“Isa Buletini, që në Londër i thonin “Robin Hudi” i Ballkanit, ishte një gjeneral i lindur, një burrë i paarsimuar, me një famë të madhe e të saktë për trimëri dhe zgjuarsi. Bëmat e tij ishin kthyer në legjenda, ndërsa mënyrat si u kishte shpëtuar serbëve dhe turqve ishin tashmë fabula.”
Pjesa e Tretë
Vijon nga Pjesa e Parë dhe Pjesa e Dytë
pati një fare pakënaqësie ndaj Ipekut. Riza Beu i Gjakovës, Isai i Mitrovicës dhe shqiptarët e Prizrenit , që të gjithë u zemëruan dhe kur të mbarojë afati i besës mund të ketë luftime. Ndërkohë “Shpata e besës”, mbase për patriotizëm, mbase për të rifituar favoret e humbura, kishte shkuar në kufi dhe kishte luftuar malazezët.
Takova bashkë me konsullin austriak dhe atë rus. Nuk para ishin shumë miqësorë me njëri tjetrin, megjithëse me mua u sollën mirë. Kur mbetëm vetëm , rusi më tha që aneksimi austriak i Sanxhakut mund të jetë një casus belli. Më tha që i ishte kërcënuar jeta. Pasdite shkova në fabrikën e Nexhip Bej Dragës ku pashë të vëllain dhe shumë të tjerë. Të gjithë mendonin se Komiteti ishte mundur, por ata nuk e donin autonominë. Liria vlen më shumë se independenca. Nuk kishte dyshim që Komiteti i Unitetit dhe Përparimit kishte bërë një mish-mash të tmerrshëm të çështjes shqiptare po ashtu edhe gjeneralët e tij. Këta njerëz duhen trajtuar dhe të keshë çfarë t’u thuash.
Takova Xhavit Pashën që u tregua mjaft miqësor duke më vënë edhe një dhomë në dispozicion. Në të vërtetë si natyrë nuk ishte edhe aq komunikues. I tregova çfarë kishte ndodhur në Sienicë. Qëndrimi I tij ishte, pa mëdyshje i vështirë për t’u shprehur në pozitën që mbante, që shqiptarët i kishin luftuar turqit deri sa ishte krijuar amullia dhe ishte turbullira malazeze që e bënte përgjegjëse për të ashtuquajturën paqe ekzistuese mes turqve dhe shqiptarëve sot. Bile dhe tani shqiptarët kishin kthyer prapa gjysmë deri një duzinë zyrtarësh turq nga Mitrovica një ditë më parë. Gjeneralit i thashë që Isa Buletini kishte telegrafuar lidhur me mua në Sienicë dhe që i isha mjaft mirënjohës për këtë gjë, për të cilën u shpreh pozitivisht për mirësjellje.
Pikat më kryesore që kërkonin shqiptarët ishin: Të kishin shkollat e tyre kudo që dëshironin dhe në to të mësohej shqipja, zyrtarët të njihnin gjuhën shqipe, fesë t’i kushtohej më shumë vëmendje, armët të mbaheshin nga të tërë, kristianë apo muhamedanë qofshin
Gjykoj se kushti i Mitrovicës është shumë i rëndë dhe i rrezikshëm për kristianët, duke ia kaluar të gjithëve luftën; por pjesa e mirë myslimane janë të ndershëm vetë dhe të respektueshëm, kështu që do të bënin më të mirën e mundshme. Ata thonin se Mehmet Pasha do të rizgjidhej, ndërsa Amiri i Akovës jo. Mes shqiptarëve qarkullonin opinione nga më të ndryshmet, që ia kalonin grindjeve. Të gjithë ishin në ankth se si do të mund të kapërcehej kjo situatë jashtëzakonisht e vështirë, plot pasiguri dhe rreziqe për të gjithë. Ata mendonin se qeveria turke do t’i pranonte kërkesat e tyre. Aty u takova edhe me Don Nikola Mazarek, prifti më i këndshëm austriak që kam njohur. Vrasjet e ndodhura në hapsirën nga këtu deri në Ipek janë të këqija dhe të llojit mjaft brutal. Më vonë shkova për të darkuar me austriakët. Në mes të darkës mora një mesazh misterioz se Isa Buletini po më priste jashtë qytetit. Gjykova se ishte e panevojshme ta mbaja këtë si sekretin e Policinelës. Austriakët e dinin se çfarë kishte bërë vaki në Sienicë dhe sigurisht do të mësonin për takimin tim me Isën, kështu që u thashë të vërtetën se do të shkoja që ta falënderoja dhe u largova. Ishte një natë me të vërtetë e jashtëzakonshme, një qiell i pastër pa re dhe një hënë e plotë plot ndriçim. Jashtë më priste Haxhi Saliu me një llamë në dorë, mbase krejt e panevojshme. Ecëm me nxitim përmes rruginave