Hidrogjeni i sulfurit, i njohur si gazi që i jep erën e pakëndshme “fartit”, po del të mos jetë vetëm një prishës i atmosferës, por edhe një aleat i fshehur i trupit të njeriut. Studimet shkencore kanë zbuluar se ky gaz, në sasi të vogla, ndihmon në mbajtjen e enëve të gjakut elastike, ul presionin e gjakut, përmirëson qarkullimin dhe mbron qelizat nga plakja e parakohshme duke reduktuar stresin oksidativ.
Kjo do të thotë se, ndonëse në sasi të mëdha është helmues dhe i rrezikshëm, në doza mikroskopike që prodhohen natyrshëm nga trupi ose mikrobet e zorrëve, H₂S shërben si një “ilaç i brendshëm” për shëndetin kardiovaskular.
Efektet e tij janë vërejtur në eksperimente me kafshë ku gazi ka ulur dëmtimet e zemrës pas sulmit kardiak, ka frenuar inflamacionin dhe ka ruajtur funksionin e mitokondrive centraleve të energjisë së qelizës. Shkencëtarët po hetojnë nëse të njëjtat efekte mund të përkthehen edhe te njerëzit, duke e kthyer këtë gaz me reputacion të keq në një armë të re kundër sëmundjeve të zemrës dhe dëmtimeve të veshkave.
Megjithatë, provat klinike ende mungojnë dhe gjithçka mbetet në fazën e kërkimeve laboratorike.
Ekspertët theksojnë se gjithçka varet nga doza: një sasi e vogël mund të jetë shpëtimtare, ndërsa një nivel i lartë është vdekjeprurës.
Për këtë arsye, laboratorët në mbarë botën po punojnë për ilaçe që çlirojnë H₂S në mënyrë të kontrolluar dhe të sigurt, duke shpresuar që në të ardhmen një gaz i neveritshëm për hundën të shndërrohet në shpëtimtar për zemrën dhe enët e gjakut. Nga një substancë që lidhet me erën e keqe, mund të lindë një epokë e re e mjekësisë parandaluese./Korrespodenti