Shkruan: Atdhe Gjoci
Lëmoshë është kur lypë pa dhënë gjë në këmbim të asaj që kërkon, e kërkon siç thotë populli për sevap. Por, ti mësuesi im i dëshmuar meriton më shumë se pagë. Fisnikërinë tënde nuk e peshon asgjë.
Të bësh pazare lëmoshe e të thuash se “e meritoj” dhe ky është një shpërblim, është turp, e jo virtyt. Kërkojeni atë që e meritoni dhe peshojeni kërkesën më punën që e bëni.
Kur bën aleanca me politiken, dije se edhe ne e dimë se je aleat i asaj politike. Madje duhet ta bësh hesapin mirë se një ditë do t’i përgjigjesh aleatit. Ndoshta duhet ta sakrifikosh më të dhimbshmen për të.
Sot, prijatari i BSPK-së si aleat politik, është dashur të ngriste zërin edhe për punonjësit privat dhe jo veç për veti. Ndoshta edhe aleati opozitar do të niste protesta të rrepta, sepse do ishte rasti më i mirë për ta kapur një “kaq’ik”.
Po bëheni sikur Kosova s’ka të tjerë pos juve. Të ju rritet rroga dhe ju si këmbim të ja rritni vendit numrin e analfabetëve dhe ta turpëroni para PISA-s. Bile, shumë nga ata që përfaqësoni ju, nuk meritojnë as të jenë aty.
Unë kam qenë nxënës dhe i njoh siç i njeh çdo qytetar i Kosovës mësuesit e vet. Dije se ka shumë mësues që nëse bëhet ndonjëherë test provues, ata nuk e kalojnë. Dhe për më keq se kaq, ka nga këta që pinin birra dhe hanin sallama në drejtoritë e shkollave, duke u sorollatur me mësueset, dhe nxënësve u jepnin si detyrë klase të shkruanin alfabetin në klasë të pestë.
Luani i grevave paska kërcënue me padi, po dashka me i mbushë burgjet plot. Ju jeni vet ai që nxjerr komunikata dhe në çdo fjali, i keni nga dy e tri gabime drejtshkrimore.
Mendja e një kombi është arsimi, zemra e tij është morali i përgjithshëm. Shërbimin që bën arsimi për përmirësimin e një kombi, ligji s’mund ta bëjë kurrë.
Në kohen kur bota po përballet me krijimin e inteligjencës artificiale dhe me kryerjen e dy e më shumë zanateve për të qenë në nivel të kërkesave për tregun e punës, mësuesit tanë jo që bëjnë ndonjë zanat shtesë, por as atë ku janë certifikuar, nuk e mbrojnë dot para një testi provuese.
Mjerisht këta mësues janë rreshtue pas sindikatës këmbë e krye të kapur nga aleatët e tyre politikë dhe sot po shfrytëzohen si pykë për ta qarë pushtetin.
Mësuesi im i parë Aziz Agaj ka qenë dhe mbetet mësuesi i sojit human. Askush si ai nuk di të më bëjë fëmijë edhe njëherë. Kjo gjeneratë e mësuesve janë heronjtë e popullit, të dëshmuar në kohë shumë të vështira.
Dje me thirri një kushëri dhe mu drejtua me fjalët: “Meqenëse greva po vazhdon dhe fëmijët në aspektin e diturisë pothuajse nuk e kanë ndierë fare, po bëj përpjekje për të organizuar orë mësimi me pleq të fshatit, sepse rinia na ikën. Po deshe sjelle djalin tënd, ndoshta do të kalojë më mirë me ne. Nëse fizikan nuk e bëjmë, bile edukatë e sjellje do të marrë. Edukata është ajo që mbetet, kur njeriu harron atë që e ka mësuar në shkollë”.
P.s Mësuesi im, mos u merakos për gjendjen se nuk ta nxin dot imazhin analfabeti, kolegu yt dhe i punësuari politik.