Zelensky e pranon gabimin, shpreh vullnetin për përmirësim me Trump dhe është i gatshëm për negociata të paqes

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka shprehur zhgënjimin e tij lidhur me drejtimin që mori takimi i tij i fundit me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe ka shprehur gatishmërinë për të marrë pjesë në bisedime paqeje me Rusinë.

“Takimi ynë në Uashington, në Shtëpinë e Bardhë të premten, nuk shkoi ashtu siç pritej. Është për të ardhur keq që ndodhi kështu. Është koha për t’i vënë gjërat në vijë. Ne dëshirojmë që bashkëpunimi dhe komunikimi i ardhshëm të jetë konstruktiv.” – tha ai.

Në një deklaratë të postuar në rrjetin social “X”, Zelenskyy përsëriti përkushtimin e Ukrainës për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, duke thënë se “askush nuk e dëshiron paqen më shumë se ukrainasit.”

“Asnjë nga ne nuk dëshiron një luftë të pafundme. Ukraina është e gatshme të ulet në tryezën e negociatave sa më shpejt të jetë e mundur për të afruar paqen e qëndrueshme. Askush nuk e dëshiron paqen më shumë se ukrainasit.” – tha ai.

Zelenskyy propozoi hapat fillestarë drejt de-përshkallëzimit, duke përfshirë një shkëmbim të të burgosurve dhe një ndalim të ndërsjellë të sulmeve me raketa dhe dronë ndaj infrastrukturës civile dhe energjetike, si dhe një armëpushim në Detin e Zi.

Ai i bëri thirrje Rusisë të përgjigjet në mënyrë reciproke për të lehtësuar negociatat e mëtejshme.

“Unë dhe ekipi im jemi të gatshëm të punojmë nën udhëheqjen e fortë të Presidentit Trump për të arritur një paqe që zgjat.

Jemi të gatshëm të veprojmë shpejt për t’i dhënë fund luftës, dhe hapat e parë mund të jenë lirimi i të burgosurve dhe një armëpushim në qiell — ndalimi i raketave, dronëve me rreze të gjatë veprimi, bombave mbi infrastrukturën energjetike dhe civile — si dhe një armëpushim në det menjëherë, nëse edhe Rusia do të bëjë të njëjtën gjë. Më pas, duam të ecim shumë shpejt përmes të gjitha fazave të tjera dhe të punojmë me SHBA-në për të arritur një marrëveshje përfundimtare dhe të fuqishme.” – tha më tej Zelensky.

Gjithashtu, Zelenskyy riafirmoi gatishmërinë e Ukrainës për të nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim në fushën e mineraleve dhe sigurisë me ShBA-në, duke e cilësuar atë si një hap drejt një stabiliteti dhe mbrojtjeje më të madhe.

“Sa i përket marrëveshjes mbi mineralet dhe sigurinë, Ukraina është e gatshme ta nënshkruajë në çdo kohë dhe në çdo format të përshtatshëm. E shohim këtë marrëveshje si një hap drejt sigurisë më të madhe dhe garancive të forta të sigurisë, dhe shpresoj sinqerisht që ajo të funksionojë në mënyrë efektive.” – tha lideri ukrainas.

Deklaratat e Zelenskyyt vijnë pas takimit tensionuar me administratën Trump në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë.

Lideri ukrainas shprehu mirënjohje për mbështetjen amerikane, duke kujtuar se vendimi i Trump për të furnizuar Ukrainën me raketa Javelin gjatë presidencës së tij ndihmoi në mbrojtjen e vendit.

“Ne e vlerësojmë vërtet sa shumë ka bërë Amerika për të ndihmuar Ukrainën të ruajë sovranitetin dhe pavarësinë e saj. Dhe e kujtojmë momentin kur gjërat ndryshuan, kur Presidenti Trump i dha Ukrainës raketat Javelin. Jemi mirënjohës për këtë.”

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here