E përtashmja apo sihariq i yshtur në profeci

Shkruan: Atdhe Gjoci

Tek po ecja bulevardit të qytetit nën shkëlqimin e flamujve, të vendosur për nderë të 28 Nëntorit, ditës së pavarësisë, s’ke si e bënë hapin tutje pa e menduar rrugëtimin në vite që ka kaluar për një shekull e ca pavarësie populli ynë. Me plotë sakrifica, vuajtje, varfëri, përndjekje e çka jo tjetër, për liri dhe flamur të cilin e skalitëm me gjak. Në ecje e sipër i zhytur në mendimet e së kaluarës historike, pa pritur u gjenda pranë dy të moshuarve që po prisnin semaforin për të kaluar në anën tjetër të rrugës.

Nën zhurmën urbane, ato pëshpëritnin mes dhëmbësh profecinë rreth numrit 111, i cili korrespondon kësaj here edhe me përvjetorin e mëvetësisë së Shqipërisë.
Ato pëshpërisinin dhe thoshin se numri 111 është numër i fatit, po sjellka paqe, pasuri, dashuri… gjithçka të mirë. Dhe mu për të gjitha këto profeci, realiteti kohor na tregon të kundërtën e tyre.

Mendoja se si ka mundësi të jemi kaq optimist, çka na bënë të ëndërrojmë në profeci sebepe, në surealën. Jemi më shumë ndërsubjektiv e subjektiv se sa objektiv dhe racional.

Joshemi më shumë pas mitit, sepse fakti sikur na tremb.

Për dreq mu kujtua edhe rrëfimi i një burri nga Shqipëria, të cilin babai e kishte dajë të xhaxhait. Ai vinte te babai për ta vizituar sa herë që sillte karburante për të shitur ilegalisht me bidona në Gjakovë, kur Jugosllavia e atëhershme gjendej nën embargo.

Ai rrëfente se si politika e atëhershme nuk e pengonte rrënimin e çdo gjëje që kishte ndërtuar komunizmi, thoshte se tani Shqipërinë mirë e mbarë do ta ndërtojmë nga e para. Fliste me zell se si do ta bënin Shqipërinë, ndihej i çliruar, ambicioz dhe thoshte se “nuk kemi më uri”.

E gjithë fabula ishte karrem i armiqve të Shqipërisë që kishin infiltruar agjenturat propagandistike për shkatërrimin e Shqipërisë përmes strukturave politike, etj.

Ndoshta është edhe legjendë, por ashtu ndodhi. Nuk ishte vullnet i shqiptarit ta rrënonte vendin e tij. Por ja që ata e rrënuan dhe plaçkitën çdo aset që e ndërtoi komunizmi dikur.

Të njëjtën gjë e bëmë edhe ne pas çlirimit, veçse në një forme më të avancuar. Ne, bashkë me UNMIK-un përkrahëm një model privatizimesh që edhe ato asete që kishim, fabrika etj, i privatizuam me çerek vlere, disa edhe i dhamë sa për t’i hequr qafe, dhe pa kushte punësimi.

Nga e gjithë kjo mora shkas të sjellë krahasim objektiv dhe ndërsubjektiv, për gjendjen morale dhe ekonomike të shoqërisë tonë mbarë shqiptare, dhe shoqërive të vendeve të zhvilluara që të sotmen dhe të ardhmen nuk e ndërtojnë mbi kurrizin e sureales, pafajësisë dhe mitit, por mbi realitetin, mbi të sotmen, mbi punën, edukimin dhe jo lëmoshën.

Teoria e fundit popullore se pse disa kombe janë të varfra e disa të pasura është hipotezë e injorancës, e cila pohon se pabarazia botërore ekziston për shkak se, ne ose qeveritarët tanë nuk dimë se si ta bëjmë të pasur vendin tonë të varfër.

Vendet si Britania e Madhe, Amerika etj, u bënë të pasura sepse, qytetarët e tyre përmbysën elitat që kontrollonin pushtetin dhe formuan një shoqëri ku të drejtat e pushtetit i shpërndanë. Ne e kemi sistemin, por edhe partinë, e kemi edhe dhunimin e pronës publike sikur të ishte e hasmit. Ne e kemi edhe dorën e lirë për të hedhur mbeturina kudo, qoftë edhe nga dritarja e veturës, ama kurrë nuk e harrojmë se jem krenar pse jem shqiptar.

Ne jem krenar dhe të zotët edhe kur e fusim dorën e krimit në organet e rendit, në arsim, në xhepin e tjetrit, në administratë e kudo, por sipas profecisë, 111-ta do na falë të gjitha, se profecia po sjellë mirësi me bollëk. Ne edhe kur rrejmë, na ka hije se jem krenar se jem shqiptarë, dhe ç’na duhet tjetër kur na mbi mbulon krenaria? Me rëndësi me qenë krenar, kjo është e rëndësishme, të ngopemi me zhurmë krenarie, festive dhe sa po të largohemi nga sheshi ta lëmë të mbushur me mbeturina. Rëndësi ka se ne, sot festojmë kuqezi, urojmë e lavdërojmë Ismail Qemalin, Isa Boletinin, Luigj Gurakuqin, Rexhep Mitrovicën etj …. dhe ne sot pas 111 viteve, nuk jemi as në mesataren e vetëdijes kombëtare, punës dhe urtësisë së tyre. Në TV-të tona nuk zë vend para Big Bradherit, emisione edukimi.

Ne kem ninulla të bukura dhe edukim të keq. Popujt e vendeve të zhvilluara nuk kanë ninulla të bukura si ne, por kanë edukim, madje shumë të avancuar. Po mundohem te prekë dy-tre rezultate të edukimit dhe zhvillimit, dhe si shembull po e nis me Anglinë.

– Revolucioni Industrial filloi në Angli. Suksesi i parë i tij ishte revulucionizimi i prodhimit të veshjeve të pambukut, duke shfrytëzuar makineritë që viheshin në lëvizje nga rrotat me presion të ujit dhe më vonë nga motorët me avull.

-Japonia renditet ndër vendet më të varfra për hekur, por ajo ka industrinë më të zhvilluar në botë edhe pse importon hekur nga Suedia, SHBA e vende tjera. Nuk e pengoi mungesa e lëndës së parë për të qenë lider botëror në industri.

– Për ta kuptuar edhe më thellë po ua përmend qytetin e Nogales, i cili është i ndarë në dysh nga një gardh. Nëse qëndroni afër tij dhe shikoni kah veriu, ju do ta shihni Nagolen në Arizona që ndodhet në çarkun e Santa Cruz-it. Të ardhurat e një ekonomie familjare janë 30 000 dollarë në vit. Jeta në jug të gardhit vetëm disa hapa më tutje është mjaft e ndryshme. Banorët e Nagoles në Sonora jetojnë në një zonë relativisht të pasur të Meksikës dhe te ardhurat mesatare te një ekonomie familjare janë sa një e treta e atyre të Nagoles në Arizona.

PS: Kam shume urime për sot, por dua ta them atë që po më dhemb më së shumti: Atdheun ta duam me punë e me vepra, ta pastrojmë edhe trotuarin e qytetit sepse ai është i joni me shumë se pragu i shtëpisë, është fytyra e jonë, mos ta duam atdheun vetëm pse kem nevojë për të, por ta duam se e duam.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here