Eufonia e Agim Vincës në Deçan, mes gështenjës dhe dramës së ‘Çiftelisë’

Në një harmoni simbolike mes gështenjës që shpërthen në aromë dhe vargut që gjen dritën e botës, qyteti i Deçanit u përgatit të jetojë një mbrëmje me intensitet të veçantë kulturor. Manifestimi tradicional i “Ditës së Gështenjës” këtë vit sublimohet në një ngjarje të shënuar letrare, duke pritur një nga figurat më të spikatura të letërsisë dhe mendimit shqiptar, poetin, shkrimtarin dhe profesorin, Agim Vinca.

​Takimi, i cili u mbajt në ambientet e “Belle Resort” nga ora 19:00 deri në 20:00, shërbeu si një pikëtakim midis traditës sonë materiale dhe thelbit tonë shpirtëror dhe fjalës së gdhendur artistikisht. Ky takim poetik nuk është thjesht një lexim vargjesh, por një akt filozofik, një ritual ku poeti vë në lojë ndërgjegjen individuale dhe kolektive, duke e shndërruar fjalën në një kambanë që thërret në mendim.


​Profesor Vinca, një personalitet poliedrik i kulturës shqiptare, i përket asaj plejade krijuesish që e kanë shkrirë talentin poetik me thellësinë e studimit letrar. Krijimtaria e tij poetike dhe studimore ka shërbyer si një urë lidhëse mes traditës sonë letrare dhe rrjedhave moderne evropiane.

​Në fushën e poezisë, Agim Vinca shquhet si një lirik që e ka ndërthurur me mjeshtëri frymën e përjetimit intim me angazhimin social dhe historik, duke krijuar një zë autentik. Poezia e tij, e karakterizuar nga një semantikë e thellë dhe një eufoni e veçantë, është një dëshmi e qartë se si lënda jetësore transfigurohet në art.

Fjala e profesor Vincës për të pranishmit, e shkurtuar për shkaqe redaktoriale:

​Në këtë trevë më lidhin shumë kujtime. Kam qenë vizitor i shpeshtë në Deçan (në qendër) dhe në fshatrat Drenoc, Kodrali, Voksh, Prilep, Strellc…, e edhe në Dubovikun e Jusuf Gërvallës dhe të nënë Ajshes. Këtu, sikurse edhe në vendlindjen time, natyra është e bukur dhe njerëzit janë bujarë. Njëri nga miqtë e mi më të mirë, mësimdhënës i gjuhës dhe letërsisë shqipe dhe lexues i madh i letërsisë, edhe i krijimtarisë sime, është nga kjo trevë. Quhet Rexhep Ferizi. Kemi qenë bashkë ushtarë në Rijekë të Kroacisë pesëdhjetë vjet më parë dhe kemi mbetur miq.
​Nuk po flas për studentët e shumtë nga kjo trevë, djem e vajza, që i kam pasur studentë gjatë karrierës sime të gjatë si profesor i Universitetit të Prishtinës, shumë prej tyre të shkëlqyeshëm, tani doktorë shkence, pedagogë, krijues dhe studiues të letërsisë.

​Dikur, në Deçan, për çdo vit, në gusht, mbaheshin Takimet e Shkrimtarëve të Kosovës, një koloni e llojit të vet, që zgjaste dhjetë ditë. Si anëtar i Shoqatës nga viti 1976 kam marrë pjesë shumë herë në këto takime.

​Gështenja është një dru i fortë, fisnik, që jep fryt. Rritet kryesisht në zonat malore. Mitrush Kuteli ka një libër me titull Pylli i gështenjave, botuar në Tiranë në vitin 1958. Flet në vargje për rëndësinë e pyjeve në planin ekonomik, por edhe ekologjik etj. Në Pogradec ka pyje gështenjash, edhe në Strugë. Këtij pylli i thonë ndryshe edhe korije. Isha në korije, u ngjita lart në korije…

​Simbol i kësaj treve janë pishat, kurse i vendlindjes sime plepat. Prandaj poezia e parë që do t’jua lexoj është Plepat e vendlindjes, shkruar në vitet shtatëdhjetë (1978), që flet për qëndresën dhe paralajmëron atë që do të ndodhte dy-tre vjet më vonë.

PLEPAT E VENDLINDJES

​Sërish më dolët para dhe më përshëndetët, bashkëfshatarët e mi truphedhur.
​Ju shoh si tundni kokat dhe më thoni “mi’serdhe” në gjuhën tuaj të gjelbër.

​Më shikoni me vëmendje e disi qortueshëm, por nuk më mbani mëri.
​Ju qasem pranë dhe e tokim si burrat: “Jungjatjeta!” – miqtë e mi të vjetër.

​Ka kohë që s’jemi parë, por nuk jemi harruar. Dhe ja, tani, ky takim i (pa)pritur.

​Ju njoh dhe më njihni: jemi rritur bashkë, bashkë i kemi pritur ditëveret dhe shëngjergjet.
​Kam bredhur nëpër botë, unë shtegtari, ju s’jeni tundur fare nga vendi i lindjes.
​Në ju – çerdhe laraskash, në mu’ – çerdhe kujtimesh, o pirgje të gjallë të fëmijërisë sime.
​Ka kohë që s’jemi parë, por nuk jemi harruar dhe ja, tani, ky takim i (pa)pritur.
​Qëndroni në rresht për një si ushtarët, roje jetike të këtij trualli: të gjatë, të hollë, krenarë. Ju lëngun e thithni nga toka-nënë, flokët e gjatë jua kreh era, jua rrit shiu.
​Këtu keni lindur dhe këtu do të vdisni (ashtu bukur, vertikalisht, siç dini ju të vdisni) banorë të hershëm të këtyre brigjeve, kryengritës e sqimatarë.
​Ju shoh tek bisedoni me retë dhe i raportoni tokës: priten të reshura e bubullima.
​Dhe në qoftë se ndonjëri nga ju bie një ditë në përleshje me stuhitë për të do mbajnë zi motrat tuaja, shelnjat.

