Një foto që qarkulloi në rrjetet sociale ka prekur miliona njerëz në mbarë botën: një elektricist i cili ngjitet çdo ditë në shtylla të larta elektrike për punë, shihet duke mbajtur një palë krahë engjëlli rozë në shpinë – dhuratë nga vajza e tij e vogël.
Sipas portaleve Goalcast, RachFeed dhe Understanding Compassion, vajza, e shqetësuar për sigurinë e babait të saj që punon në kushte të rrezikshme, kishte vendosur t’i bënte “krahë mbrojtës” që ta ruanin gjatë çdo ngjitjeje. Që atëherë, ai nuk shkon më në punë pa to, duke i konsideruar si simbol të dashurisë dhe besimit të vajzës së tij.
Pamjet u shpërndanë gjerësisht në internet, shoqëruar me komente që e cilësuan elektricistin si “babain më të mirë në botë” dhe vajzën si “engjëllin që mbron heroin e saj”. Megjithatë, raportime nga burime të mëdha mediatike nuk ekzistojnë dhe identiteti i personazheve mbetet i paqartë.
Disa faqe online e kanë cilësuar ngjarjen si një “rrëfim inspirues” të bazuar në një foto të vërtetë që u bë virale, por jo domosdoshmërisht si një histori e verifikuar me të dhëna konkrete.
Pavarësisht dyshimeve, historia ka fituar vlerë simbolike për shumë prindër dhe fëmijë, si një kujtesë e fuqishme se dashuria nuk kërkon gjithmonë shfaqje madhështore – nganjëherë mjafton një gjest i vogël, si një palë krahë të punuar me duart e një fëmije, për t’i dhënë forcë dhe guxim dikujt që përballet çdo ditë me rrezikun./korrespodenti
