Donald Trumpi ka miratuar planet për ta sulmuar Iranin, por nuk ka marrë vendim përfundimtar për ta sulmuar Republikën Islamike, raporton CBS.
Presidenti amerikan kishte refuzuar planet fillestare në rast se Irani pajtohet ta braktisë programin bërthamor, ka thënë një burim i lartë i inteligjencës. Trumpi është duke menduar të realizojë një sulm amerikan ndaj Fordos, qendër nëntokësore për pasurimin e uraniumit në Iran.
Lideri suprem i Iranit, Ajetollahu Ali Khamenei të mërkurën ka refuzuar kërkesën e Trumpit për dorëzimin pa kushte, ndërkaq presidenti amerikan i ka çuar porosi se durimi po i soset.
Lajmi se Trumpi mbështet planet për sulme fillimisht ishte bërë i ditur nga revista e njohur Wall Street Journal.
Ushtria izraelite edhe të mërkurën ka sulmuar Iranin, duke goditur vende për lansime të raketave dhe qendra bërthamore. Irani është kundërpërgjigjur me raketa hipersonike. Në Izrael nuk është raportuar për dëme serioze.