Mendimtarë dhe pionierë të epokës së artë të Islamit

Epoka e Artë Islamike ishte një periudhë përparimesh në shumë fusha. Ja dhjetë individë që e çuan mendimin shkencor dhe filozofik në lartësi të reja:

Jabir ibn Hayyan

721-816

I njohur edhe si Geber, Habir Ibn Hayyan konsiderohet babai i kimisë islamike dhe ishte një alkimist i famshëm. Sipas Librarisë së Kongresit, ai ishte i famshëm për aftësinë e tij për të përkthyer ide komplekse në gjuhë të thjeshtë, me qëllim që këto të përthitheshin nga publiku dhe jo vetëm nga elita akademike. Ka një debat nëse numri i madh i veprave që i atribuohen atij, janë shkruar nga ai vetë, apo nga një numër autorësh të tjerë.

Hunayn ibn Ishaq

808-873

Hunayn ibn Ishaq njihet ndoshta më së shumti për punën e tij në përkthimin e teksteve klasike greke në gjuhën arabe dhe siriane. Mendohet që ai të ketë kaluar kohë në Aleksandri, ku me shumë gjasa përftoi aftësitë gjuhësore. Edhe pse i lindur në al-Hira, Hunayn studioi dhe më vonë punoi në Bagdad. Megjithatë, aftësitë e Hunayn nuk ishin të kufizuara në përkthim, dhe ai ishte gjithashtu mjek dhe shkencëtar i spikatur. Në fakt, ai nisi të punojë me përkthimet vetëm pasi u grind me mësuesin e tij në mjekësi dhe la studimet – edhe pse më vonë u pajtuan.

Disa prej përkthimeve të Hunayn bënë që tekstet e shumë dorëshkrimeve greke të mbijetonin, pavarësisht se origjinalet kanë humbur.

Abas ibn Firnas

810-887

Ashtu si shumë mendje të tjera të mëdha të kohës së tij, Abbas Ibn Firnas ishte një njeri me shumë talente. Si astronom dhe poet, mes shumë zanateve të tjera, Ibn Firnas ishte i fiksuar pas gjetjes së një mënyre për të fluturuar. Më në fund ai ndërtoi për vete një palë krahë, që në realitet ishin një formë primitive parashute. Ndërkohë që qëndroi në ajër, më pas u përplas dhe pësoi shumë lëndime, të cilat ndoshta kanë qenë shkaktare për vdekjen e tij dhjetë vjet më vonë.

Ibn Hazm

994-1064

Një studiues i spikatur, Hazm ishte një prej forcave udhëheqëse në shkollën e mendimit Zahiri, që propozon interpretimin e drejtpërdrejtë të Kuranit. Kundërvënia e tij ndaj interpretimit alegorik që u bëhej teksteve të shenjta (si dha disa opinioneve politike), bëri që të shihej me zemërim në kohën e tij, ndërkohë që disa prej librave të tij u dogjën publikisht. Thuhet se Hazm ka qenë tej mase produktiv, duke krijuar afro 400 vepra letrare, edhe pse vetëm 40 prej tyre vazhdojnë të ekzistojnë.

Muhamed al Idrizi

1100-1165

Al Idrizi ishte një udhëtar i njohur dhe gjeograf, që kaloi një pjesë të madhe të kohës duke eksploruar Afrikën, duke përdorur eksperiencat e veta për të krijuar harta. Për shumë vite ai punoi në Siçili për Mbretin Roger II. Krijimi i tij më i famshëm ishte Nuzhat al-Mushtaq, që përfshinte një hartë në një disk të madh, si dhe 70 harta dhe tekste plotësues. Ishte një arritje e mahnitshme, të cilën iu desh 15 vite ta përfundonte dhe që sipas Librarisë së Kongresit, ishte “vepra më e rëndësishme gjeografike e realizuar në Evropën e shekullit 12”.

Al Kindi

801-873

Ashtu si Hunayn ibn Ishaq, al Kindi punoi si përkthyes kryesisht i teksteve klasike greke. Megjithatë, ai ishte edhe shkrimtar dhe shumë prej librave të tij patën një ndikim shumë të madh. Në mënyrë të veçantë, traktati i tij filozofik “Mbi Filozofinë e Parë”, e bëri të njihet si “Filozofi i Arabëve”, ose “Filozofi Arab”. Përveçse filozof, ai ishte edhe matematicien. Ai konsiderohet themeluesi i shkollës Peripatetike të Filozofisë Islamike, e cila pësoi rënie domethënëse aty nga fundi i Epokës së Artë.

Masavaih

777-857

Masavaih ishte një mjek i njohur, i cili punoi për katër kalifë. Ai krijoi një seri traktatesh të njohura për një shumëllojshmëri ilaçesh dhe gjendjesh mjekësore, duke përfshirë lebrozën dhe disa lloje ethesh.

Një prej tyre, Çrregullimi i Syrit konsiderohet si teksti më i hershëm sistematik mbi studimin e optalmologjisë. Thuhet se Masavaih mbante gjithashtu seminare të rregullta publike, ku nxënës dhe pacientë dyndeshin nga të katër anët për ta dëgjuar dhe diskutuar studimet e tij. Ashtu si shumë prej bashkëkohësve, ai punoi gjithashtu me përkthime, sidomos me tekste klasike mjekësore greke.

Fatima al Fihrija

800-880

Fatima al Fihrija konsiderohet si gruaja që krijoi universitetin e parë të botës, Universitetin e al Karavijinit, që konsiderohet nga Shtypi i Universitetit të Mançesterit si krijues i sistemit të gradave. Fatima al Fihrija ishte bijë e një familjeje shumë të pasur dhe kur vdiq i ati, ajo e përdori pasurinë e tij në dobi të sistemit arsimor. Universiteti vlerësohet sot për librarinë madhështore, një prej koleksioneve më të vjetra të librave dhe dorëshkrimeve në botë.

Al-Zahravi

936-1013

I konsideruar babai i kirurgjisë, al Zahravi ishte një mjek i njohur. Ai shkroi një enciklopedi 30-vëllimëshe me dije që kishte përftuar gjatë viteve. Mes arritjeve të tij ishte krijimi i 200 instrumentave kirurgjikale, shumë prej të cilëve përbëjnë bazën e instrumentave që përdoren edhe sot e kësaj dite. Librat e Al Zahravit mbërritën deri në Evropën e mesjetës, ku u studiuan intensivisht nga akademikët e kohës.

Al Khvarizmi

780-850

Al Khvarizmi njihet si babai i Algjebrës. Kaq e rëndësishme ishte vepra e tij, saqë ai konsiderohet nga revista “New Scientist” si njeriu që hodhi themelet e zgjidhjes së ekuacioneve moderne dhe algjebrës. Për disa kohë ai shërbeu si drejtor i Shtëpisë së Dijes, qendra e studimeve Islamike fokusuar në filozofi, matematikë, shkenca dhe disa lëndë të tjera. Al Khvarizmi ishte përgjegjës edhe për kuadrantin e parë që mundësoi kohën të përcaktohet prej studimit të diellit apo yjeve. Ai thelloi më tej kërkimet për algoritmet dhe ishte gjeograf i njohur. / bota.al

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here