të qytetit duke dalë jashtë tij deri tek hani ku na priste për t’u takuar Isa. Ai ishte i rrethuar nga malësorët e tij të egër shqiptarë të mbuluar me armë. Kështu ata përbënin një tablo të shkëlqyer pikture nën atë ndriçim hëne. Prita në oborr. Nja dy prej tyre erdhën drejt meje për të folur; në përgjithësi dukeshin të ftohtë, por që përbrenda zienin. Më shoqëruan lart dhe në paradhomë ishte një tjetër grup të arratisurish. Muret ishin të mbushura me armë të varura. U futa në një goxha dhomë, ku u ndodha ballë Isa Buletinit, një burrë mjaft i gjatë, plot zhdërvjelltësi, një shqiptar i vërtetë, shqiponjë, me një vështrim që s’i shpëtonte gjë, simpatik, i rreptë, me veshje gege. Njëri prej djemve të tij, më i madhi nga të nëntë, siç m’i njohu, një djalë mjaft i pashëm, qëndroi në dhomë për të përkthyer në italisht, që më tej u pa e panevojshme. Pasi i nxori të gjithë jashtë, me përjashtim të njërit, u ulëm në një divan jo të lartë pranë dritares. Fillimisht e falënderova për telegramin që kishte dërguar dhe i shpreha keqardhjen për vrasjen e kajmekamit. Lidhur me këtë u shpreh plotësisht dakord dhe i vinte keq për vështirësitë që mund të kisha hasur rrugës. Populli po kalonte situata mjaft të rënda dhe nuk duhen përjashtuar mungesa e informimit apo e veprimeve të nxituara. U deklarua se shqiptarët i duan anglezët dhe shpresonte që edhe anglezët t’i duan shqiptarët. E pyeta direkt “A e donin shqiptarët autonominë?” “Jo, tha, ata nuk e donin. Ajo që vërtet dëshironin ishte të mos përziheshin të tjerët”. “ A e doni bashkimin-vazhdova me tej- mes veriut dhe jugut?” “Dëgjo, tha, ne jemi një popull” dhe më tej vazhdoi duke thënë se bashkimi mbase nuk do të ishte në avantazh të veriut, pasi toskët, pra të jugut, janë më të arësimuar dhe të zgjuar se sa veriorët. Shqipëria dëshironte të ishte nën Sulltanin, por shqiptarët duhet të kenë armë të mbrojnë vendin e tyre, armë të cilat ua kishin marrë budallenjtë turq. Me përfundimin e besës për bajram, ai nuk dinte të thoshte dot se çfarë mund të ndodhte. Gjithçka ishte e paparashikueshme. Shqiptarët mbase do të kishin dëshiruar të luftonin italianët. (Në këtë rast kishin marrë anën e turqve). Por një gjë të tillë nuk mund ta bënin pa një flotë detare. Për t’i dhënë fund luftës ishte mjaft e vështirë, por nuk duhet harruar që zgjatja e saj çonte në shpërbërjen e Turqisë, gjë që pa dyshim përbënte një rrezik të madh për Shqipërinë. Kështu, a mos do të ishte më mirë për Shqipërinë të pranonte sa më shpejt një paqe të ndershme? Më pyeti se cili ishte interesi ynë britanik në luftën italo-turke? Ju përgjigja që interesi ynë, duke qenë fuqia më e madhe myslimane, ishte që kjo situatë të merrte fund sa më shpejt, pasi kjo rëndonte gjendjen e miqve tanë myslimanë. Gjithashtu, shpërbërja e Turqisë për ne do të thoshte, që bregdeti, fortesat dhe portet të viheshin në zotërim të vendeve jo aq miqësorë sa Turqia. Në këtë moment nën dritare u dëgjuan të shtëna. Duke qenë tepër i përqendruar tek biseda nuk u kushtova vëmendje. Isa lëvizi perden e dritares dhe vështroi përjashta në dritën e hënës. Pas këtij veprimi të tij u dëgjuan një mori të shtënash të tjera. Në moment njerëzit e tij vërshuan në dhomë dhe morën pushkët e varura në mur. U lëshuan me vrap poshtë dhe u xixëllonin sytë. Isai kërceu menjëherë në këmbë rrëmbeu pushkën dhe më tha: “Shtëpia është rrethuar nga turqit. Po shkoj jashtë të çaj rrethimin”. Ndërhyra duke i thënë “Kjo nuk ka të bëjë me mua, megjithatë po vij bashkë me ju, pasi po qe se të zënë turqit, qenia ime do të ndikojë që të mos iu vrasin”. Më tha “Jo, nuk ka nevojë, ju jeni miku im. Është në nderin tim të mos e bëni këtë. Ruani tim bir”. Isai bashkë me njerëzit e tij u derdhën jashtë. Një pjesë qëndroi bashkë me mua.
