Ushtria izraelite është tërhequr nga një zonë e Gazës, e njohur si korridori “Netzarim” që ndante këtë territor në mes, një veprim që pritej sipas marrëveshjes së armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit.Kjo u konfirmua nga grupi militant i Hamasit që kontrollon Rripin e Gazës. Më vonë një burim izraelit i sigurisë që foli në kushte anonimiteti konfirmoi se ushtria izraelite po tërhiqej nga pozicionet e saj në Gazën qendrore.
“Forcat izraelite e kishin zvogëluar më herët praninë e tyre në atë zonë”, tha zyrtari izraelit.
Hamasi e festoi tërheqjen si një fitore dhe forcat e tyre u vendosën në zonë për të menaxhuar rrjedhën e kalimit të palestinezëve.
Që në muajt e parë të luftës, forcat izraelite u vendosën në korridorin 6.5 km të gjatë në jug të qytetit të Gazës që shtrihet nga kufiri izraelit deri në detin Mesdhe.
Mijëra palestinezë kanë kaluar nëpër korridor javët e fundit, duke u kthyer në shtëpitë e tyre në veri nga Gaza jugore, ku ishin strehuar gjatë luftës.
Ish-ushtarët amerikanë të punësuar si kontraktorë privatë janë vendosur për të inspektuar automjetet që kalojnë nëpër korridor në javët e fundit pas marrëveshjes së armëpushimit që u zbatua më 19 janar pas më shumë se 15 muaj lufte.
Izraeli u zotua të shkatërrojë Hamasin pas sulmin të 7 tetorit 2023, në të cilin u vranë 1200 njerëz, shumica prej tyre civilë dhe mbi 250 u morën peng.
Më shumë se 46000 njerëz janë vrarë nga sulmet e Izraelit, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze që drejtohen nga grupi militant Hamas dhe që nuk bëjnë dallime mes luftëtarëve dhe civilëve.