Të burgosurit politikë dhe UDB-ashët

Çështja e të burgosurve politikë, është një temë rreth së cilës shumë pak janë marrë studiues e analistë të ndryshëm.

Shkruan: Bedri Halimi

Në vend të prologut

Të burgosur politik shqiptarë ka pasur në të gjitha fazat dhe periudhat historike. Pra ka pasur edhe në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore, edhe në kohën e Rankoviqit edhe jashtë kohës së Rankoviqit, pra në kohën e Titos.

Të burgosurit politik të çdo kohë në fakt janë veprimtarë kombëtar të kohës përkatëse. Asnjë njeri nuk është lajmëruar vullnetarisht për ta burgosur. Por secili nga këta, para se të hyjë në burg ishte veprimtar. E pas hyrjes në burg sakrifica e tij, hyn në virtyte të veprimtarisë së personit përkatës që quhet i burgosur politik.

Të burgosurit politik në kuptimin intelektual, pra të përgatitjes shkollore kanë qenë dhe janë heterogjen. Të gjithë nuk kanë të kryer fakultet. Shumë prej tyre u është ndërprerë ëndrra e shkollimit që në shkollën e mesme si dhe në fakultet. Radhës së të burgosurve politik kryesisht i kanë takuar nxënësit shembullor në shkollat përkatëse, student shembullor në fakultetet përkatëse. Ndaj të gjithë këtyre, UDB-ja ka bërë trajtimet edhe unike edhe të veçanta. Unike i ka konsideruar veprimet përmes të cilave ka menduar se ia ka arritur qëllimit. Kurse trajtime të veçanta ka bërë ndaj njerëzve ndaj të cilëve ka menduar se edhe duke qenë në burg paraqesin rrezikshmëri.

Edhe në burg të burgosurit politik janë përcjellur, në fakt është përcjellë çdo lëvizje të tyre; kush si sillet; kush mund të merret me veprimtari edhe pas daljes nga burgu; kush merret me lexime në burg; çfarë leximesh bën secili i burgosur etj. Pra të gjitha këto shënime janë mbajtur dhe evidentuar në secilin burg të ish – Jugosllavisë. Natyrisht ato shënime janë përcjellur pastaj në degët përkatëse të UDB-së, e përmes tyre edhe në sektorët përkatës, pra mekanizmave ndihmës të UDB-së si udhëheqësit e Lidhjes Komuniste e të Lidhjes Socialiste në komunat përkatëse. Të gjitha këto veprime janë bërë përmes inspektorëve të sigurimit shtetëror të UDB-së, ku secili inspektor ka pasur bashkëpunëtor të vet, përmes të cilëve ka lansuar qoftë një dezinformat për të burgosurit politik, qoftë edhe që ka mbledhur informata për sjelljet e tyre në shoqëri.

Torturat

UDB-ja nuk ka lënë metodë pa përdorur për t’i torturuar kur janë burgosur. UDB-ja nuk ka lënë metodë pa arrit për të krijuar mosbesim e urrejtje ndaj tyre deri edhe në familje. UDB-ja nuk ka lënë metodë pa propaganduar për të burgosurin politik edhe gjatë kohës sa ka qenë në vuajtje të dënimit. E natyrisht UDB-ja nuk ka ndenjur indiferente edhe duke lansuar propaganda të ndryshme kundër të burgosurve politikë edhe pas daljes nga burgu. Qëllimi gjithmonë ishte, që të bëjnë diskreditimin publik për personin e caktuar, në mënyrë që ai njeri, të mos kishte autoritet në popull.

Dihet se të gjithë të burgosurit politikë me rastin e rënies në burg i janë nënshtruar torturave të ndryshme. Qëndrueshmëria e të burgosurve politik natyrisht se nuk mund të thuhet se ka qenë e njëjtë. Dikush ka qenë më i qëndrueshëm, dikush më pak i qëndrueshëm ku si rrjedhojë ka mundur që nga ndikimi ç’njerëzor i torturave të deklaroj edhe ndonjë gjë për ndonjë shok të vetin. Kjo ka ndodhur dhe ndodh gjithkund në botë kudo ku ka pasur të burgosur politik.

Por një gjë ka qenë e përbashkët te të burgosurit politik shqiptarë. Asnjë i burgosur pas daljes nga burgu nuk ka rrëfyer asnjë fjalë rreth torturave që i ka përjetuar gjatë fazës së hetuesisë apo gjatë kryerjes së dënimit nëpër burgjet jugosllave. Qëllimi ishte që të mos e frikësojnë rininë me tregime të tilla. Kjo metodë e sjelljes së të burgosurve politikë ka dhënë fryt, sepse numri i të burgosurve politik ka ardhur duke u rritur në vazhdimësi e që kjo dmth. se edhe numri i të interesuarve shqiptarë për veprimtari politike ka ardhur duke u rritur. Si rrjedhojë është krijuar një armatë e tërë njerëzish të cilët kanë qenë të trajtuar pamëshirshëm nga strukturat e UDB-së.

Thekse (i)racionale nga rrëfimet

Tash së fundi disa ish të burgosur kanë filluar rrëfimet nëpër media të ndryshme apo në portale të ndryshme. Para se të flasim disa gjëra rreth rrëfimeve nga UDB-ashët së pari duhet të sqarojmë se çka është UDB-ja.

UDB-ja është shërbimi informativ i periudhës së ish-Jugosllavisë që në fakt ka kryer shërbim të dyfishtë: edhe në shërbim të Jugosllavisë, si dhe në shërbim të Serbisë si republikë më me ndikim në ish-Jugosllavi. Dihet se rekrutimi i përzgjedhjes së njerëzve për t’i futur në këtë shërbim informativ, (ashtu siç bëhet edhe në çdo shërbim tjetër), nuk bëhet do si do. Pra në këtë shërbim nuk ka mundur të hyj gjithkush. Por ky shërbim ka pasur kritere të filtrimit të njerëzve të cilët do të punojnë për të. Natyrisht kriter kryesorë ka qenë edhe pedigreja familjare. Largimi nga ky shërbim nuk mund të jetë bërë sipas interesit dhe qejfeve të personave të punësuar në këtë shërbim. Nëse dikush ka dalur jashtë linjave të këtij shërbimi duke e dëmtuar imazhin e këtij shërbimi, ai person nuk ka mbetur i pa ndëshkuar. Nëse dikush ka tentuar të largohet nga ky shërbim, çmimi ka qenë jeta. Ka mundur të ketë hyrje vullnetare përmes kritereve të përzgjedhjes, por asnjëherë s’ka mundur të ketë dalje vullnetare nga shërbimi i quajtur UDB. Largimi përfundimtar i njeriut nga UDB-ja është bërë tri ditë pas vdekjes së vet personit: ku ditën e parë shërbimi ka mundur të marrë vesh por jo edhe ta verifikoj informatën se filani paska vdekur. Ditën e dytë është bërë konfirmimi i vërtetësisë së informatës rreth vdekjes së personit, kurse ditën e tretë është bërë shlyerja e të njëjtit nga njerëzit e gjallë.

Prandaj edhe i ashtuquajturi largim i disa shqiptarëve në periudhën e rënies së monizmit, de fakto mund të ketë qenë largim, por jo edhe de jure. Sepse për këto ka vendosur “veliki gazda”. Pra ka ndodhur vetëm rindarja e roleve të dramës brenda skenës së hapësirës gjeografike. Kështu që një pjesë ka mbetur aktive, publike e një pjesë përsëri ka vazhduar të jetë aktive por jo publike.

Sërish rreth torturave

Disa të ish – të burgosur politikë gjatë rrëfimeve të tyre deklarojnë se disa nga UDB-ashët shqiptarë kanë pasur bindjen se Jugosllavia është e pa mposhtur. Disa kanë menduar se UDB-ashët e tillë detyrën që janë duke e bërë e kanë pasur pune. Disa mendojnë se sjelljet e UDB-ashëve të tillë janë edhe nga dija e kufizuar e tyre. Me një fjalë disa prej të burgosurve politik. Dhe ndaj të gjithëve shprehin njëfarë amnistie, duke thënë se i falin për veprimet që kanë bërë. Është e kuptueshme indiferenca dhe mos interesimi i ish të burgosurve politikë ndaj UDB-ashëve shqiptarë, për të mos u hakmarrë personalisht. Sepse veprimtaria e ish të burgosurve politik nuk ka qenë veprimtari e drejtuar kundër asnjë individi të caktuar brenda UDB-së, por kjo veprimtari ka qenë e drejtuar kundër padrejtësive që u bëhej shqiptarëve nga të gjithë mekanizmat e shtetit, ku si rrjedhojë veprimtaria e ish të burgosurve politikë synonte arritjen e të drejtave të barabarta ashtu siç proklamohej publikisht dhe siç nuk qëndronte asgjë në praktikë. Prandaj edhe kërkesa ishte për realizimin e Republikës së Kosovës, si akt juridik përmes se cilës do të synoheshin të realizoheshin të gjitha të drejtat e shqiptarëve, ashtu siç këto të drejta i kishin të tjerët në ish – Jugosllavi. Nga ky prizëm të burgosurit politik nuk kanë luftuar kundër individit qoftë ky shqiptar apo serb, por kundër padrejtësive të shtetit dhe për realizimin e qëllimeve të shqiptarëve brenda këtij shteti unitarist. Mirëpo asnjë i burgosur, nuk mund t’i fal dhembjet e veta, vuajtjet e veta, gjakun e vet, asnjë xhelati që ka punuar brenda UDB-së. Hakmarrje individuale natyrisht nuk ka pasur dhe mirë që nuk ka pasur sepse edhe këtë do ta kishte përdorur UDB-ja për interesa të veta duke i hedhur benzinë zjarrit për vëllavrasje brenda shqiptarëve.

Arsyetimi dhe propaganda e UDB-ashëve

Por këto vuajtje nuk duhet të falen nga vet shteti i Kosovës, i cili duhet t’i mbledh të gjitha shënimet dhe të bëj atë që mund të bëj.

Ish pjesëtarët e UDB-së arsyetohen se detyrën që e kanë kryer e kanë pasur vend pune. Madje brenda këtij vendi të punës, konsiderojnë që e kanë ndihmuar çështjen shqiptare, duke i mbrojtur interesat shqiptare brenda ish sistemit jugosllav. Këto janë përrallisje të kota të arsyetimeve bajate rreth dhunës së shfrenuar që kanë përdorur ndaj shqiptarëve gjatë kohës sa kanë punuar brenda UDB-së. Tani ata i varin medalje patriotike në qafë vetvetes, në vend se të dalin publikisht dhe të bëjnë pendim publik dhe falje publike për veprat ç’njerëzore që kanë kryer. Ata arsyetohen duke thënë se kanë zbatuar ligjet ekzistuese të kohës, por duke “harruar” se në asnjë ligj, edhe të asaj kohe, nuk ka qenë e shkruar askund, se duhet të përdoret dhunë fizike e psiqike, ku të burgosurit pastaj do t’i lëngojnë dhembjet për tërë jetën. Pra në asnjë ligj nuk ka qenë e shkruar se duhet ndalur cigarja në trupin e të burgosurit dhe forma të tjera të torturimit.

Këta UDB-ash të pa shpirt, edhe para luftës kanë propaganduar gati për secilin të burgosur duke përhapur gjëra denigruese gjoja se janë bërë bashkëpunëtor të shërbimit, gjoja se jetojnë nëpër hotele nëpër Serbi e ish-Jugosllavi, gjoja se rrëfejnë gjëra kundër shkove të vet për të krijuar kështu përsëri huti pabesueshmëri në opinion, në fakt duke tentuar kështu që t’i zhveshin nga ndikimi i të burgosurve politikë në masë.