Pothuajse menjëherë u kthyen brenda. Kishte ndodhur, siç thane, një grindje e vogël me turqit dhe gjithçka ishte në rregull. E ndjeva veten të lumtur që e pashë përsëri. Ishte një gjë e mrekullueshme të shihje se si u rrethua Isa Buletini nga njerëzit e tij. Dukeshin si të ishin me sustë, aktivë dhe të shkathët si pantera. Nuk ishte fare e habitshme që ky popull ishte i pajisur me shkëlqim, sy të paqëndrueshëm, nga që një vezullim momental shpesh për ta do të thoshte vdekje.
Kjo ndërprerje e prishi mjaft bisedën që patëm nisur; nga që shtëpia nuk ishte rrethuar nga turqit dhe pas asaj që ndodhi, dukej qartë nervozizmi i tyre. Isa nisi përsëri bisedën lidhur me marrëdhëniet e shqiptarëve me turqit. Ata – duke folur për vehte – pavarësisht çfarë ndjenin për Sulltanin, frikën e kishin se çfarë do të ndodhte sikur të binin nën dominimin serb e malazez. Më kërkoi të dinte në se, pas kthimit në Angli, do të përpiqesha ta ndihmoja popullin e tij. I thashë se do të bëja me kënaqësi gjithçka , sepse e adhuroja popullin shqiptar dhe sidomos vetë atë që e doja shumë. Pastaj u përshëndoshëm me njëri tjetrin dhe u ktheva i shoqëruar nga shqiptarët deri në vendin ku na prisnin ushtarët turq. Bashkë me ta dhe Haxhi Saliun shkova në dhomën që më kishte ofruar Xhavid Pasha.
Me Ismail Qemalin dhe Isa Boletinin në Londër
Në fund të Luftës Ballkanike, kur Turqia evropiane pothuaj ishte copëtuar, në Angli filluan të vijnë refugjatë, ose më mirë të themi përfaqësues, të cilët kërkonin të bënin të njohur gjëndjen dëshpëruese që i kish pllakosur. Përfaqësuesit e Maqedonisë, e cila ishte mësuar tërë jetën me vrasje dhe brutalitet, ende kishin një besim patetik ne drejtësinë e fuqive të mëdha. Ata nuk mund ta kuptonin që bota nuk do të pranonte që të detyrohej për veprime që mund të ringjallnin rreziqe apo të shpenzonin për shërim plagësh a rindërtime. Anglia duhet të ishte gati për luftë për mbrojtjen e popullit të vet dhe realizimin e synimeve të saj dhe nuk ishte e përgatitur të rrëmbente armët për një mozaik popujsh të përzier dhe shkatërruar tashmë. Maqedonasit kërkonin mëshirë. Një gjë e tillë nuk do të ishte e arsyeshme të pritej, sepse kryeministrat dhe ministrat e thesarit nuk zgjidhen për cilësi kalorësiakë. Fuqitë e Mëdha në epshe janë kafshë, ndërsa në aspirata farisej.
Delegacioni shqiptar arriti dhe përbëhej nga përfaqësues të të tre besimeve-ortodokse grek, katolik dhe mysliman. Në krye të tij ishte Ismail Qemal Beu, nje burrë i këndshëm dhe i gjithanshëm, jeta e të cilit kishte qenë një përkundje e pasigurte dhe e gjatë. Dobësia e tij qëndronte në vetë kushtet vetjake dhe në dashurinë që tregonte për fëmijët. Në se ishte dredhues e dinak, kjo vinte nga që ishte mjaft e vështirë të silleshe i drejtë në pozitën e tij. Përballimi i mungesës së parasë e kishte detyruar të punonte gjithë jetën dhe sipas rasteve i ishte dashur të pajtonte bindje kundërshtuese me sjellje të përshtatshme, duke rënduar në dëm të së parës.
Ai ishte dishepull i Mit’hat Pashës, guvernator i përgjithshëm në Beirut, guvernator i përgjithshëm në Kretë, guvernator i emëruar në Tripoli, këshillëtar por edhe refugjat i Sulltanit, editor, anglofil, mik I Gordonit Kinez, pjellë e aventurës; ishte një njeri i lodhur e i mplakur, avokat i një vendi të shkatërruar.
Ishte një tregimtar i shkëlqyer dhe admiroja historitë që tregonte për vete e të tjerët. Një herë, pasi ia kishte mbathur, si Davidi nga Sauli në Bibël, për t’i shpëtuar zemërimit të Sulltan Abdul Hamitit, u sajua një dokument pajtimi mes tyre, ndërkohë që Ismail Beu ndodhej jashtë. Sulltani i ofroi ta bënte ekstra-ambasador për të gjitha vendet, mirëpo Ismail Qemali nuk e kishte pranuar këtë post jo të zakonshëm.
Ismail Beun e njoha kur ai ishte në moshë të thyer, pra në atë moshë që njeriu bëhet si breshkë e zgjuar dhe e dashur. Ai karakterizohej nga një liberalizëm real që nuk iu shua kurrë. Ky liberalizëm forcohej dhe më tej nga një natyrë e amballarur dhe e lodhur rrjedhojë e drejtësisë që detyrohej nga rrethanat të cilat jetonte. Ishte jo vetëm mendjehollë e dinak, por edhe mjaft i aftë. Zotëronte fuqi që të shprehte dinakërinë me një brishtësi për t’u pasur zili.
Figura të tjera të spikatura të Delegacionit shqiptar ishin monsinjor Fan Noli dhe Faik Bej Konica, që përfaqësonin Vatrën, federata e shqiptarëve të Amerikës. Vëllai i tij, Mehmet Bej Konica, tashmë ministri shqiptar në Londër, kishte qenë në Shërbimin Diplomatik turk. Zoti Filip Noga ishte katolik dhe ishte po aq i përkushtuar në muzikë sa dhe në politikë.
Figura më piktoreske e delegacionit ishte Isa Bej Buletini, Robin Hudi i Shqipërisë. Ishte një burrë i paarsimuar, me një famë të madhe e të saktë për trimëri dhe zgjuarsi. Bëmat e tij ishin kthyer në legjenda, ndërsa mënyrat që u kishte shpëtuar serbëve dhe turqve ishin tashmë fabula. Në Londër e ndjente veten të hutuar, por edhe të përmalluar, pasi nuk fliste asnjë fjalë anglisht. Ishte e detyruar të kalonte orë të tëra në shtëpinë time duke pirë kafe turke. Ime shoqe e nervozuar më telefononte vazhdimisht në Hauz of Komëns dhe kur kthehesha, për çudi, gjeja atë dhe Isain gojëkyçur, megjithatë në intervale të shkurtra shkëmbenin përshëndetje respekti.
Çështja e ndarjes së Shqipërisë ishte trajtuar gjerësisht në shtyp. Në Konaught Rums ishte thirrur një mbledhje, ishte formuar edhe një Komitet, president i të cilit isha zgjedhur unë. Të zgjedhurit e tjerë në të ishin Z.C.F. Ryder, Z.Mark Judge, Z.J.C.Paget dhe majori Paget. Ky i fundit, që kishte jetuar në Shkodër si dhe unë, ishin të vetmit që kishin një farë njohje për vendin, të tjerët ishin nxitur nga dashuria për lirinë në tërësi. Më vonë këtij Komiteti iu shtuan Zj.Durham, që i kishte kushtuar vite të tëra punës për Shqipërinë dhe që emërim i së cilës njihej mirë nga veriu në jugë të vendit, si dhe kapiteni Evan MacRury
Shqiptarët që erdhën në Londër lanë një përshtypje të shkëlqyer. Në një rast me Z.Lojd Xhorxh kaluam një drekë thjesht për t’u takuar me ta dhe pas saj unë Toni Preca i restorantit shqiptar, shërbyem si përkthyes mes Isa Beut dhe Këshilltarit të Thesarit.
“Thuaj zotërisë” më thotë Isai “se unë jam malësor, siç është edhe ai dhe e di që zemra e tij është ndjeshme ndaj atyre që vuajnë”. Ai e përfundoi fjalinë duke thënë rreptë “Thuaji që në pranverë do të plehërojmë tokat e Kosovës me kockat e serbëve, sepse ne shqiptarët kemi vuajtur shumë për të harruar”.
Mendova ta zbus disi frazën e fundit, megjithatë dukej që Z.Llojd Xhorxh ndjehej i kënaqur me malësorin e gjatë, tek i cili mendonte se kishte gjetur një shpirt të ngjashëm me veten dhe u tregua i sjellshëm me të.
Por, në atë kohë, në mbështetje të shqiptarëve nuk ishte vetëm Llojd Xhorxh (ama kurrë më vonë); kishte edhe shumë të tjerë. Shumë kohë pasi Isa ishte kthyer në veri të Shqipërisë, lexova në gazeta që ishte zënë nga serbët gjatë një lufte guerrile. I njihja mirë serbët dhe metodat e tyre të trajtimit të robërve, kështu që isha i bindur se shumë shpejt do të degjoja për nekrologjinë e tij, ndaj dhe nxitova në Forejn Ofis.
Në Forejn Ofis më shpjeguan me mjaft logjikë, që ata nuk mund të ndërmerrnin ndonjë hap, por në se unë doja të shpëtoja jetën e mikut tim, do të ishte më mirë të bindja ndonjë personalitet të shprehej në favor të çështjes së tij. Takova Lordin Kromer (Cromer) i cili u shpreh atypëraty “ç’është kjo histori? Mos është politike, apo është çështja që të ndihmoj ndonjë mik tuajin? Po qe se është miku juaj, do të përpiqem të bëj ç’është e mundur.” I shpjegova se behej fjalë për të shpëtuar një mikun tim dhe në se nuk do të bëhej një ndërhyrje në mbështetje të tij me siguri do të vdiste. Përpiluam një telegram me përmbajtjen e mëposhtme:
“Madhërisë së Tij, mbretit Pjetër të Serbisë. Në shtypin e këtushëm shkruhet që shqiptari Isa Bej Buletini është arrestuar nga trupat e Madhërisë Suaj. Isa Bej Buletini ka qenë në Londër për një kohë të konsiderueshme dhe ka fituar respektin e besimin e shumë njerëzve të shquar. Me këtë rast marr guximin t’i kërkoj Madhërisë Suaj të tregojë mëshirë, që do të vlerësohej si një gjest i lartë.- KROMER”.
Ditën tjetër, me mbërritjen e gazetave të mëngjesit, ende i tmerruar, u ngazëlleva kur lexova: “Dje në gazette shkruhej që Isa Buletini ishte zënë rob nga serbët. Por duket se e vërteta është ndryshe. Ky bandit i mirënjohur i ka shkaktuar humbje të rënda një force të bashkuar serbo-malazeze”.
Isha i lumtur të mësoja që miku im ishte ende gjallë. Ndërkohë ndjeja një farë keqardhje që e kisha nxitur Lordin Kromer të dërgonte një telegram që do ta ketë befasuar Carin Pjetër. Vonë atë ditë Lordi Kromer më telefonoi duke më folur me një farë toni të ashpër “Pse më kërkove të apeloja për këtë triumfator? ” Njerëz si Lordi Kromer ofronin ndihmë të gjithanshme për brezat e rinj. Dashamirësia e tij për të rinjtë ishte e pafund. Me të pata shumë biseda lidhur me të ardhshmen e mundshme të Shqipërisë, duke shpresuar vazhdimisht se një si ai mund ta bënte këtë vend një Egjipt të bardhë.
