Nga Rrahman Jasharaj
Nuk është e imja të bëj analizë të dialogut të jashtëm të Qeverisë e as të veprimeve të saj në Veri, por këto po i përmend për të theksuar se Kurti dhe Qeveria e tij në emër të dialogut të jashtëm dhe veprimeve dhe gjendjes në Veri ka ngulfatur dialogun e brendshëm dhe ka zhvilluar luftë të vazhdueshme të për shuar sindikatat; dhe këtë detyrë e ka marrë nga Kurti ministri Murati.
Ky ministër i urren sindikatat dhe bëri çmos që t’i shuajë ato me përpjekjet fillestare bashkë me Kurtin që të krijojnë tronditje brenda sindikatave dhe të sjellin udhëheqës sindikalë që janë njerëz të tyre. Po ta kishin arritur këtë, atëherë Qeveria do të zhvillonte përditë takime me ta, do të fotografoheshin dhe ata udhëheqësit sindikalë të shitur do të ngritnin në qiell Qeverinë duke gënjyer për të. Qeveria Kurti dështoi në këtë përpjekje dhe prandaj SBASHK-u dhe disa nga sindikatat tjera u janë bërë halë në sy dhe nuk pushuan me luftën kundër tyre.
Ministri Murati kishte shpresë se me platformën e-Kosova do t’i gjunjëzonte sindikatat, duke menduar se anëtarësia do të hezitonte të regjistrohej, sepse edhe procedurat janë të koklavitura. Duhet pranuar se me këtë veprim, të vetmin në Evropën demokratike, ai arriti të godas rënd disa nga sindikatat, sepse anëtarësia e tyre në numër të vogël është regjistruar në këtë platformën e Hekuranit dhe në mungesë mjetesh ato vështirë se mund të funksionojnë dhe rrezikojnë të shuhen.
Hekurani syrin e kishte të SBASHK-u për ta shuar, por i shkoi plani huq, sepse në këtë platformë u regjistruan me mijëra anëtarë e po vazhdojnë të regjistrohen, sepse ata kanë besim të plotë në sindikatën e tyre. Hekurani duke e parë këtë realitet u inatos dhe bëri tash një veprim tjetër qindra anëtarëve të regjistruar nuk ua ndal kuotën sindikale. Kjo është goditje e radhës e tij, por pa rezultate.
Ministri Murati në vend të këtyre goditjeve duhet ta kryejë detyrën e tij e të mos e ngulfat dialogun e brendshëm, por të riaktivizojë Këshillin Ekonomik Social dhe përmes tij edhe të krijohen kushtet që të nënshkruhet Marrëveshja Kolektive, e cila vetëm në Kosovë, krahasuar me vendet e Ballkanit e Evropës, mungon.
Kryeministri Kurti dhe Ministri Murati duhet të pajtohen se këto janë sindikatat në Kosovë dhe këta janë udhëheqësit e tyre që janë zgjedhur me votën e anëtarësisë dhe se vetëm kjo votë mund t’i shkarkojë ata dhe të nisë me dialogun e sinqertë me ta duke shqyrtuar kërkesat e anëtarësisë e duke i zgjedhur e realizuar ato.
(Autori është kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës në Kosovë – SBAShK)