Nga Atdhe Gjoci:
Në këtë të enjte të tretë të nëntorit teksa rruzulli tokësor shënon Ditën Botërore të Filozofisë, ne nuk jemi thjesht duke kryer një ritual kalendarik, por jemi duke u përballur me ndërgjegjen tonë të plagosur përballë korifejve të mendimit, që hodhën themelet ontologjike dhe etike të qytetërimit mbi të cilin ne vegjetojmë sot. Kjo ditë shërben si një pasqyrë e pamëshirshme, ku reflektohet shëmbëlltyra e njeriut modern, i cili, ndonëse ka trashëguar arkitekturën madhështore të mendjes, është duke e rrënuar atë përmes një nihilizmi politik dhe moral të pashembullt.
Për të kuptuar thellësinë e kësaj gremine ku kemi rënë, duhet fillimisht të kthejmë vështrimin kah akropoli i urtësisë, aty ku Sokrati, përmes metodës së tij majeutike, shkundi përgjumjen e Athinës, duke vendosur për herë të parë individin përballë përgjegjësisë së vetënjohjes dhe duke definuar se një jetë e paekzaminuar nuk ia vlen të jetohet, një maksimë që sot tingëllon si aktakuzë ndaj sipërfaqësores që na rrethon.
Pas tij vjen Platoni, i cili, me Teorinë e tij të Formave, vendosi standardin absolut të së Vërtetës dhe Drejtësisë, duke na mësuar se politika nuk është thjesht administrim i pushtetit, por një art hyjnor që synon të edukojë shpirtin e qytetarit drejt së Mirës supreme, një ideal që sot është zëvendësuar nga pragmatizmi vulgar dhe interesa meskine.
Mbi këto themele u ngrit Aristoteli, i cili, duke sistematizuar logjikën dhe etikën e virtytit, përcaktoi se njeriu është një zoon politikon, pra një kafshë politike që e gjen përmbushjen vetëm në bashkësi, duke kërkuar eudaimonian apo lumturinë përmes angazhimit qytetar dhe moralit të mesit të artë.
Ky trinom antik u pasurua shekuj më vonë nga rreptësia e Immanuel Kantit, i cili, me Imperativin e tij Kategorik, vendosi ligjin moral brenda nesh si një busull të pandryshueshme, duke urdhëruar që njeriu të trajtohet gjithmonë si qëllim në vetvete dhe kurrë si mjet, ndërsa John Locke artikuloi të drejtat e patjetërsueshme natyrore, duke i dhënë individit mburojën e lirisë përballë arbitraritetit të shtetit.
Megjithatë, pikërisht këtu qëndron tragjedia e kohës sonë, sepse, teksa ne kemi absorbuar strukturat institucionale që këta titanë ndërtuan, kemi amputuar shpirtin etik që i mbante ato gjallë, duke krijuar një formë të zbrazët qytetërimi, ku politika është reduktuar në një teknokraci të ftohtë dhe morali në një relativizëm të lëngshëm.
Degradimi i sotëm politik dhe moral është dëshmia më flagrante e harresës së qenies, pasi liderët bashkëkohorë kanë përqafuar cinizmin e Niccolò Machiavellit, duke marrë nga ai vetëm metodologjinë e mbajtjes së pushtetit me çdo kusht, por duke harruar qëllimin e lartë shtetëror, duke e shndërruar politikën nga një mjet për të mirën e përbashkët në një arenë gladiatorësh, ku e vërteta është viktima e parë.
Nëse filozofia na mësoi se drejtësia është harmonia e shpirtit dhe shtetit, realiteti i sotëm tregon një skizofreni sociale, ku ligji përdoret si armë e të fortit dhe ku virtyti konsiderohet dobësi. Kjo krizë aksiologjike, ku vlerat janë përmbysur, tregon se ne kemi humbur lidhjen me telosin apo qëllimin final të ekzistencës sonë, duke u shndërruar në konsumatorë pasivë të një realiteti të fabrikuar, ku demagogjia politike dhe hipokrizia fetare kanë uzurpuar vendin e dialogut racional dhe kërkimit të së vërtetës. Prandaj, në këtë ditë përkujtimi, filozofia nuk vjen si ngushëllim, por si një klithmë alarmi që na fton të rikuperojmë dinjitetin tonë të humbur, duke na kujtuar se, pa një rikthim te arsyetimi etik dhe te përgjegjësia qytetare që na lanë trashëgim këta mendimtarë, ne rrezikojmë të mbetemi barbarë teknologjikë, të aftë për të udhëtuar në yje, por të paaftë për të qeverisur impulset tona më primitive dhe për të ndërtuar një shoqëri të drejtë.
P,S: Roma e lashtë, nuk u shemb nga shpatat e barbarëve, por u dërrmua nën peshën e degjenerimit të saj moral dhe arrogancës politike, duke e zhytur njerëzimin në një mijëvjeçar errësire, një dëshmi e frikshme historike se qytetërimet e mëdha nuk vdesin nga vrasja, por nga vetëvrasja e ngadaltë e ndërgjegjes, kur shoqëria këmben virtytin me spektaklin dhe drejtësinë me pushtetin.
