Një ditë feste edhe për Kainin!

Nga Gent Strazimiri

Mbase nuk jemi vendi me më shumë festa e ditë pushimi në glob, por nuk besoj se kemi shumë vende të tjera në këtë listë sipër nesh.

Celebrojmë ditët e rëndësishme historike e politike që kanë vendosur gur kilometrikë në historinë e zhvillimin tonë si çdo komb tjetër.

Celebrojmë data fillimi e mbarimi luftërash të përgjakshme kombëtare apo betejash ndërkombëtare për barazi gjinore e sociale.

Celebrojmë me krenari paqen mes besimeve që i falen të njëjtit Zot, në një botë që besimin e ndryshëm e ka çdo ditë e më tepër “casus bellii”.

Në fakt, numri i lartë i ditëve të pushimit dhe festave i dedikohet shumë edhe koloritit e diversitetit të besimeve fetare mes nesh apo personaliteteve fetare që na kanë nderuar e na bëjnë krenarë si pak kombe të tjera në botë.

Në këtë vend të gjithë bijtë e Zotit të Abrahamit a Ibrahimit ë, (quajeni si të doni), kanë të drejtën reale të festojnë të patrazuar ditët e shenjta në harmoni të plotë me “kushërinjtë” e tyre, bij të të njëjtit Zot, që në cepa të tjerë të globit e kanë ditë përgjakjeje e përplasjesh.

Ne celebrojmë ditëlindjet apo ditë vdekjet e profetëve, nderojmë nëpër faltore, sipas besimit, ditët e shënuara të të gjithë të përmendurve në “Dhjatën e Vjetër”, në “Dhjatën e Re”, në “Kur’an” e madje edhe në “Tora”.

Nga kjo pikëpamje ndjehem me fat që jam pjesë e gjakut dhe mishit të një kombi e shoqërie që besimin në Zot e ushtron në mënyrë “laike” e të shëndetshme, ç’ka na bën të veçantë e pothuaj unikë në glob.

Mirëpo, ajo që na bën vërtetë unikë në glob, dhe mua aspak krenar, është fakti që jemi të vetmit që në morinë e madhe të festave e ditëve të pushimit, kemi edhe një ditë ku celebrojmë të vetmin personazh librash të shenjtë që nuk e feston e as e nderon askush, në asnjë kënd të globit…

Përkundrazi e dënon çdo besim e kulturë sado e paavancuar: KAININ!

E bëjmë, nën imponimin e po atyre ateistëve që i shpallën luftë edhe Zotit, librave të shenjtë pa dalllim e, që konsideruan armik të pandreqshëm cilindo Besimtar të Lirisë, pavarësisht nëse besonte a jo në Zot…

E bëjmë çdo 29 nëntor!

Ky fakt nuk ka lidhje me Zotin, e prandaj s’ka Zot që na bën derman…

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here