Shfaqjet që prekin dramat ballkanike shpërblehen në Festivalin e Prishtinës

Shfaqja që ka për kryepersonazh boksierin Muhammad Ali ka fituar çmimin kryesor të edicionit të tetë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove në Prishtinë, atë për shfaqjen më të mirë. “Muhammad Ali, one and only” me autor Almir Imshireviq, nën regji të Dino Mustafiq, ka ardhur në Prishtinë me dramaturgji të Vedrana Bozhinoviq.

Në vitin 1971, në Ditën e Grave në New York zhvillohet ndeshja e shekullit, një luftë midis Muhammad Ali dhe Joe Frazier. Është një natë e thellë dhe e zezë në Jugosllavi, por Sulejman Imshireviq është zgjuar. Me një pije dhe një çaj, në shoqërinë e miqve, ai ulet para një ekrani bardhezi.

“Në janar të vitit 1992, vetëm disa muaj para fillimit të luftës në Bosnjë-Hercegovinë, Muhamed Ali festoi ditëlindjen e tij të 50-të. Sot jam 53 vjeç. Kaq kishte babai im kur vdiq. Ndonjëherë shikoj një video të asaj ndeshjeje të shekullit dhe jam gjithnjë e më e sigurt se humbja e parë e Aliut preku nënën time, shkaktoi lindjen time të parakohshme dhe më la herë pas here, në fytyrën hipokrite të kundërshtarëve të padukshëm, të bërtisnin – Cili është emri im? Kjo dramë është ajo thirrje, një pyetje që as nuk pret një përgjigje. Duhet thënë gjatë dhe qetë, siç thuhen lutjet”, shkruhet në përshkrimin e shfaqjes “Muhammad Ali, one and only”, e cila e ka hapur PITF-in më 20 maj.

Shfaqja vjen në kohë luftërash dhe rrëfimi në të ka qenë dedikim për një popull që po e përjeton këtë luftë.

“Është viti 2024, dhe jo shumë larg nesh, aty mes lumit dhe detit, gjithçka ndodhi përsëri. Vetëm emri i babait është Wael Al-Dahdouh, dhe emri i djalit është Hamza. Nuk e di nëse është e përshtatshme (se nuk mjafton që e di këtë), por këtë histori ua dedikoj atyre të dyve dhe fëmijëve të Palestinës”, shkruhet më tutje në përshkrimin e shfaqjes.

Regjisori Mustafiq nuk ka qenë i pranishëm në ceremoni për dallim nga mbrëmja e hapjes së Festivalit. Mesazhi i tij është përcjellë në formë elektronike.

“Apelojmë që vendet tona të heqin vizat. E bëjnë të vështirë bashkëpunimin artistik ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë- Hercegovinës. Është turp që këto vende kanë ende regjim vizash në Ballkanin Perëndimor. Me këto mendime dhe këtë çmim, po kthehem në vendin tim”, thuhet në mesazhin e Mustafiqit.

Çmimin e ka ndarë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai ka thënë se festivale të tilla “e bëjnë artin kulturë”.

“Vende si ky e festivale si ky, ngjarje të tilla, e bëjnë artin kulturë, andaj falënderoj përzemërsisht dhe shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë ata që kanë punuar në këtë ngjarje. Kanë filluar të më pyesin pse po shkoj në shfaqje, sepse me gjasë po shkoj shpesh, kur po u them se po shkoj për qejf nuk po më besojnë. Kështu që në edicionin e nëntë mos më dërgoni ftesë fare, sepse vij vetë”, ka thënë Kurti në skenë.

Pos çmimit kryesor, “Muhammad Ali, one and only” ka fituar edhe Çmimin për rolin më të mirë dytësor i cili është ndarë për Vedrana Bozhinoviq, e cila e ka bërë edhe dramaturgjinë e shfaqjes. Ndërsa shfaqja e drejtuar nga regjisori boshnjak Mustafiq ka marrë edhe Çmimin e Medias që i është ndarë nga anëtarja e jurisë, Ardiana Pajaziti.

“Faleminderit organizatorëve që për këto net gjatë kësaj jave kemi shijuar mbrëmje të ndryshme të teatrove nga shtete të ndryshme të rajonit. Ky festival çdoherë po merr formë dhe emrin e së cilës po e mban, Burbuqe Berisha, ajo është në paqe me këto prurje artistike”, ka thënë Pajaziti.

Aktorja më e mirë është zgjedhur Ilire Vinca për rolin e saj në shfaqjen “Babai dhe babai” me regji të Kushtrim Koliqit. Vinca ka thënë se përherë janë emocionuese vlerësimet për këtë rol të saj.

“Jam gjithmonë shumë e emocionuar kur duhet të flas për shpërblimet që marr për këtë rol. Në kohën kur e dëgjova fjalimin e Dino Mustafiqit për kohët që po jetojmë, kufijtë e vizat na ndajnë, në dhimbjen e të pagjeturve të gjithë jemi një. Këtë çmim ua dedikoj të gjitha atyre familjeve që i presin midis dhimbjes e shpresës”, ka thënë aktorja Vinca pasi ka pranuar çmimin.

Juria ka qenë në përbërje të regjisorit Fatos Berisha, aktores Amernis Nokshiqi dhe Ana Vukotiq.

Shfaqja “Babai dhe babai” ka marrë edhe Çmimin për regjinë më të mirë. Regjisori Koliqi në skenë është mjaftuar me një falënderim të shkurtër. Ndërkohë Përmendje Speciale është ndarë për shfaqjen “Bloody Moon” e Teatrit Kombëtar të Malit të Zi me autor Stefan Boshkoviq dhe regji të Ana Dordeviq.

Shfaqja ka qenë e fundit në program të Festivalit. Është shfaqur të dielën mbrëma, para ceremonisë përmbyllëse të festivalit kur edhe janë ndarë çmimet e edicionit të tetë të festivalit.

Shfaqja është e bazuar në motivet e filmit “Perfect Strangers” si version i ri i shkrimtares dhe regjisores Ana Gjorgjeviq. Shfaqja flet për tetë miq që mblidhen në darkë derisa vëzhgojnë eklipsin hënor dhe zbulojnë sekretet e tyre intime e të fshehura.

Gjatë shfaqjes zhvillohet një lojë ku pjesëmarrësit në të obligohen t’i vendosin telefonat në tavolinë. Ai që pranon një telefonatë detyrohet ta lëshojë zërin që ta dëgjojnë të gjithë të tjerët. Si pasojë prishen marrëdhëniet martesore e miqësore. Shpaloset mungesa e bashkëpunimit dhe mosgatishmëria për të respektuar e kuptuar njëri-tjetrin.

Programi sivjet ka përfshirë edhe shfaqjen gjermane “The feral womxn” nën regji të Jemima Rose Dean, e cila ka qenë shfaqje mysafire “Here, kitty kitty” e Maqedonisë së Veriut nga regjisori Filip Petrovski e ajo kroate “Embers” nën regji të Branko Ivanda.

Shfaqjet vendore janë prezantuar edhe nëpërmjet “Bretkosa” e teatrit nikoqir të ngjarjes – “Faruk Begolli”. Shfaqja qe nën regji të artistes së ndjerë Burbuqe Berisha, themelueses së Festivalit. Teatri kombëtar eksperimental “Kujtim Spahivogli” i Shqipërisë ka marrë pjesë në programin e festivalit me shfaqjen “Queens of the night club” nën regji të Lennart Boyd Schurmann dhe Klaudia Piroli. Me “Blopdy Moon” është mbyllur programi i Festivalit për sivjet.

Festivali Ndërkombëtar i Teatrove në Prishtinë është themeluar në qershor të vitit 2017. Që në edicionin e parë kishte qenë program i larmishëm me shfaqje nga Kroacia, Irani, Bullgaria, si dhe shfaqje të tjera mysafire. Më 16 tetor të atij viti ishte bërë edhe hapja zyrtare me në krye Burbuqe Berishën.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here