Djali i tyre shënoi golin në minutën e 97, përballë Dritës, prindërit e Nazmi Gripshit i kaplon emocioni: Jemi në qiellin e shtatë

Stadiumi ishte i mbushur plot, madje disa shfrytëzuan edhe ballkonet e banesave në Suharekë për të parë derbin më të madh në vend: Ballkani kundër Dritës.

Krahas “Xhebrailave” dhe intelektualëve, stadiumin e mbushën me praninë e tyre edhe shumë familje, duke ndjekur nga afër derbin e Superligës së Albi Mall me fëmijët e tyre.

Në fushë, rivaliteti ishte i jashtëzakonshëm, ku të dyja skuadrat luanin për fitore. Megjithatë, ndeshja përfundoi pa fitues, por u shënuan 4 gola.

Në pjesën e parë rastin më të mirë e pati Drita, e cila shënoi në minutën e 7-të me anë të Blerim Krasniqit, por pas rishikimit të VARIT nga gjyqtari Dardan Qaka, goli u anulua. Kështu, pjesa e parë u mbyll pa gola.

Pjesa e dytë ishte shumë më dinamike dhe prodhoi gjithçka që mund të ofronte një ndeshje futbolli.

Mysafirët kaluan në avantazh me golin e Blerim Krasniqit në minutën e 50-të, duke elektrizuar intelektualët në stadium. Mirëpo, avantazhi i klubit nga Anamorava zgjati vetëm 4 minuta teksa barazoi mbrojtësi Gentrit Halili, gol që ngriti në këmbë gjithë stadiumin e Suharekës.

Kampionët në fuqi patën raste pas golit të barazimit, por nuk arritën të shënonin golin e dytë.

Ishte minuta e 89-të kur Ensar Huruglica i Dritës bombardon portën me një goditje fantastike, duke mposhtur portierin Enea Koliqi, gol që “çmendi” intelektualët.

Pavarësisht ishin minutat shtesë, lojtarët e trajnerit Ilir Daja nuk u dorëzuan dhe në minutën e 96-të Nazmi Gripshi shënoi golin e barazimit, duke gëzuar shumë shikuesit në stadium. Megjithatë, më të lumturit ishin prindërit e Nazmi Gripshit, të cilët kishin ardhur nga Shqipëria për të parë djalin e tyre. (Ndiqeni videon më poshtë)

Kujtojmë se pas këtij barazimi, Ballkani mbetet lider me 60 pikë, dy më shumë se Drita, e cila është e dyta.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here