Nga: Atdhe Gjoci
Liria nuk është një dhuratë politike, por një kusht ekzistencial që kërkon një ndërgjegje kolektive për ta mbajtur në këmbë. Për Republikën tonë, 17 Shkurti nuk përfaqëson thjesht një datë kalendarike, por momentin kur ky sovranitet natyror këputi prangat e historisë. Pas një rezistence shekullore kundër pushtimit, pikërisht ky vullnet i pathyeshëm, i vulosur në luftën e fundit (1998–1999), projektoi vitin 2008 si kurorëzimin e pashmangshëm të pavarësisë, duke e shndërruar sakrificën tonë në një subjekt të konfirmuar nga e drejta ndërkombëtare.
Megjithatë, liria e fituar nuk është një monument i palëvizshëm; ajo mbetet e ekspozuar ndaj ligjeve të pamëshirshme të gjeopolitikës dhe, mbi të gjitha, cilësisë morale të elitave. Niccolò Machiavelli paralajmëronte se është po aq sfiduese të bësh të lirë një popull që ka pranuar robërinë, sa është të robërosh një popull që ka zgjedhur të jetë i lirë. Ne e dëshmuam këtë vullnet me tërë qenien dhe e vulosëm me gjak, por fati i lirisë së fituar ra në duart e atyre që nuk ditën ta administronin peshën e saj në paqe, edhe pse kishin dhënë gjithçka për fitimin e saj.
Kjo gjendje prodhoi dështime historike, ku më i rëndi mbetet votimi i Gjykatës Speciale, që sot po prodhon indinjatë të thellë për shkak të anshmërisë së saj flagrante dhe aktakuzave të ngritura mbi dëshmi të fabrikuara nga aparati shtetëror i Serbisë. Ky akt ishte një dështim diplomatik, një dorëzim sovraniteti për mbijetesë politike momentale.
Miopia politike nuk filloi sot; ai i ka rrënjët në mungesën e vizionit mbrojtës që në agimin e lirisë. Shoqëria dhe politika jonë dështuan të diktonin një element tjetër jetik: atë të luftës hibride, e cila depërtoi nën hijen e humanizmit ende pa u ulur pluhuri i betejave, por që në realitet ato ishin rryma ekstremiste fetare me emra të ndryshëm organizatash. Kjo verbëri lejoi që, paralelisht me ndërtimin e shtetit, të kultivohej një brishtësi e brendshme ku radikalizmi islam, i ushqyer dhe i instrumentalizuar prej agjenturave serbo-ruse, nisi të gërryejë indin tonë shoqëror.
Në këtë rrafsh, përtej presionit diplomatik, ne mbetemi të kërcënuar nga tjetërsimi i mundshëm identitar. Ky udhëkryq ekzistencial është, siguria jonë kombëtare që ndërthuret me fatin e qytetërimit të cilit ne i përkasim. Jehona e Konferencës së Sigurisë në Mynih merr një peshë përcaktuese e cila na meson qartë se ku duhet te rreshtohemi. Atje, Marco Rubio artikuloi me ngulm nevojën për një ripozicionim të qartë, duke thirrur mbi vlerat e civilizimit perëndimor si shtylla të patjetërsueshme të sigurisë globale. Kjo thirrje e Rubios shërben si një busull strategjike: Në një kohë kur Perëndimi po rifortifikon rrënjët e veta kulturore, ekonomike dhe ushtarake, çdo devijim yni drejt radikalizmit islam i shërben vetëm projektit të Moskës dhe Beogradit për të na portretizuar si një vatër të huaj në zemër të Evropës.
17 Shkurti sot duhet lexuar si një kontratë e pambaruar. Shteti kërkon autorë seriozë, por edhe një zgjim të qytetarit që refuzon rolin e spektatorit në cirkun e sharlatanëve. Mbrojtja e këtij shpërblimi historik kërkon spastrim moral të politikës dhe përkushtim ndaj rrënjëve euroatlantike. Nëse dështojmë ta mbrojmë pavarësinë nga erozioni i brendshëm dhe tjetërsimi identitar, historia jonë rrezikon të mbetet vetëm një kapitull melankolik, në vend që të jetë themeli i një të ardhmeje të pathyeshme.
