Ushtria amerikane kreu një “sulm vdekjeprurës” kundër një anijeje nga Venezuela që po transportonte drogë. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili bëri publik operacionin, tha se Pentagoni do të japë së shpejti më shumë detaje.
“Prej kohësh në vendin tonë po hyjnë sasi të mëdha droge që vinin nga Venezuela” tha Trump.
Sipas të dhënave, sulmi i së martës (2 shtator) është operacioni i parë ushtarak i ngjashëm në rajon, shkruan Reuters.
Pak çaste pas njoftimit të Trump nga Zyra Ovale, Sekretari i Shtetit Marco Rubio konfirmoi sulmin ushtarak të SHBA kundër trafikantëve të drogës, me sa duket të lidhur me Venezuelën.
Rubio, tha se varka e shënjestruar drejtohej nga një grup trafikantësh droge, të cilin Uashingtoni e kishte shpallur organizatë terroriste.
“Ashtu siç [Trump] sapo njoftoi disa minuta më parë, sot ushtria amerikane kreu një sulm vdekjeprurës në Karaibet jugore kundër një anijeje droge që kishte nisur udhëtimin nga Venezuela dhe që drejtohej nga një organizatë e shpallur si narko-terroriste,” shkroi Rubio në X.
Administrata Trump ka shpallur kartelin Sinaloa të Meksikës dhe grupet kriminale venezueliane si organizata terroriste globale.