Si po e minon morali politik të ardhmen tonë

Shkruan: Atdhe Gjoci

Për Aristotelin, morali politik është thelbësor dhe i pandashëm nga etika individuale. Ai besonte se virtyti nuk mund të zhvillohet në izolim, por vetëm brenda një komuniteti politik.
Për mendimtarë si Ernest Renan, kombi nuk është vetëm territor apo gjuhë, por një “plebishit i përditshëm”, një solidaritet i bazuar në kujtimet e përbashkëta të së kaluarës dhe vullnetin për të jetuar së bashku në të ardhmen.

Kjo thellësi e identitetit është ajo që e dallon patriotizmin e vërtetë, atë që Alasdair MacIntyre do ta quante patriotizëm kritik, për dallim nga nacionalizmi i verbër. Një patriot i vërtetë, e do kombin e tij për virtytet që ka dhe angazhohet për të mirën e tij, por nuk është i verbër ndaj të metave apo padrejtësive.
Politika autoritare dhe ajo servile, megjithëse dukshëm të ndryshme, shpesh burimet e tyre i kanë në një mungesë të thellë të moralit politik dhe një keqkuptim në rolin për kombin.
Politika autoritare, si një mur i pashqeshëm, synon të kontrollojë çdo aspekt të jetës. Ajo shpesh shfaqet nën petkun e patriotizmit, por në thelb është një karikaturë e tij. Ajo abuzon me ndjenjën e unitetit për të konsoliduar pushtetin, duke shtypur disidencën dhe duke instaluar frikën. Kjo shprehi politike, si një gjigant me këmbë prej balte, e përçmon diversitetin e brendshëm dhe e sheh botën në terma bardh e zi, duke krijuar armiq aty ku nuk janë dhe duke forcuar identitetin kombëtar përmes urrejtjes dhe përjashtimit.

George Orwell, në analizat e tij, do të theksonte se kjo nuk është patriotizëm, por nacionalizëm, një dëshirë për pushtet dhe dominim.
Kjo politikë është si një lëkundje e vazhdueshme e busullës, ku drejtimi caktohet nga forcat e jashtme, jo nga vullneti i brendshëm. Ajo buron nga një ndjenjë inferioriteti si një hije që ndjek gjurmët e dikujt tjetër dhe shpesh justifikohet me “interesa kombëtare” apo “stabilitet”, por në thelb shkel dinjitetin dhe sovranitetin.

Një shtet që shfaq servilizëm, duke dëshmuar gatishmërinë për të sakrifikuar simbolet apo kauzat kombëtare për hir të “raporteve të mira” apo përfitimeve afatshkurtra (siç mund të interpretohet rasti i simboleve të UÇK-së në “Air Albania”), tregon një plagë të thellë në vetëdijen e tij kombëtare. Kjo është antiteza e asaj që Immanuel Kant do të priste nga një qeveri e bazuar në detyrën universale dhe dinjitetin njerëzor.
Këtë e dëshmon edhe mungesa e thellë e moralit politik te deputetët tanë, e dëshmuar në 29 herët e moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës, është një tragjedi që shpalos një krizë të thellë të vetëdijes shoqërore, është pasqyrë e shëmtuar e një deficiti thelbësor në përmbushjen e detyrave ndaj vendit.

Kjo situatë është si një anije pa timon në mes të detit, ku ekzistenca e vetë udhëtarëve vihet në rrezik nga paaftësia dhe papërgjegjshmëria e ekuipazhit për t’u marrë vesh.
Kjo është një simptomë e thellë e një krize morale dhe e mungesës së një vetëdijeje të fortë kombëtare dhe shoqërore.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here