Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shprehur mbështetje për protestuesit që po përballen me shtypje brutale nga forcat e sigurisë në Iran, pesë ditë pasi nisën protestat për shkak të gjendjes ekonomike dhe që rezultuan me disa vdekje dhe dhjetëra të arrestuar.
Protestat nisën në Teheran më 28 dhjetor, për shkak të kolapsimit të kursit të këmbimit të monedhës kombëtare kundrejt dollarit amerikan dhe inflacioni arriti në 52 për qind. Protestat më pas u përhapën në disa rajone të tjera.
Mediat e kontrolluara nga shteti dhe organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut raportuan më 1 janar për të paktën shtatë të vdekur dhe dhjetëra të plagosur në përleshjet mes protestuesve dhe forcave të sigurisë, megjithëse agjencitë e lajmeve të lidhura me Qeverinë fajësuan për dhunën ata që i quajtën “nxitës” të dhunës.
Autoritetet iraniane ende nuk kanë konfirmuar këto raportime dhe Radio Farda e Radios Evropa e Lirë nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur.
“Nëse Irani qëllon dhe vranë dhunshëm protestuesit paqësorë, siç e ka zakon, Shtetet e Bashkuara do t’i ndihmojnë”, shkroi Trump në Truth Social më 2 janar.
“Ne jemi të gatshëm për të vepruar”, shtoi ai.
Irani i kundërpërgjigjet Trumpit
“Trump duhet ta dijë se ndërhyrja amerikane në çështje të brendshme do të nënkuptonte destabilizim të gjithë rajonit dhe shkatërrim të interesave të Amerikës”, shkroi në X, Ali Larijani, sekretar i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit.
“Populli amerikan duhet ta dijë, Trump e nisi këtë aventurë. Ata duhet të mendojnë për sigurinë e ushtarëve të tyre”, shtoi ai.
Komentet e tij u pasuan nga një postim i Ali Shamkhani, këshilltar i lartë i liderit Suprem të Iranit, ajatollah Ali Khamenei, i cili shkroi se “iranianët e njohin mirë ‘historinë’ e shpëtimit të SHBA-së, nga Iraku dhe Afganistani deri në Gaza. Çdo dorë që ndërhyn… do të gjymtohet”.
Saeed Bashirtash, një aktivist iranian në mërgim, i tha Radios Farda se kërcënimet e tilla për reagim janë më shumë blof.
“Populli iranian e mirëpret paralajmërimin e Trumpit, sepse do të ndihet më pak i kërcënuar kur të dalë në rrugë. Është shumë pozitive; Republika Islamike do të jetë shumë e kujdesshme për të mos vrarë njerëz”, u shpreh ai.
Retorika e ashpër vjen vetëm gjashtë muaj pas një lufte 12-ditore në qershor të vitit 2025, kur avionët izraelitë dhe amerikanë sulmuan objektet bërthamore dhe ushtarake iraniane.
Kjo pason deklaratat e Trumpit, i cili mirëpriti kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, në rezidencën e tij Mar-a-Lago në Florida më 29 dhjetor, duke sugjeruar se do të mbështeste sulme të reja izraelite ndaj programit raketor të Iranit.
Në komentet dërguara Radios Farda po më 2 janar, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha se “protestat pasqyrojnë zemërimin e kuptueshëm të popullit iranian ndaj dështimeve dhe justifikimeve të Qeverisë së tij”.
Në përgjigje thuhet se regjimi iranian “vazhdon të shpërdorojë pasurinë e Iranit për të sponsorizuar terrorizmin në mbarë botën dhe për të shtypur popullin iranian, i cili dëshiron dhe meriton një jetë më të mirë”.
“Ne do të vazhdojmë të ushtrojmë presion maksimal mbi regjimin”, tha DASH-i.