Kështu nga logjika e shëndosh nuk është vështirë për t’u kuptuar se ndaj njerëzve, ndaj të cilëve UDB-a më së shumti është propaganduar, pushteti ka paraparë më së shumti rrezik.

Edhe në periudhën e pasluftës për ta shfajësuar vetveten ish UDB-ashët, kanë tentuar që t’u zvarriten njerëzve me ndikim në politikë dhe sidomos komandantëve të UÇK-së, natyrisht duke u ofruar edhe ndonjë të dhënë interesante nga UDB-a, e në veçanti krahas të dhënave, duke ju ofruar edhe para, sepse dihet që asnjë UDB-ash nuk e ka pasur gjendjen e keqe ekonomike, sepse UDB-ja u ka ndihmuar përpos mirëqenien e vet, u ka ndihmuar edhe ndihma me para shtesë për arritjen e qëllimeve të reja duke u shoqëruar e afruar me njerëzit e rinj që qeverisin vendin në situata të reja. Qëllimi në këtë rast është që përpos që t’i kenë punët e veta mirë, pra për ta pasur të sigurt jetën fizike, në fakt edhe për ta vazhduar punën e UDB-së në mënyrë të fshehtë. Kështu përmes këtyre makinacioneve, parave, ofrimit të informacioneve, laritjeve, këta kanë arritur që të afërm të tyre, fëmijë të tyre, nipa, mbesa etj, t’i punësojnë në shumë vende me rëndësi të veçantë, në institucionet e ndryshme të Kosovës. Të gjithë këta të punësuar, paraprakisht e kanë pasur të mësuar gjuhën angleze, bashkë me ndonjë fakultet ku tëra këto i vënë në shërbim të tyre, së bashku me ndjenjën horizontale të qëndrimit ndaj padronëve të politikës.

Prandaj edhe disa ish UDB-ash jo që nuk ndjehen indiferent por ndjehen edhe superior edhe në kohën e sotme, prandaj edhe janë lajmëruar për të dalë në media dhe për të treguar xhevahiret e patriotizmit të tyre. Dhe të gjitha këto, do të jenë përpjekje për të treguar se si ata i paskan ndihmuar njerëzit gjatë kohës së monizmit, sepse nëse nuk do të ishin ata sipas tyre, të gjithë ish të burgosurit do të binin në duart e serbëve, ku do të trajtoheshin mizorisht; ku edhe do të ketë rrëfime të veprimeve patriotike të tyre në periudhën e të ashtuquajturit largim nga UDB-ja në fillim të viteve të 90-ta, e që sipas tyre pastaj kanë vazhduar për të punuar për alternativën kosovare, pra për çështjen shqiptare.

Janë të njohura gjërat në praktikën botërore ku për arritjen e qëllimeve të mëdha, me vetëdije servohet edhe ndonjë informacion nga UDB-a. Ashtu siç e njëjta gjë ndodh edhe sot, ku të ashtuquajturit bashkëpunëtor të dyfishtë shqiptarë shkojnë në Beograd për të dërguar informacione, dhe nga Beogradi marrin informacione për t’i sjellë në Kosovë, por që gjithmonë ndodh që në Beograd dërgojnë informata të dorës së parë, ndërsa nga Beogradi sjellin informata të dorës së tretë, ku në shumë raste para ardhjes së informatës së tillë në Kosovë, kjo informatë del në media.

Të gjitha këto rrëfime të ish të burgosurve rreth vuajtjes së tyre janë treguesi më i mirë se shteti i Kosovës duhet të insistojë në realizimin e ligjit të Lustracionit. Sa më shpejt që të bëhet kjo, aq më funksionale dhe të pavarura bëhen institucionet e Kosovës. Në të kundërtën edhe shteti i Kosovës është bashkëpërgjegjës përmes heshtjes ndaj kësaj dukurie. Që të pritet për t’u bërë ndonjë lustracion i mirëfilltë, duhen dosjet e të gjithë personave të caktuar. Të gjitha dosjet gjenden në Serbi. Dhe Serbia nuk është e interesuar, ashtu siç do të ishte i interesuar asnjë shtet për t’i komprometuar bashkëpunëtoret e vet. Por përkundër të gjitha këtyre pamundësive juridike që i krijon Serbia, mjaftojnë të dhënat praktike të njerëzve që punuan për të përgatit praktikisht revolucionin.

Çështja pse kanë heshtur për një kohë kaq të gjatë, ish të burgosurit: që nuk janë deklaruar, është relative. Arsyet për këtë qëndrojnë në faktet se gjatë viteve të 90-ta në Kosovë nuk kishte media. Kurse në periudhën e pasluftës gjithashtu mediat ishin në konsolidim e sipër, por të gjitha këto media kishin, “punë më të mëdha” sepse disa nga njerëzit me ndikim të luftës, pos tjerash, filluan të merren me “punë dasmash”.

Në vend të epilogut: Lufta speciale nga UDB-ja kundër të burgosurve politik

Ndaj të burgosurve politik UDB-ja nuk ka qëndruar indiferente as gjatë kohës të qëndrimit të tyre në burg, dhe as pas daljes nga burgu.

Gjatë qëndrimit në burg, UDB-ashët të cilët kanë marrë pjesë vet në torturimin e të burgosurve, përmes informatorëve të tyre, si dhe vet ata kudo ku kanë pasur mundësi, kanë propaganduar kundër të burgosurve politik në mënyra të ndryshme, se si: të burgosurit politik e kanë spiunuar njëri tjetrin; ata kanë treguar për njëri tjetrin; dhe ne nuk kemi pasur mundësi se si t’i mbrojmë. Përkundrazi me vet faktin se ne i kemi marrë në pyetje i kemi mbrojtur, se përndryshe do të kishin përfunduar në duart e serbëve. Na vjen keq tani me hy dhe me rrëfy se çka dimë për filanin apo fistekun, sepse do të çuditeshit edhe ju me ju rrëfy se çka dimë për ta (natyrisht pa sjellë asnjë dëshmi). Në këtë drejtim janë të njohura prononcimet e UDB-ashëve se filani apo fisteku janë bashkëpunëtor tanët të ngarkuar me detyra nëpër republika të ndryshme të Jugosllavisë apo edhe në perëndim. Dihet se p.sh për Ali Lajqin apo ndonjë tjetër, janë prononcuar duke thënë se janë në hotele me pesë yje, se nuk janë nëpër burgje. Dhe propaganda e paskrupullt e UDB-së ka vazhduar pothuaj ndaj secilit të burgosur politik, duke e përfshirë madje edhe Adem Demaçin, ndaj të cilit nuk kanë pushuar të hartuari gënjeshtra nga më të ndryshme, se qenka bërë bashkëpunëtor i UDB-së, madje qysh gjatë kohës së shërbimit ushtarak në vitet 50-ta, duke harruar këta të mjerë se po gjatë asaj kohe vet Adem Demaçi kishte qenë në burg, dhe se Adem Demaçi kurrë nuk e ka kryer shërbimin ushtarak në kohën e Jugosllavisë.

Pas rënies së Komunizmit disa polic e lëshuan vendin e punës, e bashkë me ta edhe disa nga punonjësit e Shërbimit të Sigurimit serb, pra punonjës të UDB-së. Ndërkaq disa vazhduan punën e tyre publikisht për të punuar në UDB. Në fakt kjo është vetëm ndërrim rolesh në skenën e re të krijuar në hapësirën e njëjtë, sepse të gjithë këta UDB-ash gjoja të dalë nga UDB-ja, u futën në LDK dhe brenda LDK-së filluan t’u lariteshin personaliteteve të caktuara të LDK-së për të krijuar besim te ta, duke dhënë ndonjë informacion interesant për situatën e kohës. Dhe LDK-në e kohës së atëhershme, krijuan njëfarë besimi. Në vazhdën e këtij misioni, ata filluan që disa personalitete të caktuara që nga niveli qendror e deri te nivelet lokale të vazhdonin për të bërë luftën e ftohtë brenda shqiptare. Pra të vazhdonin për të propaganduar kundër ish të burgosurve që tashmë kishin hyrë në radhët e LDK-së. Dhe propaganda bëhej duke i etiketuar me nofka dhe profka të ndryshme si: kemi informata të sigurta se filani apo fisteku janë kundër linjës së LDK-së, janë kundër Ibrahim Rugovës, janë marksist leninist, janë enverist etj., si të tillë ata dëshirojnë që të krijojnë kaos në Kosovës, dëshirojnë që të sjellin luftë në Kosovë ku dihet se Serbia në rast të luftës do të na shfaroste për tri ditë. Në këtë vazhdë nuk kanë përtuar për të trilluar tregime e përralla nga më të ndryshmet për secilin të burgosur, me qëllim të zhveshjes së ndikimit të tyre politik në masë.

