Dy boksierë japonezë humbin jetën nga lëndimet në tru pas ndeshjes në të njëjtën mbrëmje sportive

Dy boksierë profesionistë japonezë kanë humbur jetën në rrethana tragjike, pasi u lënduan rëndë gjatë të njëjtës mbrëmje sportive në Korakuen Hall të Tokios në Japoni.

Sipas talkSPORT, të dy sportistët u operuan për gjakderdhje në tru pas dueleve të zhvilluara javën e kaluar, por nuk arritën të mbijetojnë, transmeton Korrespodenti.

Shigetoshi Kotari, i cili barazoi me kundërshtarin Yamato Hato, ndërroi jetë më 8 gusht, ndërsa Hiromasa Urakawa vdiq një ditë më vonë, më 9 gusht, pasi u nokautua nga Yoji Sato në duelin për titullin e Federatës Orientale dhe Paqësore të Boksit (OPBF) në kategorinë super-pendë.

Shigetoshi Kotari
Hiromasa Urakawa

Pas kësaj ngjarjeje tragjike, ka reaguar edhe presidenti i Këshillit Botëror të Boksit (WBC), Mauricio Sulaiman, duke shprehur keqardhje të thellë.

“Kjo humbje na detyron të vazhdojmë kërkimet për ta bërë boksin më të sigurt dhe për të zbatuar programe parandaluese. Ngushëllime të sinqerta për familjet dhe komunitetin e boksit në Japoni”, ka thënë Sulaiman.

Edhe Organizata Botërore e Boksit (WBO) shprehu dhimbjen për humbjen e dy sportistëve, duke theksuar se lajmi për vdekjen e Hiromasa Urakaw-ës vjen vetëm pak ditë pas humbjes së Shigetoshi Kotarit.

“Ngushëllimet tona më të thella për familjet, miqtë dhe komunitetin japonez të boksit në këtë kohë jashtëzakonisht të vështirë,” thuhet në deklaratën e WBO-së.

Si pasojë e kësaj tragjedie të dyfishtë, nga Komisionati Japonez i Boksit kanë vendosur që ndeshjet për titull të reduktohen nga 12 në 10 raunde.

Këto ngjarje vijnë disa muaj pas vdekjes së boksierit irlandez John Cooney, 28 vjeç, i cili humbi jetën në shkurt nga një hemorragji intracraniale pas përplasjes me Nathan Howells në Ulster Hall të Belfastit. /Korrespodenti

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME