kurtit të vitit 2023 që në fakt emërtohet si Asociacion, por është autonomi politike territoriale në komunat ku serbët janë shumicë. Prandaj, s’ka asgjë të përbashkët me atë të vitit 2013 dhe dokumentin e vitit 2015”, thotë Mustafa për AP.

Sa i përket propozimit të qeverisë për ta shkruar dhe për ta dërguar një draft-statut të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të muajit maj, ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), vlerëson se dërgimi i një drafti të tillë në Kushtetuese që nuk është i dakorduar në procesin e dialogut, përveç që “paradoksal” është, sipas tij, edhe “joserioz”.

Mustafa, ndër të tjera, argumenton se në Kushtetuese mund të përcillen vetëm dokumente të aprovuara paraprakisht nga Qeveria, e cila fillimisht duhet të jetë e derivuar “nga një pajtim i palëve në proces të dialogut”.

Ndërsa, sa i përket transformimit të kryeministrit Kurti, nga kundërshtuesi më i madh te i pari që propozon të dërgojë draft-statut për Asociacion në Kushtetuese, sipas tij, flet “qartë për karakterin mashtrues dhe të rrezikshëm të qeverisë”.

“LVV e ka kundërshtuar me dhunë ta paparë ‘Zajednicën’ dhe tani po e ofron autonominë serbe si Zajednicë (Bashkësi serbe) flet qartë për karakterin mashtrues dhe të rrezikshëm të qeverisë e cila iu është shitur qytetarëve si qeveri e shpresës”.

Ndryshe, Kosova ka dështuar që të futet në agjendën e ministerialit të Këshillit të Evropës – i cili shënoi 75-vjetorin e themelimit të organizatës më të rëndësishme për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në kontinentin evropian – për t’u shqyrtuar anëtarësimi i saj në këtë organizatë.

Kjo për shkak se vendet anëtare, posaçërisht ato kryesore si Franca e Gjermania kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese draftin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, të cilën ekzekutivi ka refuzuar ta bëjë.

Në vend të kësaj, Qeveria, përmes Ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, i ka dërguar të martën një letër Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ku janë zotuar se do ta shkruajnë një draft për Asociacionin dhe të njëjtën do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Mirëpo, ky propozim u hodh poshtë nga vendet më të fuqishme të Bashkimit Evropian, konkretisht Franca, Gjermania dhe Italia, të cilën e publikoi ekskluzivisht “Albanian Post”.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here