1.2 C
Pristina
E martë, 30 Dhjetor, 2025

Pse efekti Dunning-Kruger dhe imitimi i Kurtit po e çojnë opozitën drejt “shuarjes”

Nga Atdhe Gjoci

Në konfiguracionin ontologjik të politikës së Kosovës po vërehet një dukuri që tejkalon analizën e thjeshtë elektorale. Një disonancë e lartë mes realitetit dhe perceptimit subjektiv krijon një situatë sa absurde, aq edhe të dëmshme për demokracinë brenda subjekteve opozitare.
Kjo gjendje, e ngjashme me një patologji të vetëperceptimit, njihet në shkencat kognitive si Efekti Dunning-Kruger, ku individë apo grupe me fuqi të kufizuar dështojnë të njohin pozicionin e tyre real, duke e mbivlerësuar peshën politike deri në kufijtë e asaj që quhet hubris.

​Arroganca e skajshme dhe dehja nga iluzioni i madhështisë sfiduan ligjet e rëndesës politike dhe vullnetin e sovranit. Ky ishte hubrisi i udhëheqjes së LDK-së në veçanti; një lloj “dehjeje” intelektuale që e bënte Abdixhikun të sillej si triumfator, ndërkohë që numrat dhe realiteti në terren dëshmonin të kundërtën. Për ta ilustruar këtë fenomen me një shembull historik, sa qesharak aq edhe tragjik, vlen të përmendet rasti i Florence Foster Jenkins.

Ajo ishte një grua që jetonte me iluzionin e palëkundur se ishte një soprano gjeniale, ndërkohë që, në realitet, nuk mund të mbante asnjë notë. Publiku nuk shkonte në “Carnegie Hall” për artin e saj, por për të parë mrekullinë e dikujt që sillej si diva më e madhe e skenës, pa pasur asnjë talent.
​Përvoja politike tregon se pas çdo hubrisi vjen pashmangshëm rënia, sepse asnjë politikan nuk mund të fluturojë gjatë me krahë dylli mbi nxehtësinë e të vërtetave elektorale.

​Problemi u thellua edhe më shumë kur opozita aktuale përjashtuar deri diku AAK-në ra në kurthin e imitimit steril të Kurtit. Përpjekja për të paketuar platforma si “Rruga e Re” nuk ishte gjë tjetër veçse një tentativë për të kopjuar estetikën, idetë dhe metodat e Lëvizjes Vetëvendosje. Por, në tregun e ideve, njerëzit gjithmonë zgjedhin origjinalin para kopjes.

​Këtu luan rol i ashtuquajturi “Halo-efekt” (Efekti i Kurorës), i cili operon fuqishëm mbi pushtetin aktual. Ky paragjykim kognitiv bën që çdo veprim i liderit dominues të perceptohet përmes një kurore pagabueshmërie, ku dështimet interpretohen si sakrifica të domosdoshme dhe gabimet si manovra strategjike. Përballë këtij efekti që mbron figurën e Kurtit, opozita u tregua e pafuqishme për të krijuar një alternativë reale. Duke u përpjekur të flasin me gjuhën e tij, ata vetëm sa e përforcuan këtë “halo” te kundërshtari, duke pranuar në heshtje se ai është standardi prej nga buron drita politike.

​Analet e historisë dëshmojnë se sistemet nuk rrëzohen nga ata që i imitojnë, por vetëm nga forcat që guxojnë të jenë rrënjësisht ndryshe.
Vërtetësia ideologjike nuk ishte thjesht një zgjedhje, por i vetmi antidot që mund ta shpëtonte LDK-në nga asimilimi politik.

Meqenëse ajo nuk e gjeti forcën për t’u kthyer te identiteti i saj unik, rënia drejt irrelevancës u bë një proces i pashmangshëm.
​Nëse dikush do të përkujdeset për ta mbajtur edhe katër vjet të tjera në pushtet Albin Kurtin, këtë më së miri do ta bëjë kjo opozitë, e cila prodhoi akuza të rreme më shumë se reale dhe, në materien e vet, u tregua më shumë dekonstruktive sesa konstruktive dhe racionale. Përmes disa mediave dhe pseudo-analistëve, ata po e mbajnë pushtetin gjallë me “derset” e tyre kontradiktore, duke u “shitur” miopi votuesve të tyre.

​P.S.
Një pasqyrë që tenton të reflektojë dritën e tjetrit nuk ndriçon kurrë vetë; ajo kthehet në errësirë sapo lëviz burimi i dritës. Ashtu si në mbretërinë e hijeve, ku asnjë hije nuk mund ta vrasë trupin që e projekton, një opozitë që jetoi si “eho” e pushtetit pranoi vdekjen e vet politike përpara se të hynte në garë. Sepse, siç thoshte një aksiomë e vjetër: Kushdo që vesh maskën e armikut, përfundon duke mbrojtur kështjellën e tij.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME