Shkruan: Blerim Latifi
Diçka mbi krishtlindjen ortodokse në Kosovë
Ndonëse është në kalendarin e festave të cilat respektohen nga shteti, krishtlindja ortodokse tek shqiptarët në Kosovë nuk trajtohet fare si e tillë. Përkundrazi, ajo u shërben atyre kryesisht për t’i rikthyer kujtimet e hidhura nga e kaluara.
Kisha Ortodokse Serbe historikisht ka mbajtur një qëndrim armiqësor ndaj shqiptarëve në Kosovë. Ajo kurrë nuk ka hezituar që t’i frymëzojë dhe mbështes projektet e njëpasnjëshme të nacionalizmit shtetëror serb për deshqiptarizimin e Kosovës.
Për më tepër, ajo ka marrë pjesë aktivisht në këto projekte. Një nga kontributet e saj të rëndësishme në këto projekte është zhdukja e shqiptarëve ortodoksë të Kosovës.
Kur shkrimtarja dhe antropologia angleze Edith Durham në vitin 1909 e vizitoi Manastirin e Deviçit në Drenicë, ajo zbuloi diçka të papritur për të: arkimandriti (kreu) i manastirit ishte shqiptar. Me babë e nanë, siç i thonë fjalës. Ai e fliste për bukuri shqipen, ndërsa shërbimet fetare në manastir i kryente në gjuhën serbe. Kjo dëshmi, mes shumë të tjerave, na e shpërfaq faktin se deri në pushtimin e Kosovës nga Serbia në vitin 1912, në Kosovë kishte një bashkësi të shqiptarëve ortodoksë. Pas këtij viti, si pasojë e politikës së asimilimit të dhunshëm, kjo bashkësi zhduket brenda një kohe të shkurtër. Sot, siç thuhet nga një e dhënë e pakonfirmuar, në krejt Kosovën nuk ka më shumë se dyzet shqiptarë ortodoksë. Mbase edhe kjo shifër është e ekzagjeruar.
Pse shqiptarët ortodoksë të Kosovës nuk arritën t’i bëjnë ballë asimilimit në serbë?
Natyrisht asimilimi me dhunë është një pjesë e shkakut. Pjesa tjetër është se Rilindja Kombëtare Shqiptare nuk ia kishte dalë të depërtonte në vetëdijen e tyre. Ishte pikërisht kjo Rilindje e cila i kishte shpëtuar nga greqizimi shqiptarët ortodoksë në Shqipërinë jugore.
Por derisa shqiptarët ortodoksë shteti serb me dhunë i asimilonte në serbë, me shqiptarët muslimanë ndiqte një strategji tjetër asimilimi: turqizimin.
Me 1919 vetë Krajl Aleksandri e hapi Medresenë e Madhe të Shkupit për të nxjerrë kuadro që do t’i shërbenin politikës së turqizimit të shqiptarëve, ndërsa kryeministri i tij, dinaku Nikolla Pashiq, e nxiti krijimin e partisë politike islamike “Xhemijeti”, e cila do të afirmonte të drejtat fetare të shqiptarëve në Jugosllavinë monarkiste, por jo edhe të drejtat kombëtare të tyre. Në regjimin e krajlit kishe të drejtë të ishe musliman, por jo edhe shqiptar.
Në atë kohë tragjike, idetë kombëtariste shqiptare mezi gjallnonin në Kosovë. Streha e tyre e vetme ishin kleri katolik i Kosovës dhe kaçakët e maleve, të cilët ishin politizuar nga Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” me seli në Shkodër. Do të duhej të vinte viti 1941 që këto ide të mund të përhapeshin masivisht në popullatën shqiptare të Kosovës. Dhe kjo falë një rastësie fatlume, e cila kishte ardhur papritur nga trazira e madhe e Luftës së Dytë Botërore që e kishte mbërthyer botën.
Sipas Defterit osman te Sanxhakut te Vuçiternes (gjysma e dyte e shekullit XVI) Kosova kishte 309 priftrinj! Shumica e emrave te priftrinjeve i takojne emrave te ritit ortodosk kurse diçka me pak se 70 emra nga 309 sa ishin jane me baze te ritit te krishter katolik! Te ketij riti jane keta emra: Stefan- Stepë, Stepan (6 emra), Pavël- Pal (10 emra), Llukë (9 emra), Jakë (2 emra), Jovan- Gjon (11 emra), Lazër (3 emra), Mihal (2 emra), Nikollë (13 ) emra! Mbase kjo e dhene perafersisht duhet ta perfaqesoj edhe perqindjen mes dy riteve te krishtera e cila nese bazohemi te emrat sillet diku 70% ortodokse e 30% katolike ne mes te besimtareve te krishter dmth, pa i llogaritur qytetaret te cilet tashme kishin filluar ta perqafonin besimin fetar islam!
* Titulli nga Korrespodenti