Letra e Edith Durham drejtuar historianit Joseph Swire, e cila rrëfen vrasjen e Isa Boletinit

Letra e Edith Durham drejtuar historianit Joseph Swire, 10 korrik 1928, e cila rrëfente vrasjen e Isa Boletinit

Në një letër që mban datën 10 korrik 1928, humanistja dhe mikja e shqiptarëve tregon rrethanat në të cilat u vra Isa Boletini. Letra i drejtohet historianit Joseph Swire dhe është zbuluar në arkivin britanik nga hulumtuesi Bejtullah Destani.

Teksti i plotë i letrës:
I dashur Z. Joseph Swire,

Dje takova një të ri shqiptar të quajtur Qazim Kastrati, i cili ndodhet këtu për të studiuar inxhinjeri elektrike dhe donte të këshillohej me mua për punën e tij.

E pyeta nëse mund të më tregonte se çfarë lloj qeverie e përkohshme kishte ekzistuar në Shqipëri pas vitit 1915 dhe pas ikjes së Esatit. Ai u habit për pyetjen dhe tha se, me sa ishte në dijeni, Shqipëria kishte qendruar krejtësisht nën sundimin austriak. Pa dyshim, bejlerët dhe të tjerët vazhdonin të ishin në zotërim të tokave si edhe më parë, gjithnjë nën mbikqyrjen austriake.

Nuk kishte dëgjuar për ndonjë qeveri përfundimtare, por shtoi se sigurisht në atë kohë kishte qenë mjaft i ri.

E pyeta pastaj për Isa Boletinin dhe ai menjëherë ma kthehu: “Mund t’ju tregoj shumë hollësi për vdekjen e tij. Është e vërtetë se isha fëmijë në atë kohë, por këtë nuk e harroj kurrë.”

I ati i Kastratit, ashtu si shumë të tjerë, kishte një dyqan të madh në Podgoricë të malit të Zi dhe një tjetër në Shkodër. Kur plasi lufta, familja jetonte në Podgoricë. Disa shqiptarë me emër, si Refik Toptani, një tjetër Toptan dhe Bajram Fevziu erdhën në Mal të Zi, mesa duket të dëbuar nga Esati. Malazezët i internuan në shtëpinë e Sokol Bacit afër urës. Refik Toptani ishte mik me të atin e Kastratit. Prandaj ai e dërgonte bashkëbiseduesim tim, Qazimin, i cili në atë kohë ishte fëmijë, për t’u çuar ushqime burrave të internuar.

Isa Boletini dhe e tërë familja e tij erdhën në Podgoricë. Atij nuk i kujtohet data, por mban mend se ata nuk ishin të internuar dhe lëviznin lirisht. Në atë kohë u përhap lajmi se ushtria austriake po përparonte me shpejtësi dhe do të arrinte në Podgoricë brenda pak ditësh. Malazezët e dinin se shqiptarët e Podgoricës do t’i prisnin me krahë hapur austriakët.

Një grup malazezësh hasi në dy prej djemve të Isa Boletinit pranë urës, i ndaloi dhe u kërkoi të dorëzonin armët. Ashtu si gjithë të tjerët në Mal të Zi, edhe ata mbanin lirisht armë. T’i kërkoje dikujt të dorëzonte armën ishte fyerje e madhe, prandaj dy djemtë refuzuan. Malazezët u përpoqën të flasin me ta dhe pas kësaj krisi pushka. Njerëzit e tjerë të Boletinëve bashkë me Isën erdhën për t’i shpëtuar. Filloi një betejë e madhe. Boletinët mundën të grupohen në një vend prej ku mund të mbroheshin, por mbetën të rrethuar nga malazezët që ishin më të shumtë në numër. Lufta zgjati rreth tre orë. Më në fund, malazezët përdorën një mitraloz dhe i kositën të gjithë, nëntë vetë gjithësej.

Qazim Kastrati tregon se i kujtohen mirë të nëntë trupat e vrarë, të shtrirë në arkivole. Gjatë betejës, burrat e internuar në shtëpinë e Kastratëve, mezi mundën të arratisen. Duhet të them se ata ishin më shumë sesa tre që përmenda më sipër. Kastratit nuk i kujtohet se cilët ishin të tjerët. Refik po vraponte me shumë nxitim, kur i ati i Kastratit e pikasi dhe e mori për ta strehuar në dyqanin e vet. Komshijtë e paralajmëruan se aty nuk ishte i sigurtë dhe do të vriteshin të gjithë, prandaj ata ikën për t’u fshehur diku tjetër. Shqiptarët në Podgoricë ishin në rrezik tepër të madh dhe kudo mbretëronte paniku dhe hutimi. Dyqanxhijtë shqiptarë, edhe pse shumica kishin armë, ishin shumë më pak të armatosur sesa malazezët. Ata do të ishin masakruar të gjithë po të mos kishte arritur ushtria austriake, e cila erdhi më herët sesa pritej. Ishte ajo që i shpëtoi. Për fat të mirë, disa prej bijve të Isës, më duket dy prej tyre, nuk ishin në Podgoricë dhe kjo i shpëtoi.

Kastrati nuk e dinte se përse dhe kur kishte shkuar Isa në Podgoricë. Serbët e kishin mashtruar, siç mësojmë nga kujtimet e oficerëve serbë që ju kam dërguar. Mund të supozojmë se ai shkoi në Mal të Zi si refugjat i serbëve. Por përse nuk hyri në Shqipëri? Ndoshta sepse në Shqipëri ishte Esati, si vegël dhe agjent i serbëve dhe i francezëve.

Kastrati më pohoi me zgjuarsinë që e karakterizon: “Sigurisht, ju e dini që malazezët kishin urrejtje për serbët.” Pastaj më tregoi se sa e tmerrshme ishte dita kur komitaxhijtë serbë hynë në Podgoricë pas tërheqjes së austriakëve. Ata ishin aq shumë saqë rezistenca ishte e kotë. Siç më kanë treguar të tjerët, ata grabitën dhe shkatërruan të gjitha dyqanet e katolikëve dhe myslimanëve. Mes këtyre ishte edhe dyqani i Kastratit dhe atij i kujtohet se si familja u arratis për në Shkodër. I kujtohet se si i ati kishte në trup vetëm një këmishë kur ikën. Mizoritë e kryera nga komitaxhijtë serbë ishin vërtet mjaft të rënda, siç kam dëgjuar edhe nga burime të tjera.

Kastrati tha: “Do t’ju tregoj vetëm gjërat që di, sepse i njihja vetë njerëzit që i pësuan ato mizori. Nuk dua të përsëris historitë që kam dëgjuar nga të tjerët. Ata e morën një mysliman (ma tregoi emrin, por unë nuk e mbajta shënim), e lidhën në rrasën e një sharre me mulli dhe ia prenë këmbët. Tërhoqën një hoxhë nga mjekra dhe ia çorrën atë krejt nga fytyra. Një tjetër e detyruan të ecte me këmbë e duar, pastaj i hipën sipër me radhë dhe i gjuanin sikur të ishte kalë.

Pasi e zhytën Podgoricën në një gjendje terrori, serbët mbajtën një mbledhje dhe deklaruan se popullata kishte votuar njëzëri për bashkimin me Serbinë.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here