Presidenti i Ballkanit, Arsim Kabashi, në një intervistë në emisionin A PLAY në ATV, foli për shumën e mjeteve që klubi ka fituar nga garat evropiane.
Ai tha se kanë fituar diku rreth 8 milionë euro, të cilat janë shpenzuar këto dy vitet e fundit.
Kabashi tha se edhe në katër vitet e para, para se të shpallen kampion, në klub janë shpenzuar mbi 7 milionë euro.
“Unë po i shoh mediat dhe gazetarët që po i llogaritin vetëm fitimet. Ballkani i mori 8 milionë, 10 milionë, edhe shyqyr Zotit mirë ka shku, i kemi marrë, por ne kemi shpenzu shumë katër vitet e para se të shpallemi kampion. Opinioni e di, ndoshta për herë të parë po e them që ne kemi harxhuar mbi 7 milionë euro pa dalë kampion, edhe kemi dalë kampion dy vitet e fundit, kemi marrë pjesë në garat e Evropës, i kemi marrë diku rreth 8 milionë, jo 10 e 12 qysh flitet, por rreth 8 milionë janë harxhu këto dy vite. 2.5 milionë e kemi buxhetin vjetor. Shpenzimet e tjera me premia, sepse premia shumë të mëdha kanë lojtarët, normal se e meritojnë edhe luajnë për bonuse e për premia sepse ata janë akteri kryesor që i kemi fituar këto mjete, kanë përfitime të mëdha, por ato 4 milionë për një vit dhe 4 tjera për një vit, janë shpenzu për dy vite”, tha Kabashi.
Ai tha se janë shumë para të shpenzuara në klub, të cilat nuk pret se do t’i kthehen ndonjëherë, për shkak se siç thotë ai, synimi i tij nuk ëhstë për të përfituar financiarisht nga klubi.
“Ende janë shumë para të shpenzuara që nuk janë kthyer edhe ndoshta nuk pres për me u kthy asnjëherë, sepse unë e di që në futboll është zor me u kthy mjetet, por interesi dhe vullneri i jem është që me ecë me këto ritme dhe gjithmonë e kam thënë se nuk kam asnjëherë synim me i nxjerr shpenzimet ose me përfitu prej klubit. Përfitimi më i madh prej klubit është motivimi, vullneti dhe pjesëmarrja e Kosovës në garat e Evropës”, tha Kabashi. /atvlive.tv
Intervistën e tij të plotë në A PLAY e gjeni në videon më poshtë: