Një udhëheqës shpirtëror i komunitetit pakicë Druze e ka akuzuar udhëheqjen siriane në Damask për bombardimin e qytetit jugor Sweida pavarësisht se ishte arritur një marrëveshje për qetësimin e dhunës dhe u ka bërë thirrje luftëtarëve lokalë që t’u kundërvihen trupave siriane që hyjnë në qytet.
Video-deklarata e së martës e udhëheqësit me ndikim, Sheikh Hikmat al-Hajri, paraqet sfidë për qeverinë e presidentit Ahmed al-Sharaa, forcat e të cilit e rrëzuan në dhjetor ish-presidentin Bashar al-Assad. Autoritetet e reja po mundohen që ta vënë tërë territorin e Sirisë nën qeverisje të centralizuar pas gati 14 vjetëve në luftë civile që e ka lënë vendin të ndarë në enklava, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Me muaj, udhëheqësit e komunitetit Druze kanë thënë se nuk i besojnë qeverisë së re siriane dhe kanë dalë kundër pranisë së trupave të saj, duke thënë se ata do ta sigurojnë qytetin Sweida me luftëtarët e tyre lokalë.
Izraeli fqinj gjithashtu ka kryer sulme ndaj trupave siriane në Sweida dhe afër Damaskut me qëllimin e deklaruar për mbrojtjen e pakicës Druze.
Megjithatë, më herët këtë javë, një rund i ri i luftimeve të ashpra shpërtheu mes grupeve të armatosura Druze dhe luftëtarëve beduinë në provincën Sweida, duke lënë dhjetëra të vrarë e mijëra të zhvendosur. Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Brendshme dislokuan njësi për t’i qetësuar luftimet dhe për ta shtrirë kontrollin në provincë.
Udhëheqësit shpirtërorë të komunitetit Druze thanë në një deklaratë me shkrim të martën në mëngjes se do t’i lejonin forcat siriane që të hynin në qytetin Sweida për ta ndalur gjakderdhjen, duke u bërë thirrje grupeve të armatosura që t’i dorëzonin armët dhe të bashkëpunonin me trupat që do të vinin.
Sidoqoftë, disa orë më vonë, al-Hajri, i cili ka qenë ashpër kundër udhëheqjes së re në Damask, tha se deklarata u është “imponuar” nga Damasku dhe se trupat siriane kishin shkelur një marrëveshje përmes vazhdimit të të shtënave në drejtim të banorëve.
“Ne jemi duke u bërë subjekt i një lufte totale të asgjësimit” – tha ai në një video-deklaratë, duke u bërë thirrje të gjithë pjesëtarëve të komunitetit Druze që “t’i kundërvihen kësaj fushate barbare me të gjitha mjetet në dispozicion”.
Autokolona të tankeve, kamionëve e motoçikletave të ushtrisë siriane hynë në disa pjesë të qytetit Sweida në mëngjes dhe po vazhdonin që të shkrepnin zjarr ndaj lagjeve atje, tha një reporter i agjencisë “Reuters” në këtë qytet.
Sipas tij, aeroplanët luftarakë izraelitë mund të shiheshin duke fluturuar mbi qytet, por nuk pati raportime të menjëhershme për sulme.
Të hënën, ushtria izraelite tha se kishte kryer disa sulme ndaj tankeve që po i afroheshin qytetit Sweida “për ta parandaluar arritjen e tyre në zonë”, sepse mund të paraqisnin rrezik ndaj Izraelit./Nacionale