Këngëtari dhe artisti Kastro Zizo ka ndarë një rrëfim tronditës mbi marrëdhënien me vajzën e tij dhe betejën ligjore për të qenë pranë saj, pasi i është mohuar kontakti për më shumë se një dekadë.
Në një deklaratë televizive, Zizo zbulon se vajza e tij, tashmë 13 vjeçe, është në spektrin autik, një fakt që ai e ka mësuar vetëm pas shumë vitesh shkëputjeje të detyruar. Artisti pohon se për rreth 10 vite nuk i është lejuar të ketë asnjë kontakt me të bijën, e cila është rritur në kushte që ai i cilëson “të tmerrshme”.
“Vajza nuk është si fëmijët e tjerë. Është në spektrin autik, vjen si pasojë e një historiku të gjatë, pak të errët, ku ka jetuar, te nëna e saj,” – shprehet Kastro.
Ai shton se është në një proces ligjor për të rregulluar marrëdhënien me vajzën, dhe se kjo betejë është më shumë sesa një çështje prindërore, është një përballje me padrejtësinë.
“Unë mund të flas me orë të tëra për të… Në një moment kur nuk të është lejuar të shohësh vajzën për 10 vite, mëson se është autike. Mua më është ndërprerë çdo kontakt. Mesa duket kanë menduar se nuk isha i denjë, kanë tentuar të rrisin jo një qenie njerëzore, nuk kanë ditur të rrisin një fëmijë.”
Ai rrëfen gjithashtu se ka udhëtuar vetë drejt Prishtinës për të mësuar mbi situatën e vajzës, pas informacioneve nga shërbimet sociale.