Dy persona kanë mbetur të plagosur rëndë gjatë ditës së premte në Pejë, derisa një i dyshuar është arrestuar dhe i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, në emisionin “Edicioni Special” në Klan Kosova, tha se i dyshuari ka zënë në pritë viktimat para Qendrës së Paraburgimit në Pejë.
“Me të dalë nga Qendra e Paraburgimit një person i cili ka qenë që një kohë të gjatë nën masën e paraburgimit për një rast që ka ndodhur para disa vitesh në Volljakë të Klinës, ku për fat të keq në atë kohë pati humbur jetën një person, pasi është liruar nga gjykata ky person, është futur në një veturë, me ç’rast ka dalë menjëherë një person tjetër i dyshuar e dy armë zjarri në duar, të llojit kallashnikov, dhe ka shtënë në drejtim të tyre”, u shpreh Nikçi.
I njëjti përshëndeti reagimin e shpejtë të Policisë së Kosovës në neutralizimin e këtij rasti, transmeton Klankosova.tv.
“Por reagimi i Policisë së Kosovës ka qenë ekselent, për shkak se kanë neutralizuar për të mos pasur më shumë viktima, dhe njëkohësisht kanë parandaluar më shumë të shtëna me armë zjarri, dhe kanë arrestuar personin e dyshuar”.
Nikçi ndër të tjera dha detaje mbi gjendjen e të plagosurve.
“Njëri nga të lënduarit është dërguar në QKUK, derisa tjetri është duke vazhduar trajtimin në Spitalin Rajonal të Pejës. Gjendja e tyre është e rëndë”, tha ai.
Pos tjerash, Nikçi tha se janë kryer bastisje, por që detajet nuk mund të bëhen të ditura.
Nikçi po ashtu tha se viktimat dhe të dyshuarit nuk kanë relacione.