Në fakt koha vërtetoi se platforma e të burgosurve politik si dhe veprimtaria e tyre ishte fazë parapërgatitore e revolucionit që në fund do të ndodhte. Dhe më në fund ndodhi. Të burgosurit politik nuk kishin iluzione se liria do të pikte nga qielli si kokrra gruri. Pra nuk kishte iluzione për të besuar se liria do të vinte falas, pa luftë, sepse pa luftë nuk u nda as Sllovenia, as Kroacia dhe mos të flasim më për Bosnjën. E si mund të ishte ndryshe me Kosovën kur shqiptarët nuk i takojnë etnisë sllave?!

Numri i tërësishëm i njerëzve që kanë marrë pjesë në luftë është i vogël, numri i tërësishëm i të burgosurve që kanë qenë nëpër burgje ndonëse është i madh, megjithatë është i vogël në krahasim me masën e gjerë të popullatës shqiptare në Kosovë. Prandaj si te çështja e të burgosurve, si te çështja e pjesëmarrësve në UÇK, një numër i shqiptarëve që ka ndenjur indiferent gjatë kohës së luftës, apo edhe ka zhvilluar propagandë kundër luftës, tani sërish vazhdojnë të zhvillojnë propagandë kundër të burgosurve politik apo edhe të zhvillojnë propagandë kundër ushtarëve të UÇK-së. Kjo bëhet nga njerëz të porositur të cilët kanë lidhje të drejtpërdrejta apo të tërthorta me familjet, të cilat kanë qenë të lidhura apo janë të lidhura akoma me UDB-në. Kësaj pjese i bashkohet në mënyrë të pavetëdijshme edhe një pjesë e njerëzve të cilët kanë mungesë të informacioneve. Ashtu siç kësaj pjese u bashkëngjitet në mënyrë të vetëdijshme edhe një pjesë e njerëzve të cilët janë të etshëm për karrierë dhe për realizimin e qëllimeve të tyre nuk lënë gur pa lëvizur, qoftë kundër të burgosurve politik, qoftë edhe kundër pjesëtarëve të UÇK-së. Këta janë pjesë e kategorisë së njerëzve të padenjë për të sakrifikuar qoftë edhe një qime floku për interesa të atdheut. Por shumë nga këta nuk harrojnë të shkojnë të falen nëpër xhami e kisha, dhe sapo të dalin nga kishat e xhamitë e vazhdojnë propagandën e fëlliqur kundër njerëzve të sakrificës për çështje kombëtare. Këtu, është pra në pyetje çështja e ndërgjegjes. Ku ndërgjegja e vrarë, përkatësisht ndërgjegja e papastër nuk e ndien vetën të sigurt në mesin e ndërgjegjes së pastër. Prandaj këta njerëz me këtë ndërgjegje nuk lënë gjë pa bërë dhe nuk lënë propagandë pa përkrahur vetëm e vetëm që t’i barazojnë ndërgjegjet sipas interesave të tyre. Por megjithatë dihet mirëfilli se ndonëse ndërgjegja e papastër nuk e ndien vetën të sigurt në mesin e ndërgjegjes së pastër, ata kurrë nuk mund të krahasohen dhe as të barazohen me njerëzit me ndërgjegje të pastër.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here