Kush ishte Moisiu i vërtetë, i pari mes profetëve

Ai nuk i ngjan aspak protagonistit të filmit “Eksodi: Zotër dhe mbretër”, dalë disa vite më parë në kinema. Po kush ishte njeriu që i hapi ujërat e Detit të Kuq? Përveçse është profeti më i madh për popullin hebre, Moisiu nderohet si një shenjt në Krishtërim, dhe për myslimanët është një nga paraardhësit e Muhamedit.

Gjithçka që dimë për të vjen nga Testamenti i Vjetër. Sipas traditës më të lashtë hebreje, ai shkroi pesë librat e parë të Biblës, të quajtur Pentateuk ose Torah. Por më vonë, tek Pentateuk studiuesit vërejtën mospërputhje të shumta në gjuhë dhe anakronizma, të cilat e bëjnë të pamundur që ky libër t’i atribuohet vetëm një autori.

Ata kanë arritur në përfundimin se 5 librat janë shkruar nga disa njerëz, dhe në periudha të ndryshme kohore. Gjithsesi, Moisiu mbetet protagonisti i padiskutueshëm i Torah:nga 5 librat, vetëm i pari (Zanafilla) nuk flet për udhëheqësin e Izraelit.

Sipas librit të Eksodit, që tregon historinë e Moisiut që nga lindja e tij, derisa Zoti i dha Tabelat e Ligjit, prindërit e tij ishin Johebi dhe Amrami, dy izraelitë të fisit të Levit, që ndodheshin në Egjipt me fëmijët, Aronin dhe Miriamin.

Meqë ligjet e Faraonit, kërkonin vrasjen e të gjithë djemve hebrenj, kur lindi Moisiu, e ëma e futi atë në një shportë dhe e la buzë lumit Nil. Të qarat e vogëlushit, u dëgjuan nga vajza e Faraonit, që pasi e zbuloi shportën dhe e qetësoi fëmijën, vendosi që ta adoptojë atë.

Me sugjerimin e të motrës, ajo zgjodhi që fëmija të ushqehej nga nëna e tij natyrale. Moisiu, u rrit nga e bija e Faraonit, duke e harruar për një farë kohe misionin për të cilin ishte përzgjedhur nga Zoti. Por kur u rrit, ai u ndërgjegjësua për vuajtjet që po pësonin hebrenjtë në Egjipt, të cilët trajtoheshin si skllevër nga egjiptianët.

Madje një ditë ai vret një egjiptian, që po rrihte pa mëshirë një izraelit, dhe e fsheh në rërë trupin e tij. Por shumë shpejt nisën të qarkullojnë zëra mbi autorin e krimit, dhe pasi u zbulua Moisiu u detyrua të arratisej në tokën shkretinore të Madianës (sot një rajon i Arabisë Saudite).

Atje ra në sy për ndjenjën e tij të lindur të drejtësisë, duke mbrojtur një grup vajzash nga abuzimet e disa barinjve të zonës. Në shenjë mirënjohje ndaj të huajit, babai i 7 vajzave të reja i ofroi për grua njërën prej tyre, Ziporën, me të cilën Moisiu pati 2 djem.

Ndërsa po kulloste kopenë me bagëti të vjehrrit të tij, ai zbulon misionin që i kishte rezervuar Zoti. Në malin Oreb, Moisiu pa një shkurre që digjej por pa u konsumuar. Duke u afruar më pranë nga kurioziteti, ai dëgjoi atje për herë të parë zërin e Zotit. Ai e urdhëroi të rikthehej sa më parë në Egjipt, të ribashkohej me vëllanë e tij Aron, dhe të çlironte izraelitët nga skllavëria. Moisiu u nis për në Egjipt, dhe kur u takua me Faraonin, i paraqiti kërkesat e tij, të cilat u pritën me arrogancë dhe refuzim nga udhëheqësi i Egjiptit.

Për ta bindur që t’i lintë të lirë izraelitët, Zoti e godet popullin egjiptian me 10 fatkeqësi, njëra me e rëndë se tjetra:shndërrimin në gjak të ujërave të Nilit, pushtimin nga bretkosat, mushkonjat dhe mizat, ngordhjen e bagëtive, shfaqjen e ulcerave tek kafshët dhe njerëzit, stuhitë e breshërit, pushtimi nga karkalecat, errësirë e plotë për disa ditë me radhë, dhe vdekja e të porsalindurve.

Toka e Premtuar

Një natë para largimit, që t‘i jepte mundësi Engjëllit të Vdekjes të kuptonte se cilat shtëpi duhet të shmangte, duke shpëtuar kësisoj jetë të pafajshme, dyert e shtëpive ku jetonin izraelitët, u lyen me gjakun e qengjave. Nga ai moment kremtohet Pesach, Pashka që çifutët e kujtojnë edhe sot e kësaj dite.

Të nesërmen Faraoni, i tmerruar nga vdekja e djalit të tij të porsalindur, e lejoi Moisiun dhe popullin e tij të largohej nga Egjipi. Por pak ditë më vonë, ai u pendua për vendimin që mori, dhe pasi vuri veten në krye të ushtrisë, u vu në ndjekje të izraelitëve.

Ai i arriti ata në brigjet e Detit të Kuq. Një shtyllë zjarri e dërguar nga Zoti, i bllokoi egjiptianët, ndërsa Moisiu, gjithnjë sipas urdhrit hyjnor, e drejtoi shkopin e tij drejt ujërave, të cilat ndahen dhe ngrihen në të djathtë dhe të majtë, duke lejuar kalimin e hebrenjve në mes të detit.

Ato u mbyllen menjëherë kur në shtegun e hapur nisën të kalonin me shpejtësi karrocat me ushtarët egjiptianë, të cilët vdiqën që të gjithë të mbytur. Moisiu e çliroi popullin e Izraelit nga skllavëria, por misioni i tij nuk përfundoi aty. Pasi mori nga Zoti Tabelat e Ligjit që përmbanin Dhjetë Urdhërimet në malin Sinai, ai u përball disa herë me rebelimet, pakënaqësitë dhe mosmirënjohjen e popullit të tij hebre.

Si ndëshkim nga Zoti, ai dhe populli i tij u detyruan të enden 40 vjet në shkretëtirë, midis sulmeve të përsëritura nga fiset armike, përpara se të mund të shkelnin në Tokën e Premtuar.

Por vetë Moisiu nuk hyri në të:Dikur edhe ai dyshoi tek Zoti, dhe për këtë arsye iu ndalua hyrja. Sidoqoftë, nga lartësitë e malit Nebo, ai e pa nga distanca Tokën e Shenjtë, dhe në fund mundi që të vdesë i qetë.

Hollivudi nuk i qëndron përherë besnik historisë

Saktësia e filmave historikë, është shpesh e debatueshme, dhe filmi i ri i Ridli Skot “Exodi: Zotër and mbretër” nuk bën përjashtim. Kritikat ndaj regjisorit anglez, kanë të bëjnë me përzgjedhjen e aktorëve kryesorë, Kristian Bejl në rolin e Moisiut dhe Xhoel Edgerton në atë të Faraonit Ramses II.

Që të dy, pavarësisht nxirrjes dhe trukut të theksuar, e kanë lëkurën shumë të bardhë, në një kohë që personazhet e Moisiut dhe Ramsesit, përkatësisht izraelitë dhe egjiptianë, duhet të kenë pasur ngjyrën tipike bojëkafe të banorëve të Lindjes së Mesme.

Si për të ndezur më tej polemikat, dhe ato që provokuan akuzat për racizëm, deri edhe kërcënimet për bojkotim të filmit, ishte fakti që aktorët që luajnë rolin e skllevërve janë zezakë, duke forcuar kështu sipas kritikëve stereotipin e “protagonistit të bardhë”, dhe “zezakut në plan të dytë”.

Regjisori Ridli Skot iu përgjigj kritikave, duke thënë se nëse nuk do të kishte zgjedhur për rolin kryesor aktorë të njohur, sikurse është Kristian Bejl(i famshëm për rolin e Batmanit), producentët nuk do ta kishin financuar filmin, ndaj ai nuk kishte luksin të zgjidhte aktorë nga Lindja e Mesme, që do të ishin të panjohur për audiencën botërore.

Por ‘Eksodi’ nuk është filmi i parë që është kritikuar, për mungesë të skrupulozitetit në rindërtimin e historisë origjinale. “U-571”, filmi i Xhonathan Mostou i vitit 2000, merret me historinë e deshifrimit të Enigmës, pajisjes gjermane që kodonte mesazhet që shkëmbente ushtria gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai ndryshoi kombësinë e protagonistëve, duke i bërë ata amerikanë, dhe jo britanikë, dhe duke ua rrëmbyer kësisoj meritat këtyre të fundit.

“Braveheart”, është quajtur filmi më i keq historik i realizuar ndonjëherë: Biografia e heroit të Skocisë Uiliam Uollas, luajtur nga Mel Gibson në vitin 1995, është plot gabime përfshirë përdorimin e kiltit, fundit tipik skocez, që në fakt nisi të përdorej disa shekuj më vonë.

Trillim ishte edhe një histori dashurie, ajo e protagonistit me princeshën Isabela, e cila në atë kohë ishte në fakt vetëm një vajzë e vogël.

Ndërkohë, është sërish Ridli Skot ai që akuzohet për pasaktësi të mëdha me filmin “Gladiatori” të vitit 2000, me aktorët Rasëll Krou dhe Hoakin Feniks. Filmi nis me vrasjen e perandorit Mark Aurel nga djali i tij Komoto, i etur për t’u ngjitur në fron. Por në fakt Mark Aureli vdiq nga një sëmundje, dhe djali i tij Komoto e kishte zëvendësuar prej disa vjetësh.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here