Komiteti Shqiptar bëri gjithë ç’mundi që, krahas ndihmës politike, të mirëpriste shqiptarët në Angli. Një pasdite Isa Beu erdhi me ne në Kopshtin Zoologjik. Duke zbritur poshtë rrugës Regent Strit dukeshin posterat e varur ku shkruhej “Djali i Isa Buletinit vret Njazi Beun”. Pas këtyre lajmeve të reja anëtarët e Komitetit Shqiptar që nuk kishin qënë në Shqipëri u befasuan ose më mirë u shokuan, pa përjashtuar edhe veten. Ata menduan se mund të kishim të bënim me një shpifje tjetër të re kundër këtij populli të pambrojtur.
“Thoni atij, se çfarë shkruhet në atë pllakate”, thanë të pranishmit.
Unë ja thashë këtë Isa Beut “Mbi këto mure shkruhet që djali yt ka vrarë Njaziun. A e beson?”
“Ç’rëndësi ka? U përgjigj me kujdes Isai “A nuk do të ma bënte edhe ai mua të njëjtën gjë në se i jepet rasti?”.
“Jo, i thashë, Nuk do të donim vrasje në këtë vend, por askush nuk fajësohet për sa mund të bëjnë lidhjet e tij”.
“Megjithatë, tha qetësisht Isai, mendoj se kjo mund të jetë më se e vërtetë. Unë e di mirë që im bir është po aq i vendosur për të vrarë Njaziun, sa ç’është edhe Njaziu për të vrarë atë”.
Vizituam parkun dhe pasi i erdhëm rrotull Isa tha “Gjithçka këtu e kanë në kafaz, me përjashtim të djallit. Mua më pëlqen liria”.
Me kostumin e tij kombëtar pati një efekt të madh në Dhomën e Komunave dhe që të gjithë shprehën admirim për të. Atij i bëri përshtypje veçanërisht nga të tërë Lordi Triouen (Treoëen), të cilin e takoi me uniformë dhe u tregua i paduruar ta merrte me hir a me pahir në Shqipëri. Zuri shumë miq të cilët i treguan bukuritë e Londrës. “Megjithatë”, më tha një ditë, “sado të mirë që jeni të gjithë, sado të këndshëm që tregoheni ju anglezët, unë nuk do t’i ndërroja kurrë shkëmbinjtë e lumenjtë e vendit tim për të”.
Më në fund Isa Buletini pasi u burgos në Podgoricë e vranë. Ai kishte thjeshtësinë e një fëmije por ishte një burrë i fortë me kurajë të pashtershme me një mprehtësi tashmë të njohur. Ai të jepte të kuptoje se ç’ishte mirësjellja dhe ashpërsia në Mesjetë. Lidhur me vdekjen e tij mora vesh nga një miku im. Grindja nuk ishte e tij. Ai shkoi në ndihmë të një nipi të tij që ndodhej në rrezik. Para se të vritej kishte vrarë tetë vetë. Ai qëllonte pa pushim, i plagosur keq, i shtrirë në tokë, këshillonte mikun e tij civil, se si të mbrohej nga malazezët. Ata që kanë qenë miqtë e tij nuk do ta harrojnë kurrë.
Komiteti Shqiptar kaloi kohë të vështira. Ishte si një kanoe e lehtë që i duhej të çante lumin e rrëmbyeshëm. Kjo sepse disa shqiptarë ishin muhamedanë, muhamedanë politikë nga Bregu i Artë dhe shumë pjesë të tjera të botës vinin në takimet e Komitetit të pafat dhe vinin në provë sidomos mençurinë e kryetarit. Vëllezërit e Aliut nga India ndiqnin rregullisht, kur ishin në Angli dhe unë iu kujtova që Muhamed Aliu, që ishte marrë me shtypjen e një kryengritje, kishte qenë gjithnjë i sjellshëm dhe kurrë nuk shkoi tej drejtimit të kryetarit. Përvoja ime me të më shqetësonte në se rasti i tij ishte trajtuar mençurish në Indi.