Ushtarët francezë hipin në anijen që dyshohet se u përdor për hedhje dronësh në Danimarkë

Personeli ushtarak francez ka hipur në një anije transportuese të naftës emri i së cilës ndodhet në listën e “flotës në hije” të Rusisë dhe dyshohet se është përdorur si vendnisje për fluturimet misterioze të dronëve që shkaktuan mbyllje aeroportesh në Danimarkë javën e kaluar.

Stephane Kellenberger, prokuror publik në Brest, i tha agjencisë franceze të lajmeve AFP se dy anëtarë të ekuipazhit – të cilët u prezantuan si kapiteni i anijes dhe ndihmësi i tij i parë – janë dërguar në mbajtje.

Prokurori tha se është duke u zhvilluar një hetim pas “dështimit [të ekuipazhit] për ta justifikuar nacionalitetin e anijes” dhe “refuzimit për të bashkëpunuar”, shkruan gazeta “The Guardian”.

Në pamje shihet personeli ushtarak duke iu afruar anijes së madhe me një barkë të shpejtë dhe duke përdorur një palë shkallë për të hipur në të. Anija e njohur si “Boracay”, e cila ka përdorur shumë identitete dhe ishte njëra nga katër anijet e lidhura me Rusinë në ujërat afër Danimarkës në kohën kur u panë dronët më 22 e 24 shtator. Këto fluturime deri më tani nuk janë shpjeguar plotësisht.

Anija transportuese ishte duke lundruar nga terminali rus i naftës në Primorks, afër Shën Petersburgut, duke bartur 750 mijë fuçi nafte të papërpunuar, për në Vadinar të Indisë, por u pengua nga një barkë e forcave detare franceze të dielën dhe u drejtua për në Saint-Nazaire në perëndim të Francës përderisa hetimi vazhdon.

“Boracay”, anija transportuese me flamur të Beninit, porsa e kishte ndryshuar emrin nga “Pushpa”. Nën këtë emër, anija ishte vëzhguar duke lundruar drejt perëndimit afër Danimarkës javën e kaluar dhe ishte përmendur nga ekspertët detarë si njëra nga anijet e lidhura me Rusinë që mund të jetë përfshirë në incidentet me dronë.

Aeroporti i Kopenhagës u mbyll për katër orë në mbrëmjen e 22 shtatorit, ndërsa aeroporti i Aalborg-ut dy ditë më vonë, pasi disa dronë ishin vërejtur në hapësirën ajrore daneze. Sidoqoftë, asnjëri prej tyre nuk u rrëzua. Edhe pse Danimarka e ka përmendur Rusinë si fajtore të mundshme, hetuesit nuk kanë qenë në gjendje ende të tregojnë se kush ishte përgjegjës për këto incidente.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME