Presidenti Hashim Thaçi ka vizituar varrin e babait, pesë ditë pas vdekjes së tij – pasi Specialja ia ka aprovuar këtë vizitë.“Te varri yt erdha i fundit babë” – shkruan Thaçi mes të tjerash në kurorën me lule të vendosura në varrin e Haxhi Thaçit.
Para meje erdhëm mijëra qytetarë. Së shpejti do t’i falënderoj dorë më dorë, shkruhet në kurorën që Presidenti Thaçi e vendosi mbi varrin e babait, i cili vdiq para pesë ditësh.
Në këto fotografi, shikoni disa nga momentet nga vizita e Thaçit, te varrezat e fshatit të tij në Burojë, aty ku prehet babai i tij, Haxhi Thaçi.Avokati i Thaçit, Luka Misetiq, kishte bërë të ditur se kërkesa është bërë ditën e hënë në orën 14:00.
“Z. Thaçi ka bërë kërkesë dje para orës 14:00 për të marrë pjesë në varrimin e sotëm. Zoti Thaçi nuk do të marrë pjesë në varrimin e sotëm. Nuk do të kem asnjë koment të mëtejshëm për momentin”, ka shkruar Misetiq.
Për këtë ka dalur me reagim edhe Gjykata Speciale, por pa dhënë shumë detaje.
Specialja ishte arsyetuar me çështje organizative.
“Për momentin, gjykata nuk është në gjendje të japë informacion për ndonjë kërkesë apo vendim konkret në lidhje me z. Thaçi. Kjo për shkak se kërkesat e një të paraburgosuri dhe vendimet për ato kërkesa fillimisht janë gjithmonë konfidenciale për arsye që përfshijnë privatësinë dhe sigurinë operacionale. Pas përfundimit të një vizite humanitare, gjykatësit zakonisht i riklasifikojnë këto dokumente në mënyrë që publiku të mund të informohet më detajisht. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se ndërsa vizita të tilla, kur urdhërohen nga gjykatësit, organizohen sa më shpejt që të jetë e mundur, kjo mund të marrë ca kohë, duke kërkuar koordinim të ngushtë me një numër aktorësh dhe marrëveshje komplekse logjistike, duke përfshirë fluturimet dhe sigurinë”, thuhet në komunikatë.
Kjo ka shkaktuar reagime të shumta në publik.
Emisari i Posaçëm për Misione të Posaçme i ShBA-së, Richard Grenell, ka ripostuar shkrimin e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili e quajti Gjykatën Speciale një tribunal që, tha ai, ka shndërruar drejtësinë ndërkombëtare në një farsë.
Reagimi i Ramës erdhi pas vendimit të Speciales për të mos lejuar ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, të marrë pjesë në varrimin e babait të tij, i cili u nda nga jeta më 16 mars.
“Një poshtërim i ri nga një tribunal i turpshëm dhe i paturpshëm, i cili e ka kthyer drejtësinë ndërkombëtare në një farsë, të drejtat demokratike në fjalë boshe dhe vullnetin e mirë të Parlamentit të Kosovës në bumerangun më brutal!”– shkroi Rama.
Ish-emisari amerikan për Ballkanin, Richard Grenell, mbetet një nga kritikët më të ashpër të Gjykatës Speciale. Së fundmi, në mesazhin e tij për Ditën e Pavarësisë së Kosovës, ai shprehu shqetësimin për trajtimin e Speciales ndaj Thaçit.