UNESCO miratoi për herë të parë 21 marsin si Ditën Botërore të Poezisë, më 1999 në Paris, me synimin për të mbështetur diversitetin gjuhësor përmes shprehjes poetike dhe për të rritur mundësinë që gjuhët e rrezikuara të dëgjohen.
Dita Botërore e Poezisë është rasti për të nderuar poetët, për të ringjallur traditat gojore të recitimit të poezisë, për të promovuar leximin, shkrimin dhe mësimin e poezisë, për të nxitur konvergjencën midis poezisë dhe arteve të tjera si teatri, kërcimi, muzika e piktura, si dhe për të rritur dukshmërinë e poezisë në media.
Krahas aktiviteteve që do të zhvillohen në mbarë botën, kjo ditë do të shënohet edhe në Kosovë me tri ngjarje të rëndësishme poetike, ka njoftuar poeti Lulzim Tafa, përmes një statusi në profilin e tij në facebook.
“Sot do të marr pjesë në tri ngjarje të rëndësishme poetike që e shënojnë këtë ditë. Në ora 11:15 me studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale, në Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB, në ora 14:00 në KultPlus në organizim të PEN Qendrës së Kosovës dhe në ora 19:30 në Bibliotekën e qytetit “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë, nën organizimin e Drejtorisë së Kulturës së Prishtinës, e pastaj gjithë natën do t’i lexoj vetës poezi. Përndryshe, sot kam qenë i ftuar edhe në Paris në promovimin e antologjisë së poezisë shqipe në gjuhën frënge si dhe në shumë aktivitete të tjera që e shënojnë këtë ditë”, ka shkruar poeti Tafa. /atvlive.tv