Vuçiq për terroristët e Banjskës: Nëse i akuzojmë, ata do të thonë se i kanë mbrojtur vatrat e tyre

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë mbrëmë se autoritetet kompetente shtetërore serbe do të ngrenë aktakuza për rastin Banjskë “në përputhje me ligjin”.

Vuçiq ka deklaruar për RTS se këtë çështje e ka diskutuar dje me kryetarin e Këshillit Evropian, Charles Michel dhe ka shtuar se mund të ngrihen aktakuza vetëm për “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”.

“E si mund të ngrehin aktakuzë për diçka tjetër kur ata njerëz do të thonë “ne e bëmë punën tonë sepse sipas rezolutës 1244, Kosova i takon Serbisë dhe atje duhet të ketë deri në 1000 pjesëtarë të ushtrisë dhe policisë serbe dhe ne duhet të mbrojmë vatrat tona dhe vendin tonë në përputhje me Kushtetutën”. Dhe çfarë t’u themi, për këtë ju do të dënoheni dhe të pranojmë që Kosova është shtet i pavarur dhe t’i gjykojmë nga ky këndvështrim”, ka pretenduar Vuçiqi, paraprakisht duke paragjykuar se ata “janë të pafajshëm”, transmeton Paparaci.

Vuçiq ka thënë se serbët që u përleshën me Policinë e Kosovës në Banjskë ishin “ndjekur si bisha”.

“Atyre njerëzve u është premtuar, u kam sjellë një premtim nga evropianët dhe amerikanët, se askush nuk do t’i ndjekë pas barrikadave në nëntor, dhjetor”, ka thënë Vuçiq.

Ai gjithashtu ka thënë se me Michel-in ka biseduar edhe për vendimin e Kosovës për heqjen e dinarit si mjet pagese në Kosovë, dhe ka shtuar se nuk beson se vendimi i autoriteteve të Kosovës do të ndryshojë sepse, sipas fjalëve të tij, ata kanë “përkrahjen e heshtur të disa faktorëve të fuqive të mëdha” të cilët gjithmonë do të krijojnë ekuilibër mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ajo është bebja e tyre, sado të zemëruar të jenë me të, para mesnate do ta përkëdhelin që ta zërë gjumi në djep”, ka pretenduar Vuçiq.

I pyetur për planin BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, Vuçiq, edhe një herë ka përsëritur se Beogradi “do të përmbushë gjithçka”, përveç “asaj që është në kundërshtim me Kushtetutën e Serbisë, e që janë integriteti territorial i Kosovës, anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe organizatat dhe institucionet e OKB-së”./Paparaci.com

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Verified by MonsterInsights