​Në të hyrë të fshatit, në të hyrë të botës me këmbët tek lumi me kokat tek retë me krenarinë tuaj vertikale përjetësisht qëndroni, o plepa, o vëllezërit e mi buzëdrinas.


​Dhe ja tani dy poezi që lidhen me luftën, shkruar kur u dogj Deçani. Ja si e kam përjetuar unë atë dramë në verë të ’98-s:

NËN ULËRIMA FLAKËSH

​Nën ulërima tytash, xhelatësh
Kosova tym e flakë.
Drenica, Dukagjini…

​Digjen shtëpitë bukë ku kam ngrënë
ujë tek kam pirë,
kafe, çaj, raki.

​Kallen kullat ku këngë kam kënduar
në Junik, Voksh, Kodrali;
me lahutë e sharki.

​Nën ulërima tytash, flakësh
Po digjen sytë e mi.
Oi, oi!

​Po ashtu poeti Vinca lexoi vargjet për rastin tragjik që kishte ndodhur në fshatin Kodrali:

ÇIFTELIA

​Ia këputën telat.
E shkelën me këmbë.
Shqiponjës së gravuar në të
i vizatuan përmbi një kryq me katër “s”.
​Pronarin e saj, rapsodin, e vranë.
Nuk dihet kur dhe si.
(Megjithëse s’është vështirë të merret me mend).
​Dihet se u gjet i mbytur në një pus
tok me të vëllanë e tij mësues.
​Shtëpisë ia vunë flakën.
Pastaj të dehur zbrazën shishet
dhe armët.
​Kurrë më këtu s’do të banojnë
Zhuj Selmani e Rrushe Rexha – thanë.
​As Dervish Shaqa e Shaqë Avdija.
​Tutje, e masakruar, dergjej çiftelia.
​Pastaj, ashtu siç qenë,
të përjargur e të përgjakur,
nisën të këndonin, të çirreshin,
​ të bërtisnin.

​Por, zë s’kishin.
U rëndonin çizmet në këmbë
helmetat në kokë
armët në sup.
​Ortek-bjeshkët
​mynxyrë-qielli
​skëterrë-toka iu bënë.
​Gjersa erdhi një çast që i la krejtësisht
​fuqia.
​I shitoi çiftelia!

​Në artikulimin e botës shpirtërore dhe të asaj kombëtare të Vincës, një vend të posaçëm e zë poezia “E Kujtoj Mësuesin”, e cila në optikën e shumë studiuesve dhe lexuesve është bërë emblemë e poezisë së tij lirike, që prekte me guxim plagët e kohës dhe temën e thellë të mërgimit, arsimit dhe identitetit. Kjo poezi është një ode kushtuar dijes dhe sakrificës, një metonimi e fatit të rëndë të popullit, e cila shënon me patos momentin e ndarjes, por edhe amanetin e pathyeshëm.

E KUJTOJ MËSUESIN

​Më poshtë vijojnë disa vargje të kësaj poezie, që ngërthejnë thelbin e mesazhit të saj human dhe kombëtar:

​Pat ikur mësuesi im në Turqi,
unë abetaren e laga me lot.
Në zemër më hyri fytyrë e tij
dhe s’më hiqet atë ditë e sot.

I vogël isha ahere, pak dija,
jeta më dukej lojë, dëfrim.
Por ngado që shkoja, kudo që vija
shihja fytyrën e mësuesit tim.

Dëgjoja zërin e tij të dashur
kur binte zilja për në mësim,
dëgjoja zërin e tij të dridhur:
«E di ç’është mërgimi, ti Agim?»

Po unë s’e dija, s’kuptoja dot
ç’ishte mërgimi dhe Anadolli.
Sytë e mësuesit ishin me lot
atë ditë që fshati e përcolli.

Kaluan ditë, kaluan vjet,
librin nga dora s’e lëshova,
në banka të shkollës dhe në jetë
punët e kësaj toke i mësova.

Mësova unë se ç’ish mërgimi,
shtëpia pa plëng, sofra pa bukë,
mësova përse mësuesi, imi,
na la dhe mori të largëtën rrugë.

Sot kur dhe vetë me ditar
dal para nxënësve të mi,
e kujtoj mësuesin tim të parë,
arratisur larg në Turqi.

​Disa nga veprat kryesore të Agim Vincës përfshijnë:
​Vëllimet poetike: Feniksi (1972), Bregu i mallit (1975), Buzëdrinas (1981), Arna dhe ëndrra (1987), Kohë e keqe për lirikën (1997), Psalmet e rrënjës (2007). Letër Zotit 2008. Nostalgji për kohërat e rrezikshme 2017
​Vepra studimore dhe kritike: Aspekte të kritikës sonë (1977), Struktura e zhvillimit të poezisë së sotme shqipe (1945-1980) (Monografi), Alternativa letrare shqiptare (1995), Kurs i teorive letrare (2002).

​Kjo mbrëmje letrare në Deçan, nën dritën e ngrohtë të Bjeshkëve të Nemura dhe dijes që na fali fjala e Agim Vincës, premton të jetë një përvojë estetike dhe meditative, që na fton të reflektojmë mbi raportin e njeriut me historinë, fatin dhe përmasën metafizike të ekzistencës. Ajo shërben si një konfirmim se në kohën e ‘Rrezikshme’, siç e quan poeti vetë, fjala mbetet fortesa dhe shpëtimi ynë./Korrespodenti

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME