Rruga B në Prishtinë shndërrohet në galeri arti për “Meeting of Styles Kosova 2025”

Rruga B sonte u kthye në galeri të hapur ku mbi 100 artistë nga 29 shtete sollën ngjyra, energji dhe mesazhe që flasin me murin.

Duke filluar nga sonte, për tri ditë me radhë, Rruga B në Prishtinë kthehet në një galeri të hapur në kuadër të edicionit të 9-të të Festivalit Ndërkombëtar të Grafitit “Meeting of Styles Kosova”, një nga ngjarjet me ndikimin më të madh kulturor e social në vend që nga viti 2017.

Kryetari i Prishtinës Përparim Rama tha se kur arti del në rrugë, qyteti merr frymë ndryshe.

“Meetings of Styles e ktheu Prishtinën në pikë takimi të stilit urban, bashkëpunimit dhe kreativitetit ndërkombëtar. Krenar që Kryeqyteti është shtëpia e këtij manifestimi kaq të fuqishëm artistik dhe kulturor”, ka shkruar Rama.

Nën moton “Kauza e Zgjedhur”, festivali bashkon 100 artistë nga 29 shtete, të cilët po krijojnë murale dhe instalacione artistike që pasqyrojnë ndikimin e zgjedhjeve personale në të ardhmen kolektive. Vepra të fuqishme me mesazhe empatie, shprese dhe dashurie po transformojnë hapësirën publike në një vend takimi e reflektimi.

“Tema ‘Kauza e Zgjedhur’ na fton të shohim nga brenda jashtë, të ndërtojmë mbi empatinë dhe të kontribuojmë për një të ardhme më humane për të gjithë. Përmes artit, bashkëpunimit dhe dashurisë për jetën, e bëjmë këtë të mundur”, theksojnë organizatorët nga Q’art – Qendra për Zhvillimin e Artit.

Më poshtë u sjellim fotot e realizuara nga fotografi i Telegrafit, Korab Basha.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME