Donald Trump është zgjedhur Presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës pas një fitoreje tw thellë në zgjedhjet e 4 nëntorit. Lajmi për rikthimin e tij në Shtëpinë e Bardhë ka ngjallur reagime dhe urime nga liderët botërorë, përfshirë Benjamin Netanyahu dhe Volodymyr Zelensky, udhëheqësit e Izraelit dhe Ukrainës, vende aleate të ngushta të SHBA-ve që aktualisht përballen me sfida të mëdha sigurie.
Netanyahu ka uruar Trump për fitoren, duke nënvizuar se rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë është një riangazhim i fuqishëm ndaj aleancës së madhe midis Izraelit dhe Amerikës.
“Të dashur Donald dhe Melania Trump, urime për rikthimin më të madh në histori! Kthimi juaj historik në Shtëpinë e Bardhë ofron një fillim të ri për Amerikën dhe një riangazhim të fuqishëm ndaj aleancës së madhe midis Izraelit dhe Amerikës. Kjo është një fitore e madhe! Në miqësinë e vërtetë, e juaja, Benjamin dhe Sara Netanyahu,” shkruan Netanyahu.
Ndërkohë, Zelensky në urimin e tij thekson se vlerëson angazhimin e Presidentit Trump për qasjen “paqe përmes forcës” në çështjet globale.“Urime, Donald Trump, për fitoren e tij mbresëlënëse në zgjedhje! Më kujtohet takimi ynë i mrekullueshëm në shtator, kur diskutuam në detaje Ukrainë-SHBA. Partneriteti strategjik, Plani i Fitores dhe mënyrat për t’i dhënë fund agresionit rus kundër Ukrainës.
Unë e vlerësoj angazhimin e Presidentit Trump për qasjen “paqe përmes forcës” në çështjet globale. Ky është pikërisht parimi që mund të afrojë paqen e drejtë në Ukrainë. Unë shpresoj se do ta vëmë në veprim së bashku.
Presim me padurim një epokë të një Amerike të fortë nën udhëheqjen vendimtare të Presidentit Trump dhe mbështetjen e vazhdueshme dypartiake për Ukrainën në Shtetet e Bashkuara. Ne jemi të interesuar të zhvillojmë bashkëpunim politik dhe ekonomik reciprokisht të dobishëm, nga i cili do të përfitojnë të dy vendet tona. Ukraina, si një nga fuqitë më të forta ushtarake të Evropës, është e përkushtuar për të garantuar paqen dhe sigurinë afatgjatë në Evropë dhe në komunitetin transatlantik me mbështetjen e aleatëve tanë.
Mezi pres të përgëzoj personalisht Presidentin Trump dhe të diskutoj mënyrat për të forcuar partneritetin strategjik të Ukrainës me Shtetet e Bashkuara,” shkruan Zelensky në “X”.