Plani i Trump dhe Putin: Zgjedhje ose grusht shteti për ta zëvendësuar Zelenskyn me një oligark që u përshtatet

Vatikani po luan sërish një rol në negociatat për arritjen e paqes në Ukrainë. Sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet, Paul Gallagher, bisedoi në telefon me Ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov. Selia e Shenjtë, bën thirrje të çohet përpara një negocim i pa balancuar SHBA-Rusi. Por Stefano Caprio, një prift katolik i ritit bizantin në Rusi në vitet 1989-2002, sot teolog dhe ekspert i botës ruse, thotë se Trump dhe Putin kanë objektiva të tjera, si për shembull largimi nga pushteti i Zelenskyt dhe krijimi i një qeverie më komode për ta. Në këtë kuadër, paralajmërohet rikthimi në skenë i oligarkëve ukrainas.

Gallagher dhe Lavrov folën edhe për nisma që synojnë ndalimin e luftimeve. A po luan Vatikani sërish një rol në negociatat e paqes në Ukrainë?

Vatikani nuk mund të bëjë shumë për ta ndaluar luftën. Ai po përpiqet që të dëgjohet zëri i tij. Evropa flet vetëm për riarmatimin, Amerika për biznes. Dhe në këto negociata, duket se askush nuk dëshiron të flasë realisht për paqen. Prandaj e shoh si një përpjekje për të rikonfirmuar nevojën për të gjetur një rrugëdalje nga kjo luftë. Ndërkohë Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se nuk do të jetë e mundur të arrihet një armëpushim për Pashkë, që ishte një nga premtimet e Trump.

Pse?

Sepse rusët përdorin taktikën klasike sovjetike për t’i zgjatur sa më shumë bisedimet, duke mbajtur hapur të gjitha mundësitë, dhe duke vazhduar sulmet në terren. Në vetëm një bombardim të kryer së fundmi, vranë më shumë se 80 oficerë ukrainas dhe trajnues ushtarakë perëndimorë. Tani që Ukraina s’ka më ndihma ushtarake nga Amerika, është shumë më e cenueshme.

Atëherë për çfarë po bisedohet?

Kreu i delegacionit rus, Kirill Dmitriev, sapo ka vizituar SHBA-në për të folur me Steve Witkoff. Ata diskutuan mbi bashkëpunimin në Arktik, mineralet e rralla, dhe mbi shumë sektorë të tjerë në të cilët SHBA dhe Rusia duan të ndërtojnë marrëdhënie pozitive. Nuk u përmend fare Ukraina, por heqja e sanksioneve ndaj Moskës, dhe rihapja e linjës ajrore direkte midis dy vendeve. Në këtë kontekst, Ukraina është një faktor krejtësisht dytësor.

Cilat janë pengesat kryesore në negociata?

Trump tha se është i zemëruar me Putinin, sepse ky i fundit nuk dëshiron të takohet me Zelenskyn, pasi nuk e konsideron një president legjitim. Nga ana tjetër, vetë Trump këmbënguli që Zelensky të thërriste zgjedhjet e reja presidenciale, duke e bërë të qartë se edhe ai nuk e konsideron atë si një lider shumë legjitim. Pra presidenti ukrainas e gjen veten në një pozitë shumë të vështirë.

Zelensky nuk po e firmos marrëveshjen me SHBA-në për burimet minerale, dhe vazhdon të kërkojë garanci se Ukraina nuk do të sulmohet më. Edhe Putin thotë se Rusia dëshiron të krijohen kushtet për sigurinë e saj. A jemi në një ngërç?

Interesi i vetëm i Trump është ekonomik. Ukraina mund t’i shërbejë vetëm nëse e ratifikon marrëveshjen për lëndët e para. Ndërkohë interesi i Putinit, është rinisja e kontakteve me Amerikën, jo vetëm sepse në Uashington ka një administratë në favor të rivendosjes së marrëdhëniet, por sepse ideologjitë Trumpiane dhe Putiniane janë të ngjashme. Shpresohet të arrihet një marrëveshje për ndarjen e botës, që përfshin gjithashtu Lindjen e Mesme dhe Iranin, në të cilin Ukraina është vetëm një aspekt dytësor.

Gjithsesi, rusët duhet të kenë domosdoshmërisht plane në lidhje me Ukrainën. Cila është strategjia e tyre?

Qëllimi i Putinit është shumë i qartë: Ai dëshiron largimin e Zelenskyt dhe qeverisë se tij, që ai i cilëson si “nazistë”, duke shpresuar se do jetë në gjendje të vendosë në krye një qeveri pro-ruse. Kjo nuk do të ishte dhe aq e vështirë, duke qenë se në 30 vjet histori si shtet i pavarur, ata s’kanë bërë gjë tjetër veçse kanë alternuar qeveritë pro-ruse dhe pro-perëndimore.

Tani që nuk po mbështetur më aq shumë nga Perëndimi, është më e pambrojtur, dhe rusët po e godasin shumë fort. Nëse nga pikëpamja ushtarake, Kievi nuk do të rezistojë, ekziston rreziku jo vetëm që të ketë zgjedhje dhe një qeveri pro-ruse, por edhe një grusht shteti kundër Zelenskyt.

Çfarë skenari hapet për të ardhmen e Ukrainës?

Trump dhe Putin do të përpiqen të ndikojnë në zgjedhje, të cilat mund të fitohen nga oligarkët ukrainas. Disa janë shumë pro-rusë dhe një pjesë ndodhen jashtë vendit, por ende të përfshirë në çështjet e Ukrainës. Në skenë mund të rishfaqet Poroshenko. Ai ishte presidenti hiper-nacionalist përpara Zelenskyt, linjën e të cilit presidenti aktual e trashëgoi për t’u mbrojtur nga Rusia. Poroshenko, që teorikisht është anti-rus, është oligark, ndaj do të merrej vesh me Moskën për 2 minuta, ashtu si Trump. Ai është një biznesmen, dhe mund të jetë një alternativë e mirë edhe për SHBA-në.

Çfarë mund të bëjë Zelensky përballë këtij grupi?

Ai e kupton që s’ka shumë mundësi, por po reziston. Ishte ai që vitin 2021, firmosi një ligj kundër oligarkëve, sipas të cilit askush me mbi 80 milionë dollarë pasuri nuk mund të mbajë poste publike. Oligarkët iu nënshtruan sepse ishte periudha e luftës anti-korrupsion. Pastaj erdhi lufta tjetër, dhe tani ata janë kthyer në qendër të vëmendjes. Bsoj se si Putin ashtu edhe Trump janë të interesuar të ndryshojnë regjimin në Ukrainë, për të pasur një qeverie që u pëlqen të dyve.

Sekretari i Shtetit, Rubio, tha se amerikanët nuk duan negociata pa fund por një zgjidhje të shpejtë. Nëse dështojnë, a mund të rinisin furnizimet me armë për Ukrainën?

Nëse Putin bëhet shumë i ngurtë në pozicionet e tij, s’mund të përjashtohet si mundësi, por nuk mendoj se do të arrihet në atë pikë. Për ta, është më e lehtë të përpiqen ta rrëzojnë Zelenskyn.

Nëse nuk ka armëpushim në Pashkë, kur mund të ndërpriten luftimet?

Më 9 maj do të ketë një paradë në Sheshin e Kuq të Moskës. Putini do të donte ta shpallte atë ditë fitoren në Ukrainë. Do të ketë një armëpushim vetëm nëse ai mund ta paraqesë atë si fitoren e tij. Ai ëndërron që Trump dhe Xi Jinping të shkojnë në Moskë, për të shpallur perandorinë e tyre botërore.
Shkruar nga Paolo Rossetti
“Il Sussidiario”/ Krrespodnti

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here