Emisioni i kësaj jave „Kojshia Show“ ka sjellë një debat të nxehtë dhe përplasje të ashpra lidhur me protestat e fundit në Shqipëri. Përdorimi i flamurit të UÇK-së në këto protesta dhe deklaratat politike të kryeministrit Edi Rama kanë përplasur ashpër aktivistët nga Shqipëria me krerët e veteranëve të luftës në Kosovë.
Në qendër të përplasjes ishte përfshirja live përmes telefonit e kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati. Ai debatoi ashpër me dy nga njerëzit kryesorë të protestave, Shpend Gashin dhe avokatin Altin Goxhaj, duke u thënë prerazi se nuk ka ligj që ua lejon dhe nuk kanë guxim ta përdorin flamurin e UÇK-së në protesta për qejfe të tyre.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Shpend Gashit, i cili u kundërpërgjigj duke e krahasuar situatën aktuale në Shqipëri nën qeverisjen e Edi Ramës me kohën e regjimit të Sllobodan Millosheviçit në Kosovë. Në këtë debat u përfshi edhe ish-snajperisti i betejës së Koshares, Musa Smajli, i cili ishte i pranishëm në studio. Smajli reagoi me tone shumë të ashpra ndaj kryeministrit shqiptar, duke pyetur se kush është Edi Rama që t’i shesë tokë dikujt.
Ky panel i tensionuar trajtoi gjerësisht organizimin e protestave në Shqipëri, rolin e aktivistëve dhe ndjeshmërinë e madhe që ka përdorimi i simboleve të luftës në kauza të tilla politike e shoqërore.
Për të ndjekur dinamikën e plotë të këtij debati dhe të gjitha deklaratat e të ftuarve, mund ta shikoni emisionin e plotë në videon e mëposhtme.
