Atë Shtjefën Gjeçovi, njeriu që hapi shkollat e para shqipe pas pavarësisë

Shkruan: Andreas Dushi

Poliedrija, apo ndryshe gjithëdija e personaliteteve shqiptare, kufizon ndjeshëm dëshirën e atyre që duan të shkruajnë për to, pasi sikurse thonin grekët e lashtë, është e vështirë që të vdekshmit të shkruajnë për të pavdekshmit. Çfarë sot po marr guximin të bëj, në përvjetorin e lindjes së figurës së shquar të shqiptarisë Atë Shtjefën Gjeçovit, është pikërisht kjo: Një i vdekshëm po shkruan për një të pavdekshëm.

Kur pata fatin të vizitoja disa prej trevave të zonës së Dukagjinit, më bëri shumë përshtypje që në çdo shkollë apo godinë që dikur përdorej si shkollë kishte pllaka të mermerta ku shkruhej emri i një njeriu që nuk ishte edhe emri i shkollës. Në Prekal, fjala bie, ishte emri i Atë Shtjefën Gjeçovit si i pari që çeli një shkollë shqipe atje.

Duke vijuar më tej, këtë emër e shoh të shkruar edhe sa e sa herë, ndër sa e sa pllaka çka pa frikë më bëri të kuptoj diçka: Dukagjini, një trevë e quajtur “e prapambetur” nga dashakeqësit e saj, ka një fat që shumë krahina të tjera të Shqipërisë nuk e kanë: Prej 100 vjetëve ka arsim.

Ky fat, i cili buron nga prania e etërve françeskanë si të vendosur të përhershëm apo vizitues të herë pas hershëm falë programeve të misioneve shëtitëse (të përmendura nga Atë Zef Valentini apo Atë Domenico Pasi në librat e tyre “Misionet Shëtitëse” botuar nga “Plejad”), akoma edhe sot vazhdon të tregojë të mirat që ka sjellë.

Atë Shtjefën Gjeçovi, figura e jashtëzakonshme e kulturës së shqiptarisë, i lindur në Janjevë të Kosovës është ai i cili meriton jo respektin e gjithkujt, pasi me sa e njoh mes shkrimeve të të tjerëve ai nuk synonte të ishte i “gjithëdashur”, por të paktën njohjen nga gjithkush pasi ai qe i pari në shumëçka dhe, për fat të keq, edhe i fundit si punues serioz në thuajse çdo fushë që lëvroi./ KultPlus.com

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here