Veprimet e disa qytetarëve nga Deçani, që publikisht bënë thirrje për braktisje të fesë islame, po hetohen nën dyshimet për cenim të sigurisë kombëtare dhe nxitje të urrejtjes apo përçarjes e mosdurimit fetar.
Prokuroria e Pejës, rezultatet e hetimeve që i kishte filluar në tetor të vitit të kaluar, kur edhe ishte mbajtur tubimi publik me thirrjet për braktisje të fesë, ia ka dorëzuar Prokurorisë Speciale.
Rasti aktualisht po vlerësohet nga Prokuroria Speciale.
Lëvizja, e cila kishte tubuar disa qytetarë në një ndërtesë në Deçan, duke thënë se është formuar me motive për shqiptarizmin, kishte nxitur reagimi në publik, përfshirë të përfaqësuesve të Bashkësisë Islame dhe drejtuesve komunalë.
Ndërkohë, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë në fund të muajit maj ndaj dy priftërinjve ortodoksë nga Shqipëria, Nikolla Xhufka dhe Lejdi Zagalli, nën akuzën për nxitje të urrejtjes kombëtare, fetare dhe etnike.
Ata e kishin dëmtuar një kishë ortodokse serbe të pashfrytëzuar, në nëntor të vitit të kaluar, në rajonin e Prizrenit.
Nga Gjykata e Prishtinës e kanë konfirmuar pranimin e aktakuzës, dhe se deri tash nuk është mbajtur asnjë seancë, por shqyrtimi gjyqësor pritet të fillojë në Departamentin Special./atvlive.tv