Studimet e viteve të fundit kanë zbuluar se burrat duhet të shmangin alkoolin për të paktën tre muaj përpara se të përpiqen të bëhen prindër, në mënyrë që të përmirësojnë cilësinë e spermës, të rrisin shanset për fertilitet dhe të ulin rrezikun e defekteve të lindjes apo problemeve shëndetësore te fëmijët. Kjo periudhë prej tre muajsh përkon me ciklin biologjik të prodhimit të spermës, që zgjat rreth 70 deri në 90 ditë, dhe lejon që organizmi të gjenerojë qeliza të reja, të padëmtuara nga ndikimi i alkoolit.
Shkencëtarët kanë vërtetuar se konsumimi i alkoolit, edhe në sasi të moderuara, ndikon negativisht në prodhimin dhe shëndetin e spermës. Burrat që konsumojnë më shumë se pesë pije alkoolike në javë kanë treguar në analiza shkencore një numër dhe përqendrim më të ulët të spermës, si dhe më shumë dëmtime në ADN-në e qelizave riprodhuese.
Alkooli dobëson aftësinë e spermës për t’u lëvizur drejt vezës dhe për ta fekonduar atë, ndërsa në rastet e konsumit të rëndë kronik shkakton edhe deformime të spermës, të njohura si morfologji jonormale, që ulin ndjeshëm mundësinë e fekondimit.
Përveç dëmtimeve fizike, alkooli ndikon në nivelin gjenetik duke shkaktuar stres oksidativ dhe ndryshime në metilimin e ADN-së së spermës, një proces që mund të ndryshojë mënyrën se si shprehen gjenet tek embrioni që formohet. Këto ndryshime epigjenetike janë një nga shpjegimet më të reja përse zakonet e babait para konceptimit mund të ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin e fëmijës.
Një analizë e publikuar në revistën Andrology (PMID: 35010587) tregon se ekspozimi i burrave ndaj alkoolit para fekondimit lidhet me një rrezik më të lartë për defekte kongjenitale, veçanërisht për defekte të zemrës tek foshnjat.
Këto gjetje janë mbështetur edhe nga studime të tjera ndërkombëtare, përfshirë ato të publikuara në JAMA Pediatrics, të cilat kanë vënë re se baballarët që pinë alkool në muajt para konceptimit kanë një probabilitet më të lartë për të pasur fëmijë me probleme të zhvillimit embrional dhe me defekte strukturore të organeve.
Kërcënimi është edhe më i madh për ata që konsumojnë sasi të mëdha në periudha të shkurtra, të njohura si “binge drinking”. Studime të reja kanë gjetur gjithashtu se konsumimi i alkoolit nga baballarët mund të rrisë rrezikun e abortit gjatë trajtimeve IVF dhe të ndikojë negativisht në cilësinë e embrioneve të krijuara në laborator.
Një pjesë e kërkimeve më të fundit ka sugjeruar madje se përdorimi i alkoolit nga babai përpara konceptimit mund të ndikojë në rritjen e rrezikut për çrregullime të sjelljes tek fëmijët, përfshirë ankthin, vështirësitë në gjumë dhe sjelljet e shkeljes së rregullave.
Edhe pse për shumë vite efektet e alkoolit në zhvillimin e fetusit i janë atribuar vetëm konsumit të nënës gjatë shtatzënisë, sot shkenca po njeh gjithnjë e më shumë rolin e babait në përcaktimin e shëndetit të brezit të ardhshëm.
Hulumtimet mbi ndikimin epigjenetik të alkoolit në spermë po tregojnë se dëmet e shkaktuara nga pirja e tepërt nuk kufizohen vetëm te cilësia e spermës, por mund të ndikojnë në mënyrën se si formohen organet dhe truri i fëmijës.
Për këtë arsye, ekspertët e fertilitetit dhe mjekët obstetër rekomandojnë që burrat që planifikojnë të bëhen prindër të shmangin plotësisht alkoolin të paktën tre muaj përpara se të përpiqen për shtatzëni, si dhe të ruajnë një stil jetese të shëndetshëm, që përfshin ushqyerje të ekuilibruar, aktivitet fizik dhe shmangie të duhanit.
Kjo periudhë abstinence konsiderohet thelbësore për të garantuar cilësinë më të mirë të spermës dhe për të ulur rreziqet e trashëgueshme që mund të ndikojnë në shëndetin e fëmijëve në të ardhmen./Korrespodenti